Zyrtarët turq kanë akuzuar qeveritë europiane se janë përpjekur të eksportojnë problemin e tyre me ekstremizmin drejt Sirisë, duke thënë se Bashkimi Europian ka dështuar të sigurojë kufijtë e vet apo të mbajë zotimin për të ndarë të dhënat e shërbimeve sekrete e të bashkëpunojë në luftën ndaj kërcënimit xhihadist.
Këto dështime u parashtruan nga zyrtarët turk për gazetën londineze “The Guardian” përmes shembujve të dokumentuar të luftëtarëve të huaj që largoheshin nga Europa duke udhëtuar me pasaporta të regjistruara në listën e Interpolit, duke mbërritur nga aeroportet europiane me bagazhe ku kishte armë e municione e duke u liruar pasi deportoheshin nga Turqia, pavarësisht paralajmërimeve se ata kishin lidhje me rrjetet e luftëtarëve të huaj.
“Kemi pasur dyshime që arsyeja që ata dëshironin që këta njerëz të vinin ishte për shkak se nuk i dëshironin në vendin e tyre”, tha një zyrtar i lartë turk. “Mendoj se ishin kaq përtacë e kaq të papërgatitur e vijonin ta shtynin problemin derisa ai u bë kronik”.
Diskutimi është nxehur së fundmi, pas sulmeve terroriste në Bruksel dhe daljes së faktit se një nga të dyshuarit ishte deportuar nga Turqia, por ishte liruar më pas nga policia belge.
Të mërkurën, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Ibrahim el-Bakraoui, një nga kamikazët e aeroportit të Zavantemit ishte ndaluar në Gaziantep në qershor në lidhje me dyshimin se do të udhëtonte në Siri si luftëtar.
Ankaraja ka paralajmëruar gjithashtu, autoritetet franceze rreth Omar Ismail Mostefai, emri i të cilit doli në hetimin e një celule me shtetas francezë të dyshuar për lidhje me terrorizmin. Mostefai ishte një nga militantët e ISIS që sulmuan sallën e koncerteve Bataclan në Paris, nëntorin e kaluar.
Zyrtarët europianë dhe koalicioni që drejtohet nga amerikanët, në mënyrë të përsëritur, kanë thënë se Turqia duhet të bëjë më shumë për të siguruar kufijtë. Kritikët e Erdoganit akuzojnë Ankaranë se po bën një sy qorr për fluksin e luftëtarëve të huaj, duke argumentuar se Turqia shpreson të minojë pozicionin e njeriut të fortë të Sirisë, Bashar al-Assad.
Sipas zyrtarëve europianë, fakt i rëndësishëm është se pjesa më e madhe e mijëra luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri kanë hyrë në këtë vend përmes Turqisë. Vladimir Putin, pasi një avion rus u qëllua për shkelje të hapësirës territorial turke, akuzoi Ankaranë se po “bashkëpunon me terroristët”.
Ekspertët thonë se europianët kërkojnë që Turqia të bëjë më shumë për shkak të numrit të madh të luftëtarëve të huaj që kalojnë në Siri e kthehen prej andej. Mirëpo sipas tyre, Turqia e ka shtuar në mënyrë dramatike sigurimin e kufijve, duke nisur nga marsi i vitit të kaluar.
Në intervistat me “The Guardian”, zyrtarët turq sfiduan pohimet europiane se ata nuk bëjnë mjaftueshëm, duke sjellë detaje të disa incidenteve që ata thonë se tregojnë se qeveritë europiane kanë lejuar njerz të udhëtojnë drejt Turqisë.
Në qershor 2014, zyrtarët e sigurisë në aeroportin e Stambollit intervistuan një shtetas norvegjez që deklaroi hapur se kishte ardhur në Turqi për të udhëtuar drejt Sirisë për “xhihad”. Kur iu kontrolluan bagazhet, u pa se ai kishte arritur të udhëtonte nga Oslo me një valixhe që përmbante veshje kamuflazhi, një kuti të ndihmës së parë, thika, një revistë armatimi dhe pjesë të një kallashnikovi.
Dy muaj më pas, një shtetas gjerman mbërriti në Stamboll me një valixhe ku mbante jelek antiplumb, veshje ushtarake kamuflazh dhe dylbi të cilat i kishte kaluar edhe në aeroportin e Parisit, përpara se të mbërrinte në Turqi.
Në vitin 2013, një person me shtetësi të dyfishtë, turke e daneze, u largua nga Danimarka për në Siri, por u ndalua ndërsa kalonte kufirin në provincën Kilis dhe u deportua në Kopenhagen. Ai u pajis me pasaportë tjetër nga autoritetet daneze dhe arriti të shkojë në Siri.
Të njëjtin vit, shtetasi britanik Mohamed Haroon Saleem, arriti në Stamboll nga Londra dhe udhëtoi në Siri duke arritur të dalë nga Britania me pasaportë të listuar nga Interpoli si të vjedhur ose të humbur.
Mohamed Mehdi Raouafi, qytetar francez u largua nga Franca në janar 2014 dhe u bashkua me luftimet në Siri. Kjo ndodhi pavarësisht paralajmërimeve se ai do bashkohej me grupet radikale, e autoriteett e lejuan të dilte nga Franca.
Grupi Soufan, një organizatë e respektuar vlerëson se deri në fund të vitit 2015, 27 mijë deri në 31 mijë luftëtarë të huaj kishin udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për të luftuar në krah të grupeve militante, mes të cilëve 760 persona nga Britania.
Turqia tashmë ka një listë prej më shumë se 38 mijë individësh që u është ndaluar hyrja, bazuar pjesërisht në një bashkëpunim të vonë të autoriteteve europiane dhe hetimeve të veta për personat që mbërrijnë në Turqi. Ankaraja ka deportuar mbi 3200 persona.
“Europa e dinte saktësisht se çfarë po ndodhte, por ata nisën një lojë me lënie faji dhe thanë se i gjithë problem ishte në kufirin turko-sirian”, thanë zyrtarët turq për “The Guardian”.
Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/