Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Atalanta Pasko: Disa pasaktësi të Kadaresë për tim atë, Mitrushin

Gazetari Enkel Demi ka zhvilluar një bisedë interesante me Atalanta Paskon, të bijën e Mitrush Kutelit, një personaliteti të letrave shqipe e jo vetëm, duke qenë se ishte dhe një financier e bankier i madh. Në emsionin “Shih Programin”, e bija ka rrëfyer për disa detaje të jetës së të atit, ku në fund bie në sy fakti se origjina e tyre si familje është nga Arta; pra, Kuteli qenka një çam ortodoks!          

Nga Enkel Demi

Përse kujtohet një gazetar si unë për Kutelin? Kësaj here shkak është bërë një polemikë, sipas meje një farë kurthi i ngritur në media. Po lexoj të plotë këtë paragraf të shkruar në “Mëngjese në kafe Rostand”: “Paskon gjithashtu po e shikoja për herë të parë. Ishte, padyshim, shkrimtari që zgjonte kureshtjen kryesore pas Lasgush Poradecit. Ishte i heshtur, por ndryshe nga Greblleshi kishte bërë një a dy vite burg, madje shumë njerëz mendonin se do të hynte përsëri, por kjo, në vend t’ia shtonte druajtjen, për çudi, ia hiqte. Kjo vinte ndoshta nga që si pas një pëshpërime jo fort të besueshme, kishte gjasë që Pasko ishte i vetmi shkrimtar, jo vetëm në Shqipëri, por në krejt kampin socialist, për të mos thënë në krejt botën, që duke qenë oficer në luftën e Stalingradit, në anën e gjermanëve, ishte kthyer shëndoshë e mirë!”. Ku është polemika këtu?12019973_424467497751703_6168094329067204172_n

A.P: – Në këtë paragraf ka disa pandehma dhe pasaktësi. Thotë: Kuteli kishte bërë 1-2 vjet burg. Asaj kohe mund të mos dihej, por sot është e pamundur që mos të dihet. Për shkrimtarët duhet folur me saktësi. Aty nuk saktësohet, 1 apo 2 vjet vjet. Aty flitet për një njeri me emër mbiemër, por duhet të them se duke bërë një pohim të tillë sapo kemi hyrë në botën e pandehmave. Por jeta e Kutelit, nuk kishte vetëm faqen e pandehmave. Jeta e tij është e vërtetuar nëpërmjet shkrimeve të tij, nëpërmjet dëshmitarëve. Ne kemi botuar “Netë moldave” thjesht për të treguar se nuk ka qenë në Stalingrad. Eshtë guxim i madh që të thuash ka qenë në Stalingrad. Kuteli nuk ka qenë në Stalingrad, por ka qenë i mobilizuar ama…

Kuteli nuk ka qenë në Stalingrad, por ka qenë i mobilizuar. A mund ta sqarojmë këtë?

A.P: – Ai ka qenë në legjionet rumune që u dërguan drejt Stalingradit. Këta ishin civilë, ishin ushtarë të mobilizuar, ishin profesionistë të fushave të ndryshem.

Pra, kjo nuk ishte një zgjedhje e tij me vullnet të lirë?

A.P: – Si mund të ishte kjo një zgjedhje me vullnet?!

Plasari flet për një lloj vuajtje të Kutelit atje, a mund të na flisni diçka më shumë, se nëse nuk ka qenë në Stalingrad, ku ka qenë?

A.P: – Ka qenë në Stepanonkë. Aty ka shkruar “Po të vdes në dhé të huaj”. Ka qenë i mobilizuar vetëm tre muaj, shtator-dhjetor. Në janar është kthyer në Bukuresht. Mbase është kthyer për festa, nuk e di se kur tamam, por në janar ka qenë në Rumani.

Keni folur ndonjëherë me babain për këtë periudhë me të?

A.P: – Jo, nuk ka rënë rasti. Babai kishte shumë punë, shumë angazhime, shumë përkthime, norma përkthimi për të plotësuar. Por, që babai ishte i mobilizuar kjo dihej. Ai kishte botuar disa gjëra rreth asaj periudhe si “Netë moldave”, poemën “Po të vdes në dhé të huaj”, “Këngë e britma nga qyteti i vdekur.” Ai i ka të përshkruara dhe të botuara, nuk e ka fshehur ai këtë pjesë.

