Nga Blendi Gashi
Sikur të mos i mjaftojnë përplasjet që po bëhen në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, partitë kosovare çuditërisht nuk janë ndalur me kaq ku së fundmi kanë hedhur akuza mes tyre edhe për zgjedhjet që do mbahen të dielën në Gjermani, konkretisht për çështjen se cilën parti duhet të votojnë shqiptarët që jetojnë në këtë shtet.
I gjithë sherri ka nisur pas një komunikate të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje e cila u ka bërë thirrje shqiptarëve në Gjermani që të votojnë për partitë e majta, kundër partive të djathta, duke përkrahur hapur Partinë Social Demokrate (SPD) që drejtohet nga ish-presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz, e që media të caktuara (Expressi) dhe më pas të tjerat e paraqitën se VV thërret që të mos votohet partia e Unionit Kristian Demokratikit (CDU) e kancelares Angela Merkel.
“Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë). Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë. Përballë këtij rreziku, Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillimeve kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje. Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në deklaratën e VV-së e cila nuk përmend në asnjë rast CDU-në e Merkelit.
Ndaj kësaj deklarate të VV-së ka pasur reagime të shumta, nga kryeministri apo përfaqësues të partive, duke thënë se partia që drejtohet nga Visar Ymeri po del kundër kancelares Merkel që nesër synon të marrë mandatin e katërt si shefe e Gjermanisë.
Ramush Haradinaj edhe pse nuk ja ka përmendur emrin Vetëvendosje-s duke aluduar për këtë parti ka thënë “se dikush në Kosovë është renditur me ata (të majtët) që dikur ishin në krah të Sllobodan Milloshevicit, i cili kreu gjenocid ndaj shqiptarëve.
“Lëvizjet e majta kanë përkrahur Milloshevçin. Kanë hyrë borxh në adresa të gabuara. Kanë marrë përkrahje prej qendrave të gabuara”, ka thënë Haradinaj të shtunën gjatë një tubimi në Prishtinë.
PDK, LDK, AKR “pro” Merkelit
Ndërsa Vetëvendosje hapur ka shprehur përkrahjen për partinë e Martin Schulz, partitë tjera LDK, PDK, AKR kanë shprehur qëndrimin se shqiptarët që jetojnë në Gjermani duhet të japin votën “pro” Merkelit.
Zv.kryeministri njëherësh kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka thënë se nesër është ditë e rëndësishme për Gjermaninë, duke i uruar Merkelit fat.
“Nesër është një ditë e rëndësishme për Gjermaninë dhe BE. Dëshiroj më të mirën për popullin gjerman. Gjithashtu i uroj fat, kancelarës Merkel”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dal në përkrahje të Angela Merkelit dhe ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Gjermani të dalin e votojnë.
“I urojmë sukses në zgjedhjet e së dielës Unionit Kristian Demokratikit (CDU) të kryesuar nga Kancelarja Angela Merkel, si parti simotër në kuadër të Partisë Popullore Evropian (EPP), duke shprehur konsideratat më të larta për rezultatet historike që janë arritur në Gjermani si dhe përkrahjen e pazëvendësueshme që është ofruar për Kosovën dhe rajonin, nën lidershipin e Kancelares Merkel dhe CDU-së”, ka shkruar Mustafa.
Më e ashpër me Vetëvendosje-n është treguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu e cila i ka quajtur anëtarët e VV-së arrogantë, ndërsa ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për orientime majtiste.
“Arroganca e VV nuk paska kufij! Thirrja që kjo parti u ka bërë bashkëatdhetarëve në Gjermani që të votojnë partitë majtiste e jo partinë e kancelares Angela Merkel, CDU, është treguesi më i mirë i radhës i VV-së se në çfarë drejtimi do ta dërgonin Kosovën nëse ndonjëherë vijnë në pushtet.
Kosovës nuk i duhen orientimet majtiste e asesi ato majtiste ekstreme siç është VV-ja. Kosova e ka provuar socializmin dhe komunizmin dhe jemi dëshmitarë të përjetimeve të tmerrshme të asaj kohe. Kosovës i duhet punë e madhe, zhvillimi i sektorit privat që është çelës i zhdukjes së krimit dhe korrupcionit, zhvillimit ekonomik dhe zhdukjes së papunësisë. Kancelarja Merkel e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe po i bën presion të madh Vuçiçit për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Deliu.
Depuetja e PDK-së më tej thotë se thirrja e VV për të votuar majtistët e jo kristiandemokratët e Merkel është mjaft e dëmshme për zhvillimet e ardhshme në Republikën tonë.
“Bashkëatdhetarëve u bëj thirrje që votojnë me bindjen e tyre dhe mos të ndikohen nga thirrja e partisë Vetvendosje, pasi që janë ata që jetojnë në Gjermani dhe që e dinë më së miri kë duhet ta votojnë”, thuhet në reagimin e deputetes Deliu.
“Votoni partitë tradicionale, që përkrahën çlirimin e Kosovës”
Ndaj deklarimit të VV-së se duhen votuar partitë e majta, ka reaguar edhe përfaqësuesja e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, e cila kërkon nga shqiptarët të votojnë për kë të duan dhe mos të ndikohen nga thirrje të tilla.
