DOKUMENTI/ Urdhri i vitit 1989: Ndreqjani varrin Lasgushit me 2 500 lekë!

Pothuajse dy vjet pas vdekjes së Lasgush Poradecit, regjimi komunist që e kishte shpallur “të vdekur për së gjalli” poetin duke e trajtuar me një shpërfillje mizore përgjatë gjithë viteve të diktaturës, e duke e injoruar edhe në lamtumirën e tij të fundit, ishte kujtuar në gusht të ’89-ës, që  t’i ndërtonte një varr me vleftën 2500 lekë.

Siç dëshmojnë familjarët e poetit, ai kaloi vite shumë të vështira sidomos në fund të jetës së tij, ndërsa në përcjelljen e fundit, zyrtarët shqiptarë ishin treguar po aq të ftohtë e të pandjeshëm, edhe pse Shqipërisë po i ikte magjistari më i madh i poezisë shqipe.

Pas ceremonisë mortore në nëntor 1987, trupi i poetit u varros në qytetin e tij të lindjes, në Pogradec. Për varrin e tij, veç familajrëve askush nuk ishte kujtuar më deri në verën e 1989, kohë kur befas del një urdhër nga Komiteti i Kulturës dhe i Arteve për t’ia ndrequr varrin poetit.

Urdhri që e sjellim më poshtë sipas origjinalit që ruhet në Arkivin e Shtetit, është nënshkruar nga Alfred Uçi dhe i drejtohej Komitetit Ekzekutiv në Pogradec për ta vënë në zbatim. Nga ky urdhër mësojmë se vleftën e varrit prej 2500 lekësh do ta mbulonte Komiteti i Kulturës dhe i Arteve. Ja shkresa e plotë:

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Komiteti I Kulturës dhe I Arteve

Nr.2541 Prot

Tiranë më 17.8.1989

Urdhër

Nr.7 datë 17.8.89

Për përballimin e  shpenzimeve për ndërtimin e varrit të Lasgush Poradecit

Në mbështetje të udhëzimit të Këshillit të Ministrave  nr.2, datë 17.10.1970 dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave nr.2, datë 2.6.1989

Urdhëroj

1.Varri i poetit Lasgush Poradeci të ndërtohet me shpenzimet e shtetit.

2. Vlefta e varrit të jetë deri 2500 lekë

3. Shpenzimet të përballohen  nga llogaria e Komitetit  të Kulturës dhe Arteve.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Kryetari Alfred Uçi. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts