728 x 90 Leaderboard

Arkivat britanike: si i trajtonin Krishtlindjet muslimanët e konvertuar të periudhës viktoriane

Në orën 6 të mëngjesit të 25 dhjetorit 1888, dielli dimëror nuk ishte ngritur ende mbi qytetin anglez të Liverpulit. Një shtëpi viktoriane me tarracë ishte, gjithsesi, plot lëvizje dhe pritshmëri.

Ndriçimi i butë i dritës së qirinjve që dilte nga shtëpia në 8 Brougham Terrace shfaqte burra dhe gra të zënë me dekorimet dhe përgatitjen e ushqimit për festimet e mëdha që prisnin, në ditën e Krishtlindjeve.

Në një qoshe, një skenë familjare viktoriane e një gruaje që luante piano ndërsa drejtonte provat për himnet e Krishtlindjeve, ishte e pazëshme për shkak të erës së fortë e acar që zhurmonte në panelet e dritareve.

Kjo ishte xhamia e parë e Britanisë dhe komuniteti musliman që përgatitej për ditën e tyre vërtet të parë të Krishtlindjeve.

Në orën 8 të mëngjesit, pasi ishin përfunduar faljet e mëngjesit të hershëm, Imami më në fund hapi dyert e xhamisë. Imami William Henry “Abdullah” Quilliam e themeloi xhaminë pasi përqafoi Islamin në vitin 1887, në moshën 31-vjeçare

Ai u përshëndet nga më shumë se 100 të varfër të qytetit, të cilët ishin ftuar për të ngrënë mëngjesin e bamirësisë së Krishtlindjeve brenda asaj që banorët vendas e quanin “Kisha e Islamit”.

Ndërsa grupi i të konvertuarve të fundit shërbenin për të ftuarit ushqimin e shijshëm me “sanduiçe, bukë dhe mish, bukë me fara, kulaçë, bukë e gjalpë, çaj dhe kafe”, nisi edhe muzika.

Himnet që nderonin lindjen e profetit Isa, apo Jezus, mbushën gjithë ndërtesën. Deri në mbrëmje, numri i pjesëmarrësve u shtua. Ishte përhapur fjala, dhe muslimanët ofruan çaj dhe koncerte të vogla muzikore për vizitorët.

Argëtimi nisi me “performance imituese” nga dy të rinj muslimanë përpara se të niste koncerti me vegla të ndryshme muzikore.

Finalja ishte një shfaqje magjike me fenerë dhe fotografi nga turi më i fundit i Imamit në tokat e largëta muslimane.

Këto përshkrime të muslimanëve viktorianë për Krishtlindje janë marrë nga faqet e “Gjysmëhënës”, gazetës së parë muslimane të vendit. Ajo u publikua nga Instituti musliman i Liverpulit midis viteve 1893 dhe 1907 dhe u bë e aksesueshme së fundmi online nga shoqëria “Abdullah Quilliam” – me seli në xhaminë historike – në partneritet me Bibliotekën Britanike.

“E gjitha kjo risjell në vëmendje se ka pasur një brez më të hershëm muslimanësh, që kërkonin të përhapnin fjalën e Islamit përmes gjetjes së pikave të përbashkëta më shumë sesa përmes debateve e konfliktimit”, thotë Timothy Winter, një akademik musliman britanik me ndikim.

Winter, dekan i Kolegjit musliman në Kembrixh dhe profesor në Studimet Islame në fakultetin e Hyjnores, në universitetin e Kembrixhit, u konvertua në Islam në vitin 1979. Ai ka punuar intensivisht me arkivat.

Komuniteti i parë musliman i Britanisë më së shumti përbëhej nga anglezë të konvertuar. Skenat e Krishtlindjes, të përshkruara në çdo edicion të janarit nga “Gjysmëhëna”, mund të vijnë si surprizë.

Winter thotë se festimet tregojnë dëshirën dhe vullnetin për t’iu përshtatur traditave lokale, diçka që ishte më e lehtë për shkak se grupi ishte rritur me to.

“Ata zotëronin një shpirt të hapur dhe mikpritës dhe ishin shumë më të përfshirë me Zotin dhe të Vërtetën “, thotë Winter për “Al Jazeera”-n.