“VV të gjitha sfidat në Kosovë i paska kryer e tani po na tregon se kë duhet të votojnë shqiptarët në Gjermani.Të dashur shqiptarë me të drejtë vote në Gjermani. Votoni kë t’jua marrë mendja, por kujdes, mos votoni partnerin e VV-së në Gjermani, partinë e majtë ‘Die Linke’. Janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiçit në Gjermani, kundërshtarët më të mëdhenj të angazhimit për Kosovën në këtë vend demokratik dhe të përparuar”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ajo më tej u bën thirrje shqiptarëve që të votojnë partitë tradicionale, ato që përkrahën ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe jo siç thotë partnerët e VV, të cilët në vitin 1999, në kohën kur bota e civilizuar kërkonte zgjidhje për Kosovën dhe qytetarët e saj, shkonin dhe takoheshin me xhelatin Millosheviç dhe përcillnin mesazhet e tij në parlamentin gjerman.
“Në fakt, edhe ky koment i imi është krejt i panevojshëm, sepse ju të gjithë këtu keni qenë dhe i keni ndjekur zhvillimet e atëhershme dhe ato të tanishmet, por ja që thirrja publike e VV ngacmon dhe të detyron mos ta përmbash veten dhe të shprehesh doemos”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
“Mos u përzieni në punët e huaja”
Gazetari i radios “Deutsche Welle”, Bahri Cani ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për përzierje në fushatën zgjedhore në Gjermani.
“Mos u përzini në punët e huaja. Nuk ka më keq se kur dikush nuk e di vendin e vet! Njëri doli njëherë dhe publikisht i lutej Zotit që në SHBA të mos fitojë Donald Trumpi. Një politikan lokal (të cilit nuk ia di as emrin) merret me parulla idiotike antisemitiste. Ndërsa partia ‘më e madhe në Kosovë’ del tani dhe vetëm dy ditë para zgjedhjeve i bën publikisht thirrje bashkëkombasve të vet, se si duhet të votojnë në Gjermani”, ka shkruar Cani në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas tij, krejt normale është që partitë simotra të ndihmohen mes vete dhe kjo thirrje e Vetëvendosjes me siguri që do t’i sjellë një grusht vota socialdemokratëve (SPD) në Gjermani, por dëmi sipas tij që mund t’i sjellë Kosovës dhe Vetëvendosjes, është shumë më i madh. Sipas Canit, SPD nuk ka kurfarë shansesh për fitore.
“Vetëvendosja dhe Erdogani janë pra të vetmit që deri tani u kanë sugjeruar bashkëkombasve të vet me të drejtë vote në Gjermani – për kë të votojnë apo kujt nuk duhet t’ua japin votën. Në Gjermani kjo nuk pritet mirë. Këtë do ta regjistrojnë edhe bashkëpunëtorët e kancelares së tanishme dhe të ardhshme të Gjermanisë. Kjo mund t’i kthehet si bumerang Kosovës dhe shqiptarëve”, ka shkruar Cani, i cili sugjeron partitë politike në Kosovë të merren me problemet në vendin e tyre.
Sqarimi i VV-së…
Megjithatë ndaj shkrimeve që bëjnë media të caktuara se Vetëvendosje doli kundër Merkel dhe akuzave më pas të partive, ka reaguar zyrtari për media i VV-së Shkodran Hoti, i cili thotë se partia e tyre ka bërë thirrje të mos votohet vetëm partia e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë – AFD për çka sipas tij pajtohet edhe Merkel dhe se media të caktuara (Expressi) janë munduar t’i japin kahje tjetër thirrjes.
“Duhet me pasë mendësi jashtëzakonisht provinciale me t’pengu thirrja e një partie në Kosovë që të votohet një parti tjetër diku në botë, me të cilën ka përputhshmëri programore.
Kumtesa e VV-së në lidhje me zgjedhjet në Gjermani, qysh në titull flet për mobilizim kundër të djathtës ekstreme atje, e cila përfaqësohet nga partia Alternativa për Gjermaninë – AFD. Kjo parti ka retorikë ksenofobe, dhe thirrja jonë është që kjo parti të mos votohet, gjë më të cilën pajtohet edhe vetë Angela Merkel. Nëse dikush është kundër thirrjes sonë që të mos votohet AFD, është avokat i kësaj të fundit.
Në anën tjetër, në këtë kumtesë kemi deklaruar përputhjen programore që ne kemi me Partinë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD), lider i së cilës është Martin Schulz, mik i madh i Kosovës që vazhdimisht ia përsërit Serbisë kushtin për njohjen e Kosovës nëse ajo e do rrugën evropiane”, thotë Hoti.
Ai më tej shprehet se edhe vetë partia e Merkelit, CDU, është në koalicion me SPD-në e Schulzit.
“Të deklarosh se përkrahje duhet të ketë vetëm për Merkelin dhe të kërkosh që pavarësisht bindjeve ideologjike duhet ta votosh vetëm CDU-në, kjo është mendësi e pastër totalitare. As Merkel nuk mendon se gjithë gjermanët apo qytetarët e Gjermanisë duhet ta votojnë vetëm CDU-në”, thotë Hoti. /tesheshi.com/