Botuesit nga Kosova me 150 tituj në Panairin e Librit në Tiranë

Ngjarja më e madhe e librit në Tiranë edhe sivjet do t’i mbledhë shtëpitë botuese shqiptare në një vend. Panairi i Librit, i cili këtë vit shënon edicionin e 20-të, do të mirëpresë 150 tituj të rinj vetëm nga Kosova.

Shtandi prej 42 metra katrorë që i dedikohet botuesve e shkrimtarëve kosovarë, i vendosur në hyrje të panairit do të qëndrojë aty prej datës 15 deri më 19 të muajit nëntor, aq sa edhe do të zërë vend kjo ngjarje.

Panairi këtë vit nuk ka një temë të caktuar, por një prej ngjarjeve që konsiderohet si më të rëndësishmet është punëtoria për përkthyesit e rinj. Derisa viteve të kaluara është përballur me vështirësi, siç është rrënja e numrit të shtëpive botuese dhe ankesa për rrënjën e lejueshmërisë, as këtë vit s’ka kaluar pa telashe në organizim.

Megjithatë, sipas organizatorëve nuk do të mungojnë edhe prezantimet e librave, si në Pallatin e Kongreseve edhe në shtandet e shtëpive botuese.

Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli, ka thënë se tashmë Kosova ka krijuar një traditë goxha të gjatë sa i përket pjesëmarrjes në Panairin e Librit në Tiranë.

“Pjesëmarrja e botuesve të Kosovës në Panairin e Librit në Tiranë tashmë është kthyer në traditë. Në panairin e njëzetë me radhë sivjet marrin pjesë pothuajse të gjithë botuesit e Kosovës, disa individualisht me stendat e tyre dhe të tjerët të organizuar në stendën e botuesve të Kosovës”, ka thënë Zeneli për “Koha Ditore”.

Ai ka thënë se numri i titujve me të cilët do të prezantohet sivjet Kosova është i kënaqshëm dhe më i madh se vitin e kaluar edhe përkundër vështirësive që paraqiten.

“Padyshim që vështirësi ka, duke filluar nga procedurat e zhdoganimit dhe pastaj doganimit të tyre në doganat e Shqipërisë, pastaj procedurat që marrin kohë dhe krijojnë vonesa, por duhet kaluar”, ka thënë Zeneli.

Rreth 10 shtëpi botuese nga Kosova do të jenë prezentë në shtandin e SHBK-së, mes së cilëve “Buzuku”, “Meshari”, “Koha”, “Titanic”, “Teuta” e të tjera.