Nga Blendi Gashi
Çdo ditë e më shumë po rriten zërat për zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Edhe pse kryeministri, Isa Mustafa, kohëpaskohe pohon se zgjedhjet do të mbahen në afatin e paraparë, pra në vitin 2018-të, përfaqësues të partive në pushtet PDK dhe LDK përmes deklarimeve në media nuk e mohojnë mundësinë që sivjet të shpallen zgjedhjet e parakohshme duke e parë krizës e thellë politike në të cilën gjendet vendi.
Edhe pse janë bërë disa javë që kryekuvendari, Kadri Veseli, është deklaruar për media se opozitës kosovare do t’i bëj një ofertë serioze një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Kjo ofertë nuk përjashtohet të jetë pikërisht çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, dhe pas zgjedhjeve t’ia zgjasë ‘dorën e pajtimit’, kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të ndërtuar një koalicion qeveritar dy partite e luftës, pra, PDK-AAK .
Dhe, kryekuvenari Veseli duke qenë tashmë kryetar i partisë, lehtësisht mund ta prish koalicionin me LDK-në, duke qenë në dijeni se zgjedhjet e reja do të shkonin në favor të partisë që tashmë udhëheq PDK-së, pasi sondazhet e nxjerrin si të parën, por edhe në favor të tij, sepse në rast të fitores së PDK-së, Veselit do t’i hapej rruga që të bëhej kryeministër i vendit, ndoshta ky është edhe qëllimi i tij.
Analistë politik në vend nuk e mohojnë mundësinë që Veseli është duke punuar në një strategji të tillë, për të ardhur në krye të ekzekutivit, por ka edhe të tillë që thonë se nuk është me rëndësi cili subjekt triumfon, por se duhet formuar një qeveri kalimtare për të tejkaluar krizën, pastaj të mirëorganizohen zgjedhjet në mënyrë që ato të jenë të pranueshme nga të gjitha partitë në vend.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Nexhemdin Spahiu nuk e përjashton mundësinë që ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli të prish koalicionin me LDK-në dhe ta çoj vendin drejt zgjedhjeve.
Ai thotë se skena politike në Kosovë është bërë aq e paprashikueshme sa që as ‘tradhëtitë’ që liderët politik po ua bëjnë elektoratit të tyre janë bërë krejtësisht normale.
“Loja politike në Kosovë është bërë shumë e pandershme dhe tradhëtitë janë bërë shumë normale. Dhe këtë e ka dëshmon rasti kur Isa Mustafa tradhëtoi elektoratin e vet dhe këtë mund ta bëjnë edhe politikanët e tjerë.
Ai (Kadri Veseli) nëse arrinë me përça bllokun opozitar gjërat do të shkonin në favor të tij, do ta merrte pushteitn dhe do të bënte koalicion me ndonjë parti të opozitës tij, por nëse nuk arrinë ta përçaj opozitën e bashkuar, kjo e fundit do të merrte pushtetin”, ka thënë Spahiu, për tesheshi.com.
Sipas tij, është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, që do të vendos nëse pas zgjedhjeve të parakohshme kurdo që mbahen ato, do të lidh apo jo koalicion qeverisës me PDK-në, që sipas Spahiut nuk përjashtohet mundësia që dy partitë e krahut të luftës ta marrin udhëheqjen e qeverisë për herë të parë pas luftës.
Irelevante se kush fiton zgjedhjet, zgjidhja një qeveri kalimtare
Por, politologu, Behlul Beqaj, nuk dëshiron të komentojë atë se në favor të cilit subjekt do të shkonin zgjedhjet e reja, dhe se a mund ta ketë një plan të ‘fshehtë’, Veseli për të marrë kreun e ekzekutivit kosovar.
Sipas tij është pak e rëndësishme nëse zgjedhjet i fitojnë partitë në pushtet apo ato opozitare, pasi asnjëra prej tyre thotë se nuk po kanë përgjigje për problemet e qytetarëve, siç janë, punësimi, sundimi i ligjit, cilësia në arsimi etj.
“Pra, a do të fiton PDK-ja me koalicioin e vet apo opozita është irelevante. Zgjidhja nuk është pra, në zgjedhje.
Zgjidhja është në qeveri kalimtare e cila do të bënte reforma zgjedhore, kushtetuese, do ta përgatiste klimën e mirëfilltë ku partitë politike do të garojnë pa urrejtje, pa mosbesim total që është sot, sepse rruga deri në zgjedhje, nuk është aq e thjeshtë. Ajo nënkupton se në fushatën zgjedhore do të kemi tensione të mëdha për shkak të mosbesimeve të tyre, nënkupton epilogun e njëjtë të forcave politike që do të thotë se gjërat pak a shumë mbesin të njëjta, dhe nënkupton se nëse pushteti kalon në opozitë mund ta imitojë mënyrën e reagimit të tyre që do të ishte gjë e keqe”, ka thënë politologu Beqaj, për portalin tesheshi.com.
Sipas tij edhe nëse partitë opozitare do t’i fitonin zgjedhjet, mbesin çështja e ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe qindra probleme tjera, andaj analisti Beqaj, shprehet se një qeveri kalimtare eventuale do të duhej të krijonte klimën adekuate dhe të bëj reformat politike që të mos lë vend për hasmëri por edhe ngritje të dyshimeve rreth pranueshmërisë së zgjedhjeve nga të dyja taborret.
Veseli e do postin e kryeminsitrit, si ta marr zyrtarisht kreun e PDK-së do ta çoj vendin në zgjedhje
Se zgjedhjet e parakohshme do të shkonin në favor të PDK-së, dhe se kjo parti do të triumfonte sërish, nuk ka aspak dyshim analisti politik, Faik Krasniqi, i cili bindje e tij e bazon siç thotë në opozitën e pakordinuar dhe në një LDK siç e quan dërrmuar.
“Jam i bindur që pasi edhe zyrtarisht të zgjidhet kryetar i PDK-së, Kadri Veseli do ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse synimi i tij është posti i kryeministrit. Është herët të flasim për koalicione, por kjo klasë e jona politike na kanë dëshmuar që janë të pafytyrë dhe lakmitarë të mëdhenj të pushtetit. Edhe pse PDK-në e cilësojnë si ‘armike’ dhe betohen që kurrë nuk bëjnë koalicion me këtë parti, prapës prapë shkojnë në prehrin e tyre, siç bëri LDK-ja. Madje edhe na shesin pastaj moral dhe do arsyetohen se u bën pjesë e pushtetit për hir të ‘interesave të shtetit’”, thotë analsiti Krasniqi, për tesheshi.com.
Ai thotë se opozita duhet ta ketë parasysh se pa një platformë qeverisëse, pa formimin e një fronti të madh opozitar dhe ftesë të të gjitha personaliteteve të respektuara në opinion, nuk kanë pse të shkojnë në zgjedhje, sepse rezultati do të dilte i njëjtë me PDK-në në vend të parë.
Ndryshe, PDK dhe LDK thonë se janë çdo herë të gatshme të shkojnë në zgjedhje të reja, por përkundër kësaj, edhe pse vendi gjendet në një krizë të thellë politike, shefat e këtyre partive ende nuk kanë marrë guximin që të plotësojnë kërkesën e opozitës, që t’i thërrasin në tryezë për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.