728 x 90 Leaderboard

Asnjë surprizë, Reali dhe Bajerni përsërisin fitoret dhe shkojnë në çerekfinale të Champions-it

E vetmja befasi e dy takimeve të dyta të një të tetave të Champions League-s të luajtura sonte është përsëritja e rezultateve të sfidave të para.

Kështu, Reali i Madridit fitonte 3-1 ndaj Napolit në mesin e muajit të shkuar; po kaq, 1-3, fiton dhe në “San Paolo”. Bajerni i Mynihut mposhtte 5-1 Arsenalin në të njëjtën ditë, siç bën dhe këtë mbrëmje, kur arrin të njëjtin sukses në Londër: 1-5!

Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut janë dy skuadrat e para të kualifikuara për në çerekfinale të Champions League-s.

Në Napoli, skuadra vendase pati një nisje të shkëlqyer, të kurorëzuar me golin e Mertens-it në minutën e 24-të. Pjesa e dytë foli që nga fillimi për madrilenët, të cilët e gjejnë barazimin me anë të të zakonshmit Sergio Ramos, që shënon me kokë. Në të 57-tën minutë, është rishtas Ramos protagonist, por topi shkon në rrjetë falë devijimit të Mertens-it.

Të shkurajuar, napolitanët humbasin entuziazmin, dhe e pësojnë përsëri në fund të lojës, kur rezultatin për miqtë e thellon Alvaro Morata.

Nisje e mirë dhe për Arsenalin në “Emirates Stadium”, që kalon në avantazh në minutën e 20-të me një gol të Walcott-it. Rrjedha e lojës është e ngjashme me takimin në Napoli, pasi dhe në Londër, ekipi gjerman barazon me fillimin e pjesës së dytë.

Minuta e 54-t është dhe momenti kyç i lojës. Koscielny del me të kuqe, dhe Lewandowski shënon nga pika e 11-metërshit.

Historia merr fund këtu për vendasit, që i lënë rrugë shpërthimit të bavarezëve. Robben, Douglas Costa dhe Vidal kontribuojnë me golat e tyre në fitoren e thellë të Bajernit. /tesheshi.com/

 

 

Related posts