Kërkoni të çregjistroni makinën sepse është shumë e vjetër dhe je duke kërkuar për një të re? Apo thjesht ke vendosur të heqësh dorë njëherë e mirë nga makina jote historike?
E-Albania të ofron mundësinë që përmes shërbimit elektronik “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti” të kryesh veprimin, gjithashtu online mund të paguash koston e aplikimit.
Shërbimi “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti” është elektronik, dhe u mundëson zotëruesve të automjeteve të aplikojnë online për çregjistrim të përhershëm të mjetit, si dhe të kryejnë pagesën përkatëse për aplikimin, raporton scan.
Çregjistrimi i mjeteve rrugore kryhet në zbatim të Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, VKM Nr. 153, datë 07.04.2000 “Për Miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Udhëzimit Nr.01, datë 18.01.2012 “Mbi Dokumentacionin e Qarkullimit dhe Regjistrimit të Mjeteve Rrugore me Motor dhe Rimorkiove të Tyre”, i ndryshuar.
Dokumentacioni i nevojshëm
Dokumente që ju nevojiten për të marrë shërbimin online:
– Dokument i identifikimit të përdoruesit; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania).
Dokumente që duhet të dorëzoni në sportelet e drejtorive rajonale:
– Dokumenti i identifikimit ose Ekstrakti i QKB-së për bizneset
– Leja e qarkullimit të mjetit
– Targat e mjetit
– Certifikatë pronësie
– Vërtetim RBS (Regjistri i Barrës Siguruese)
Hapat e procedurës
Për të marrë shërbimin:
– Regjistrohuni si qytetar në portal
– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti”
– Klikoni butonin” Përdor”
– Aplikoni për çregjistrimin e përhershëm të mjetit
– Kryeni pagesën e aplikimit, duke ndjekur hapat për të kryer pagesën online
– Paraqituni pranë sporteleve të drejtorive rajonale për dorëzimin e dokumenteve.
Ky shërbim mund të merret menjëherë pas paraqitjes në sportelet e drejtorisë rajonale, nëpërmjet një kostoje në vlerën e 600 lekëve. / tesheshi.com/