Britani, 6 muaj burg për emigrantët që punojnë ilegalisht, gjoba e heqje licence për bizneset

Të gjithë ata që kapen duke punuar ilegalisht në Angli dhe Uells rrezikojnë deri në 6 muaj burg, sipas një propozimi të ri që është pjesë e projektligjit për emigracionin dhe që synon të përforcojë masat ndaj emigrantëve të paligjshëm.

Drafti parashikon edhe masa më të ashpra, me gjoba e deri në heqje licence për pronarët e restoranteve apo bizneseve të tjera që punësojnë emigrantë ilegalë.

Ministri i Emigracionit, James Brokenshire ka premtuar se qeveria do të vazhdojë të godasë të gjithë ata që abuzojnë me sistemin.

“Nëse keni hyrë në Britani ilegalisht, atëherë ne do t’ju ndalojmë që të punoni, të merrni me qira një shtëpi, të hapni një llogari bankare ose të drejtoni makinën”, u shpreh Brokenshire.

Së shpejti, sapo të marrin fuqitë ligjore të përcaktuara, autoritetet do të ndërmarrin një operacion kontrolli mbi bizneset dhe qr pritet që të nisë aksioni në të gjithë vendin, për të qiradhënësit që nuk kanë rekorde të mira për punësimin dhe strehimin e emigrantëve të paligjshëm. /tesheshi.com/