Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, deklaroi sot se takimet e përbashkëta në planin ekonomik të shteteve të rajonit dëshmojnë angazhimin për krijimin e një tregu më të madh dhe interes për investimet.
Në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Durrës, Zaev shprehu vullnetin e vendit të tij për bashkëpunim intensiv rajonal, që do të lehtësojë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve dhe do të kontribuojë për zhvillimin e ideve dhe projekteve të reja.
“Rajoni është i drejtuar drejt paqes dhe të ardhmes së përbashkët në integrimet euro-atlantike. Ka klimë pozitive për bashkëpunim dhe kjo do të kontribuojë në përparimin e shteteve në proëeset integruese euro-atlantike”, tha kryeministri Zaev.
Takimi i kryeministrave iu kushtua bashkëpunimit rajonal dhe planit për një zonë ekonomike, të dakorduar në korrik në Samitin në Trieste, Itali. Në takim morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjes, si dhe eurokomisari për zgjerim të BE-së, Johanes Han, dhe zv. presidenti i Bankës Botërore, Cyril Miller. /tesheshi.com/