Zbatimi i vetingut do të sjellë një impact pozitiv në thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Deklarata është bërë nga ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz, gjatë ceremonisë së pritjes me rastin e 27 vjetorit të bashkimit të dy Gjermanive, asaj Lindore me atë Perëndimore.
“Për sipërmarrjet gjermanë janë me rëndësi siguria ligjore dhe besimi te institucionet, gëzohem se me nisjen e zbatimit të procesit të vetingut, Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur”, tha diplomatja gjermane.
Presidenti Ilir Meta u shpreh në fjalën e tij se Gjermania është garante për projektin evropian, pavarësisht sfidave të shumta që po kalon kontinenti dhe bota.
“Gjermania është partner për sigurinë dhe paqen në Ballkan. Ne jemi mirënjohës për të gjithë ndihmën që Gjermania ka dhënë për Shqipërinë. Ju falënderoj për mbështetjen për reformën në drejtësi, e cila do të krijojë një klimë të favorshme për investimet gjermane në Shqipëri”, u shpreh Meta. /tesheshi.com/