Ajo ishte një luftë që nuk i përkiste?

A.P: – Normal. Ishte fat që u kthye i gjallë.

A ka të bëjë Lufta e Dytë Botërore me kthimin në Shqipëri?

A.P: -Ai nuk ishte pjesë e luftës, por e paqes. Ai mundohej që të bënte paqe, qoftë duke dhënë këshilla sesi mund të kaloheshin problemet financiare të kohës. Ai ishte studiues i shkencave ekonomike, por njihte mirë monedhën dhe politikat monetare. Ai është kthyer në Shqipëri në shtator 1942, kur i pati vdekur e ëma.

Kadare në një intervistë të dhënë në gazetën “Standard” flet për zhdukjen e dosjes së hetimit të Paskos. Ai e cilëson skandal. Ai thotë që kur ishte i ri qarkullonte fjala se kishte qenë në Stalingrad. Por ai thotë se në fakt Paskon e kanë dënuar për “Poemin e Kosovës”…

A.P: – E lexova dhe aty thuhet se im atë u lirua kur u prishëm më jugosllavët. Kuteli u lirua me falje në prill të ’49 bashkë me qindra të tjerë. Kjo ishte për t’i mbushur mendjen se i futi në burg Koçi Xoxe.

Pse hyri ne burg babai juaj, për punën e kursit të këmbimit me dinarin jugosllav?

A.P: – Ai dha doreheqjen në korrik ’46, ndërsa burgimi u krye në maj të 47-s.

Arsyeja e burgimit?

Nuk e kanë thënë, i thonin vetëm fashisti dhe antijugosllav. Ai nuk pranoi që të vinte firmën në një kurs këmbimi që nuk ishte real. Leku nga lufta doli i fuqishëm, sepse në Shqipëri kishte materiale ndërtimi dhe mall, kurse dinari ishte shumë i dobët. Qeveria donte që të firmoste një shkresë që ishte kundër vendit. Por ky nuk ishte precedenti i tij i parë. Edhe gjatë pushtimit nazist ai krijoi një rast gati sabotimi financiar, aq sa Gjermania nuk arriti të bënte monedhën e pushtimit. Pas kësaj ai iku nga puna atje, por nuk doli në mal me pushkë në krahë, shkoi në zonat e çliruara, ku ndihmoi për çështjet e financës qeverinë e Beratit.

Në testament thotë: zgjodha rrugën e kundërt, por nuk i ndala dot të tëra…, kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk mund të skuqem nga turpi nga aktiviteti im kundër nazistëve në Rumani… Kam patur një skedë të zezë nga nazistët në Vjenë…

A.P: – Dua vetëm të kujtoj se na fliste gjithmonë që të bëheshim të mirë, por të mos jepeshim pas parasë. Në fakt ashtu si dhe e përmendët dhe ju ai dëshmon që Gestapo i kishte hapur një skedë në Vjenë. Nuk e kemi gjetur këtë dosje. Duhet të jetë në arkivat e atjeshme. Studiuesit duhet ta gjejnë për të parë çfarë ka shënuar Gestapo për të. Besoj se ka shumë rëndësi.

A është e vërtetë që keni kaluar një periudhë skamjeje?

A.P: – Jo, nuk ka qenë skamje. Mund të them një detaj. Kur vdiq babai unë nuk e dija se kur ishte dita e rrogës. Nuk e kisha si koncept. Këtë e mësova më vonë, kur nëna ime u detyrua të punojë.

Rikthehemi tek polemika. Kadare thotë do ishte mirë që të thuhen gjërat siç janë dhe të pranohen të tilla. Kadare thotë se ju familjarët nuk keni lejuar botimin e një pjesë të veprës së babait tuaj në frëngjisht..

A.P: – Biseda për këto botime është bërë me vëllain. Ka qenë vitit 1997. Por më herët, Aziz Vrioni, dmth Luan Gjergji, ka përkthyer vetëm “Vjeshtën e Xheladin Beut” dhe nuk di të ketë përkthyer tjetër, kjo është botuar rreth 1987. Por, mua më bën përshtypje pse jo Jusuf Vrioni?! Vëllai ka kontaktuar me atë shtëpi botuese që i ka thënë Ismaili se do ta botonte veprën. Nuk ka qenë shtëpia botuese “Fayard”. Ismaili i pati thënë se ishte një shtëpi botuese serioze që po krijohet atëherë. Vëllai i kontaktoi dhe ata i kthyen përgjigje, se nuk ishin të interesuar për ta botuar. Kjo ka ngjarë në periudhën 1997-1998. Pra nuk është ashtu siç thotë z. Kadare.

