Alarm në Kosovë: Paracetamol P/500 është vdekjeprurës

Nga Bashkim Kastrati

Një numër i madh i mjekëve nga të gjitha anët e Kosovës kanë nisur sot një fushatë vetëdijësuese për mos konsumimin e një lloji të paracetamolit.

Ata përmes shpërndarjeve nëpër rrjetet sociale bëjnë thirrje që paracetamoli në të cilin shkruan P/500 të mos konsumohet në asnjë mënyrë nga pacientët pasi që është shumë i rrezikshëm për shëndetin.

“Është një tabletë me shkëlqim dhe shumë i bardhë, mjekët paralajmërojnë se përmban virusin “machupo” që konsiderohet si një prej viruseve më të rrezikshëm me një shkallë të lartë të vdekshmërisë. Ju lutem njoftoni të gjithë miqt, shokët, familjarët e juaj ”, thuhet në njoftimin e tyre, shpërndarë në rrjetet sociale.

Ky njoftim është duke u shpërndarë shumë në rrjete sociale. Atë përveç shumë mjekëve, e kanë shpendari edhe shumë qytetarë dhe artistë, të cilët kanë ndjekës të shumtë në rrjetet e tyre sociale. Kjo ka bërë që të krijohet një alarm rrezikshmërie nga ky medikament në Kosovë.

Në anën tjetër, disa profesionistë shëndetësorë kanë kërkuar nga institucionet përkatëse shëndetësore që të deklarohen për këtë çështje se a është e vërtetë një gjë e tillë, pasi që një lajmërim i tillë është shumë shqetësues.

MSh: Paracetamol P 500 nuk është i regjistruar në Kosovë

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar Ministria e Shëndetësisë. Kjo ministri përmes një komunikate për media ka lajmëruar se produkti në fjalë nuk është fare i regjistruar në Kosovë.

“Lidhur me shkrimet ne media dhe postimet e ndryshme në rrjete sociale lidhur me atë se produkti medicinal Paracetamol P 500, i prodhuesit “Apex” llogaritet si një produkt vdekjeprurës, gjithnjë sipas këtyre raportimeve, Ministria e Shëndetësisë, pas informatave të siguruara nga Agjensioni Kosovar për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, njofton opinionin se produkti në fjalë nuk është i regjistruar në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e MSh-së.

Gjithashtu kjo ministri ka siguruar qytetarët se inspektorët farmaceutik janë vazhdimisht në terren duke realizuar inspektime dhe verifikime nëpër farmaci.

“Në të njëjtën kohë, inspektorët e Inspektoratit Farmaceutik janë duke kryer inspektime të rregullta në tregun farmaceutik kosovar, me qëllim të evitimit të qarkullimit eventual të çfarëdo produkti, i cili nuk ka autorizim marketing dhe të drejtë qarkullim në tregun kosovar”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por duhet theksuar se Inspektorati Farmaceutik ka një numër të vogël të inspektorëve dhe nuk arrin që të mbulojë sa duhet inspektimet në tregun farmaceutik. Fakt për këtë është prania e shumë medikamenteve nga Serbia, të cilat janë pa banderola dhe shitën në shumë barnatore në Kosovë. Hulumtime të shumta të mediave në Kosovë e kanë dëshmuar një gjë të tillë.

 

Related posts