Koalicioni paraelektoral i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq nuk ka arritur dot të kalojë 50 përqindëshin, dhe sipas gjasave do të duhet të bëjë koalicion jo komod me partitë e tjera, si me Daçiqin dhe Sheshelin.
Dhe pikërisht kjo është e dhëna më shqetësuese e zgjedhjeve të parakohshme serbe: janë zhdukur partitë e moderuara, të cilat janë për një Serbi jashtë influencës ruse, ndërkohë që kanë njohur rritje pasardhësit e Millosheviçit dhe Partia Radikale e Sheshelit.
Siç bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, Tanjug, koalicioni i Partisë Progresive Serbe, të drejtuar nga Vuçiq, ka marrë 49.9 për qind të votave, Partia Socialiste e Daçiqit ka siguruar 11.6% të tyre, e radikalët e Sheshelit janë në shifrat e 7.8 përqindëshit. Gjithë dilema është a do të futet në parlament koalicioni opozitaro-liberal i ish-presidentit Boris Tadiq, që ende nuk ka kaluar 5 përqindëshin.
Kreu i organizatës që ka mbledhur të dhënat e votimit, “Qendra për Zgjedhje të Lira”, thekson se rezultati nuk pritet të ndryshojë më shumë se 1.5%. /tesheshi.com/