Muslimanët viktorianë nuk po festonin Krishtlindjen në kuptimin e krishterë, thotë Humayun Ansari, profesor dhe autor i “Të pabesët mes nesh: muslimanët në Britani që prej vitit 1800”.

Ata thjesht dëshironin të kishin qasjen e tyre ndaj komunitetit. Në këtë veprim, thotë Ansari, Quilliam dhe muslimanët britanikë ishin duke “vendësuar” identitetet e tyre muslimane.

“Ajo që Quilliam po bënte në ato shembuj të hershëm, ishte përpjekja për të komunikuar që Islami është shumë më familjar me Krishtlindjet në Britani sesa ata mendonin. Ai po përpiqej të tregonte se nuk ishte diçka e huaj apo e ardhur, por pjesë e traditës së Ambrahamit”, tha Ansari për “Al Jazeera”-n.

“Këta muslimanë të hershëm britanikë po merrnin elemente të kulturës vendase britanike që konsideroheshin të pranueshme brenda kornizës islame dhe po i ‘martonin’ ato me identitetet e tyre fetare. Në këtë veprim, ata ofrojnë një udhërrëfyes dhe gjurmë për atë sesi mund të duket një identitet musliman britanik vendas, sot”.

Përveç xhamisë, muslimanët e Liverpulit themeluan një shkollë, një jetimore dhe një muzeum.

Në shkollë, nxënësve iu mësohej një kurrikulë që integronte Islamin me arsimimin tradicional britanik, përfshirë edhe mësime muzike. Ata merrnin pjesë në mbrëmje debati për letërsinë apo çështje të tjera në ngjarje me tituj të tillë si “Një natë me Çarls Dikens, Oliver Kromuell dhe Britanikët e lashtë”.

Në fushë, djemtë luanin futboll dhe kriket.

Gazeta “Gjysmëhëna”, botuar nga Quilliam, publikonte rregullisht citime frymëzuese nga britanikë të njohur si Shekspiri apo lordi Tennyson.

Roli dhe ndikimi i Quilliam ishin të atillë që atij iu dha titulli i Sheikh Ul Islam i Britanisë nga osmanët, dhe kur ai u largua nga Liverpuli në vitin 1908, u duk se edhe komuniteti sikur u shpërbë.

Sot, ka më shumë se 2.5 milionë muslimanë në Britani, e në ndryshim me komunitetin e Quilliam, ata vijnë nga shumë origjina e rrethana jetësore dhe e ndjekin Islamin sipas traditave të tyre.

“Muslimanët viktorianë ishin një komunitet i vogël, pothuajse eksluzivisht anglezë të bardhë”, thotë Sadiya Ahmed, themeluese e “Muslimanëve të përditshëm”, një organizatë që ruan trashëgiminë muslimane në Britani.

“Sot, ne kemi muslimanë në Britani, familjet e të cilëve kanë ardhur nga e gjithë bota sikundër edhe nga ata që janë anglezë etnikë, dhe kjo pashmangshmërisht do të thotë se ata u qasen Krishtlindjeve në shumë mënyra”, thotë ajo për “Al Jazeera”-n.

Çështja së fundmi erdhi në vëmendje kur Tesco, një markë supermarketesh, publikoi një reklamë ku shfaqej një familje muslimane duke festuar Krishtlindjet.

Kritikët kërcënuan të bojkotonin kompaninë për shkak se e shihnin Islamin të papërputhshëm me Krishtlindjet.

Sidoqoftë, të tjerët e mirëpritën reklamën si përqafim i multikulturalizmit.

“Disa muslimanë e përjashtojnë tërësisht si një festim të krishterë, duke besuar se nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin”, thotë Ahmed.

“Të tjerë e përqafojnë si një traditë sekulariste britanike, pasi ngrenë pemët, shkëmbejnë dhurata dhe hanë gjela deti hallall në ditën e Krishtlindjeve. Dhe më pas, janë edhe ata që e shohin si festim të lindjes së një prej profetëve të rëndësishëm të Islamit.

Komuniteti musliman britanik është shumë më tepër i ndryshëm sot nga sa ishte kur ishte gjallë Quilliam dhe kjo është arsyeja përse pikëpamjet e tij mbi Krishtlindjet janë po aq të ndryshme”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

 

 

Related posts