Presidenti Meta dekretoi 25 prillin si datën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit, të cilat, duhet thënë, se do jenë më delikatet në historinë e pluralizimit.
Sapo u shpall si datë, zëra nga opozita parathanë fitoren, që qartazi është një autosugjestion, i cili buron më tepër nga rregulli i derimëtani i pashkruar i rotacionit një herë në 8 vjet, sesa i një ndjenje dominante, nga ato që ndjehen në ajër, se vërtet do ketë rotacion pranverën e vitit të ardhshëm. Gjasat janë, dhe jo aq nga cilësi e pretenduar qeverisëse nga ana e mazhorancës, që kjo e fundit ta thyejë këtë rregull dhe të avancon në mandatin e tretë.
Dy janë shkaqet që kjo mund të ndodhë: e para, dobësia epike e PD-së. Që nga ekzistenca si parti, këtu e 30 vite më parë, PD ka përjetuar në 8 vite një çartafillosje e një rënie, e cila vijon të jetë pamja e vërtetë e saj. Pa asnjë vetëkritikë, pa asnjë reformë të thellë të brendshme, pa asnjë risi etike apo vizionare, me një ligjërim nga më të rëndomtët, deri dhe fyes për inteligjencën mesatare, me figura në lidership pa asnjë shkëlqim, sigurisht dhe pa asnjë frymëzim, ajo vijon të jetë në një gjendje dramatike, duke mos gëzuar as besueshmëri e as inspirim në masën e votuesve.
Kjo duket dhe nga fakti se të gjitha bateritë i ka të aktivizuara te akuza e jo idetë. E lindur për të parën, kurrë e njohur për të dytën, ajo vijon të reflektojë psiqikën e liderit të saj historik Berisha, duke mbetur njerësh peng i tij.
I vë kapak kësaj dërrma morale por dhe politike e aleancës mes LSI-në, te e cila i ka varrur shpresat për ardhjen në pushtet. Kur një parti historike si PD katandiset deri në këtë pikë, gjasat që ajo të fitojë zemra në elektorat, me votues tashmë më të sprovuar, janë tejet të pakta.
Dhe këtu është rasti të potencohet ajo që Rama i kujton hera-herës opozitës: “Mos i merrni njerëzit për budallenj”. Nuk është thjesht retorikë.
Rama mund të gjykohet mbi cilësinë qeverisëse, pra si kryeministër, por si lojtar në “shahun politik” mbetet një rival gati i pakonkurrueshëm.
Në 30 vite, edhe pse i futur 10 vjet me vonesë në garat elektorale, është kampion i tyre. Në 20 vite, ka fituar 7 gara elektorale, 5 lokale dhe dy parlamentare, si asnjë lider tjetër. Dhe ndër to, dy më të bujshmet, të cilat kanë prishur rregulla, janë: Lokalet e 2007-ës, të 2011-ës dhe Parlamentaret e 2017-ës. Në 2007, si dhe në 2011, fitoi Tiranën dhe Shqipërinë, herën e parë në kulmin e fuqisë së Berishës, dy vite pas ardhjes në pushtet, dhe herën e dytë duke patur përballë PD dhe LSI në aleancë.
Më pas, në 2017-ën, fiton pa LSI, si një provë që mund të bënte dhe pa të, pa qenë nevoja madjë ta zëvëndësojë me LSI nr.2 – PDIU.
Pra, elektoralisht, Rama ka një avantazh të sferës psikologjike, i cili është përcaktuese në një duel, kudo por dhe në politikë. Tjetra është njohja e thellë që ai ka për elektoratin nga e gjithë kjo përvojë.
Realisht, në 30 vite, vota shqiptare kurrë nuk ka gabuar; pra ai instikt i votuesit, i cili e çon aty ku duhet. Vlen kjo dhe në rastet kur këtë votë ia ka dhënë PD. Ky aspekt kurrë nuk është diskutuar ndër analiza elektorale, por që është më i rëndësishmi, më përcaktuesi, pasi lidhet me thënien “mos i merrni njerëzit për budallenj”.
Në fakt, ligjërimi opozitar i tillë është; nënvlerësues për nivelin e njerëzve. Shpjegohet kjo nga disbalanca shqetësuese mes akuzës dhe ofertës. Kjo e dyta gati s’ekziston dhe nëse shfaqet, diku në statuset e varfëra të Bashës, është thjesht periferike. Si të thuash, në 20 fjali, 17 janë akuzë dhe 3 ofertë.
Ndërsa Rama beson në instiktin e votuesit, beson se ai, në momentin që hedh votën, do i vë në kandar palët në të qindat e sekondës. Rezultati? Një fije e ndaj atë që mund të quhet zhgënjim nga qeverisja me pabesueshmërinë totale te opozita. Përvojat e deritanishme politike, jo vetëm në Shqipëri, kanë provuar se në çastin final vota shkon sërish për zhgënjimin, që së paku, në aspekt ligjërimor është më ngacmes – inspirues – se sa pabesueshmëria. Po të ishte ndryshe, PD nuk do qe kaq dramatikisht e pabesueshme.
Prova më e fundit është revolucioni i rrugës, një dështim katastrofal. Pos kësaj, Rama është profilizuar dhe si një “prishës rregullash” në politikë.
I ballafaquar si askush më parë me dy kriza – tërmeti dhe pandemie – ngjan se dhe ky disavantazh do pëkthehet si avantazh te ai.
Pra, loja është thjesht në planin psikologjik, një terren që Rama dhe aty ka aftësi si lojtar politik me përvojë. Në fund do vendosë inteligjenca instiktive e votuesit. Pra, ajo nëse është apo jo budalla!
Doni provë për këtë? Lokalet e 2007-ës. Rama arrin që fotot nudo që ia nxorri Berisha, t’i kthente një pak ditë në aset elektoral. Në kulmin e fuqisë politike së PD-së, fiton ndaj kandidatit më të fortë të saj, të ndjerit Sokol Olldashi. Fiton me rezultatin më të thellë krahasuar me rivalët paraardhës Besnik Mustafaj e Spartak Ngjela, fiton me personazh kryesor fushate jo veten por Eduart Shalsin.
Ishin tipikisht zgjedhje ku shqiptarët treguan se nuk ishin budallenj! /tesheshi.com/