Akuza për kompromentim: Departamenti i Drejtësisë shqyrton mundësinë e hetimit të çiftit Klinton

Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se u ka kërkuar prokurorëve të marrin në shqyrtim fondacionin e bamirësisë së Klintonëve si dhe një marrëveshje uraniumi që dyshohet se ka prodhuar korrupsion.  Kryeprokurori Jeff Sessions tha se mund të nisë një hetim të nivelit të lartë për “disa çështje” në fondacionin Klinton dhe për shitjen e “Uraniumit Një”.

Sessions vuri në dukje se kjo lëvizje është reagim ndaj një letre të dërguar prej republikanëve të Kongresit. Çështjet, në fakt, janë ankesa të presidentit Donald Trump prej një kohe të gjatë.

Demokratët e kanë cilësuar marrëveshjen e Uraniumit Një si “diversion masiv” për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve të rënda me të cilat ndeshet presidenca Trump. Ndihmësit e presidentit aktualisht janë në hetim nga një këshill special dhe një komitet i Kongresit nëse kanë qenë pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Marrëveshja Uraniumi Një, ka të bëjë me një kompani kanadeze që ishte në pronësi të një të pestës së rezervave amerikane të Uraniumit – dhe që u ble në vitin 2010 nga kompania shtetërore ruse, Rosatom.

Marrëveshja duhej të miratohej nga disa agjenci qeveritare amerikane, përfshirë departamentin e Shtetit, që në atë kohë drejtohej nga sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton.

Republikanët akuzojnë se departamenti i Shtetit e miratoi marrëveshjen pasi fondacioni i bamirësisë së Bill Klinton mori një donacion prej 145 milionë dollarësh. Disa nga këto kontribute nuk u bënë publike nga Klintonët, pavarësisht se u zotuan ta bënin këtë gjë.

Ish-presidenti Klinton, po ashtu, u pagua me 500 mijë dollarë për një fjalim në Moskë nga një bankë ruse investimesh me lidhje me Kremlinin, që promovonte aksionet e “Uranium Një”. /tesheshi.com/