Bankat në Kosovë: si përfitojnë miliona euro vetëm nga shërbimet e jo nga kreditimi

Nga Bashkim Kastrati

Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë duket se leverdinë po e shohin tek pagesat e qytetarëve për shërbimet, e më pak tek kreditimi i ekonomisë. Pasi që ndër vite kanë krijuar një klientelizëm të madh, ato janë fokusuar në tarifime të larta për shërbime ndaj klientëve të tyre.

Sipas raporteve të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm nga janari deri në gusht të vitit 2017, nga shërbimet bankat fituan plot 30 milionë euro të pastra. Pra bankat kanë shënuar fitim rekord nga kjo kategori, për një periudhë kaq të shkurtër.

Në anën tjetër, vërehet se bankat nuk po e shohin edhe aq me leverdi kreditimin e ekonomisë. Fokusi i tyre tek shërbimet, e ka çuar në rreth 700 milionë euro shumën e depozitave që po mbahen të ngrira nga institucionet financiare. Dhe kjo po ndodh pavarësisht nevojës së madhe të ekonomisë për para.

Sipas raportit të BQK-së për muajin gusht të këtij viti, depozitat e qytetarëve nëpër bankat komerciale kanë arritur mbi 3 miliardë euro. Prej tyre të lëshuara kredi janë 2 miliardë e 382 mijë euro.

Ndërkohë, rreth 700 milionë euro mbesin të ngrira, të cilat bankat kanë mundësi t’i lëshojnë kredi, por arsyetohen me mungesë të kërkesës.

“Kreditë për ekonomi familjare janë 868 milionë e 700 mijë euro. Kreditë për ndërmarrjet 1 miliardë e 510 mijë euro”, thuhet ndër të tjera në raportin e BQK-së.

Duhet theksuar se sektori bankar mbetet ndër sektor me likuid në Kosovë, por edhe shërbimet edhe kamatat në kredi mbesin të larta.

Mbulueshmëria e kapitalit në këtë sektor është 17 për qind, derisa kufiri për likuiditet është deri në 12 për qind. Pra sipas të dhënave, sektori i bankar është likuid më shumë se që është e nevojshme.

Një dukuri që është vërejtur kohëve të fundit është digjitalizimi i shërbimeve, e që ka pasur për pasojë direkte largimin e shumë punëtorëve nga puna. Tashmë ka bankë që në disa komuna nuk ofrojnë fare shërbime direkte me personel, por vetëm i kanë aparaturat përkatëse, të cilat shërbejnë për të tërhequr, deponuar, dërguar apo transferuar para. Pra bankat po i zvogëlojnë shpenzimet e tyre për staf dhe kjo po ndodh pasi që ato kanë arritur një numër të madh të klientëve.

Bankat komerciale synojnë maksimizimin e fitimit në “kurriz” të qytetarëve

Ekonomisti, Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se jemi dëshmitarë se shërbimet bankare kanë shënuar rritje marramendëse kohen e fundit, siç është parë një shërbim arrin deri në pesë euro provizion, çka edhe ka hasur në kundërshtim të qytetarëve, pasi që çdo ditë ka ankesa nga me të ndryshme për shkak të çmimeve të papërballueshme për gjepin e qytetarit.

“Në anën tjetër bankat kanë shënuar një fitim prej 70 milionë euro për shtatë muaj, ose 30 milionë vetëm nga shërbimet kanë inkasuar hiç më pak se 30 milionë euro të pastra. Mendoj se një veprim i tillë është i ngutshëm nga ana e bankave, sepse nuk ka vetëdijesim të duhur lidhur me përdorimin e teknologjisë, sepse një pjesë e madhe ende nuk dinë të përdorin shërbimet bankare, thjesht detyrohen të paguajnë këtë provizion të padrejtë”, thotë Beqiri.

Ai thotë se po të ishte Banka Qendrore funksionale, nuk do të ndodhte një gjë e tillë dhe se siç qarkullon në opinion informata se bankat kanë marrëveshje të fshehtë ndërmjet veti lidhur me çmimet dhe tarifat e aplikuara.

“Pjesa më e madhe e punëtorëve të bankave janë larguar nga puna, sidomos Procredit Banka, ka zvogëluar dukshëm numrin e të punësuarve, interes primar i bankave është maksimizimi i fitimit, shpesh bankat janë dënuar nga BQK-ja për mashtrim të klientëve, por asnjëherë nuk janë bërë publike”, theksoi Beqiri.

Banka Qendrore nuk duhet të rrijë duarkryq

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se që nga paslufta nëse një kategori e bizneseve që më së paku kanë pasur riskun e investimit janë bankat komerciale, kryesisht ato me kapital të huaj. Ai thotë se këto banka që nga themelimi janë sjellë me bizneset vendore dhe qytetarët e Kosovës në mënyrë aspak korrekte.

“ Them jo korrekte, sepse kujt i kanë dhënë kredi, përveç interesit të madh që kanë vjelë, njëherit kanë marrë aq shumë siguri që në asnjë mënyrë nuk e kanë rrezikuar kredinë e dhënë dhe kthimin dhe vjeljen e interesit. Ndërsa depozitimi nga ana e qytetarëve ka qenë shumë me interes të vogël. Pra janë sjellë në atë mënyrë që mjafton që ne po ua ruajmë fizikisht të hollat dhe kanë notuar në tregun kosovar pa u penguar nga askush”, thotë Kadriaj.

Kadriaj thotë se bankat komerciale në Kosovë, viteve të fundit, më shumë janë fokusuar në shërbime për qytetarë dhe biznese dhe ato shërbime sipas tij, janë jashtëzakonisht të pafavorshme si në rast të ndonjë transaksioni ose tërheqje të të hollave nga bakomatet.

“Po ashtu kanë bërë reduktimin e punëtorëve, duke i larguar nga puna me arsyetimin e automatizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve, por edhe ata punëtorë që punojnë përballen me një torturë dhe presion që më se paku duhet të ketë ambient i punës. Për ketë, ka raste që janë denoncuar edhe në media, por që organet kompetente nuk kanë marrë veprime konkrete duke u arsyetuar për mungesë të fakteve për shkeljen e të drejtave të punëtorëve”, u shpreh Kadriaj.

Ai thotë se në këtë situatë, është për të ardhur keq se si sillet Banka Qendrore si institucion vëzhgues e jo siç është e obliguar me ligj që të mbikëqyrë dhe të kontrollojë aktivitetin e bankave komerciale.

“Kjo sjellje e Bankës Qendrore dhe e institucioneve përkatëse karshi bankave komerciale bënë të dyshohet se edhe këto janë pjesë e kësaj shkelje flagrante, duke e dëmtuar çdo ditë bizneset dhe ekonomitë familjare, sepse bankat në Kosovë më së paku kanë ndikuar që të kontribuojnë për zhvillimin e biznesit në Kosovë përkundrazi kanë ngulfatur që me plotë kuptimin e fjalës janë fajdegjinjë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës që në momentin që merr kredi epilogu i çdo biznesi është falimentimi”, ka thënë Kadriaj. /tesheshi.com/

 

Related posts