Kur e pyesin sot Ismail Kadarenë për Mitrush Kutelin, ai thotë se është një ndër klasikët e letërsisë shqipe, i cili bën pjesë në fondin e artë…

A.P: – Nuk komentoj një mendim të Kadaresë, as sikur të thoshte një mendim tjetër nga ky.

Ju çfarë mendoni për Kadarenë?

A.P: – Është një shkrimtari madh. Më pëlqen këmbëngulja e tij rreth çeshtjeve të dosjeve. Ai është një autoritetet dhe më pëlqen këmbëngulja e tij për të hapur dosjet e ish-Sigurimit.

Tani po ndalem pak tek testamenti. Aty i shkruhej nënës suaj: “Ti je në Rrushkull tek Polikseni dhe Atalanta”. Pse ishit atje?

A.P: – Ishim në aksion, nuk ishim në internim.

Ai ka lënë disa porosi që janë sa tronditëse, aq dhe të çuditshmë. Fjala vjen nuk ka dashur lajmërime për vdekjen e tij. Ja respektuat këtë dëshirë?

A.P: – Jo, nuk mundëm. Ai ra të flerë dhe nuk u zgjua. Ishte shumë e rëndë, na ra qielli mbi kokë. Mamaja mori vendimet për çdo gjë, siç iu duk me e drejtë. Nuk e di në ç’moment e gjeti mamaja letrën, mund ta ketë gjetur dhe më vonë, nuk e di. Në ishim 16-17 vjeçare të dyja motrat. Por e vërteta kjo është nuk iu respektuan këto dëshira të shprehura në testament. Njerëzit u njoftuan. Petraq Kolevica madje më vonë shkruan se më mirë që nuk u zbatuan këto porosi, se nuk do kishim mësuar për mortin dhe do të mungonim.

Ka një fjalë që në kënetën e Maliqit e kanë torturuar dhe kanë dashur ta turpërojnë publikisht…

A.P: – Edhe kjo është një tjetër histori që ka shumë shtresa. Unë në fillim të viteve ’90 shkoj në Bashki të Tiranës sepse më duhej një dokument. Një zotëri që takoj atje më pa mbiemrin dhe më thotë: mos je e bija e Kutelit? Ai më rrëfeu episod, më tha emra, më dha detaje. Në 95-vjetorin e babait e ftuam dhe zoterinë me mbiemrin Tusha nga Elbasani që kishte një rol shumë të rëndësishëm në historinë e treguar nga ky burrë, sepse ai ishte njeriu që i tha kapterit që ta nxirrte nga gropa. Ai nuk e dinte kë kishte shpëtuar, sepse aty askush nuk e dinte se ishte shkrimtar. Aty askush nuk dinte asgjë për të tjerët dhe kjo ishte një mënyrë për të ruajtur vetën dhe të tjerët. Në atë ceremoni ku mori pjesë dhe z. Tusha ishin gazetarët që e pyetën, duke i bërë pyetje nga më të çuditshmet, dhe ai edhe pse nuk mbante mend shumë detaje, kur u pyet sesi e kishin futur të veshur apo të zhveshur, ai u përgjigj: të zhveshur. Nuk ma merr mendja që ka qenë kështu. Më pas kjo u tjerr gjatë nga mediat dhe iu dhanë ngjyra që nuk i kishte si ngjarje. Vetë babai ia ka treguar Petraq Kolevicës pjesën e daljes nga kampi i Maliqit dhe ai e ka shkruar.

Një nga porositë më të mrekullueshme është që fëmijët ta duan gjuhën dhe vendin deri në vuajtje. Këtë e ka shkruar në një kohë kur ky vend nuk i falte shumë, apo jo?

A.P: – Normal, vendin nuk e zgjedhim dot. Ai kështu e ndjente.

Origjina e familjes suaj është suliote?

A.P: – Jo, ne jemi nga Arta.

Nga Arta e Çamërisë?

A.P: – Po nga Arta e Çamërisë.

Atëherë jeni çamë orthodoksë…

A.P: – Po. Jemi shkëputur prej andej në kohën e masakrave të Ali Pashës.

auto pjese dak

Related posts