Nga Blendi Gashi
Dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje kanë shtuar zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me arsyetimin se qeveria “Haradinaj” nuk po i ka numrat për të marrë vendime në Kuvend, por edhe për siç thonë për shkak të keqqeverisjes.
Ditë më parë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi shpërbërjen e Kuvendit pasi që siç potencoi ai “shumica parlamentare nuk po i ka votat për të proceduar asnjë ligj”, ndërsa kërcënoi me bojkotim të Kuvendit.
Kurse Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media theksoi se qeveria “Haradinaj” duhet të bjerë edhe formalisht pasi që sipas tyre kjo qeveri ka rënë edhe moralisht, edhe me numra.
“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen!”, tha VV.
Ndërsa PDK në vazhdimësi deklarohet se çdo herë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe se nuk frikësohen të maten nga qytetarët, partitë tjera nuk kanë pasur ndonjë qëndrim rreth kësaj çështjeje.
Përmes këtij shkrimi mund të lexoni se cilave parti ju konvenon më shumë shkuarja në zgjedhje të parakohshme e cilave jo.
LDK-ja e Isa Mustafës…
Partisë së Isa Mustafës, LDK-së që tani është me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, padyshim se i konevojnë më së shumti mbajtja e zgjedhjeve dhe arsyeshëm kërkon që ato të mbahen sa më parë.
Kjo parti në zgjedhjet lokale të tetorit të 2017-tës doli e para në nivel vendi dhe tani prinë si grupi më i madh parlaentar në Kuvend.
Padyshim se kësaj partie i intereson që zgjedhjet parlamentare të mbahen këtë vit pasi në fillimvitin e 2019-tës, konkretisht në muajin maj i ka zgjedhjet e brendshme partiake dhe duke ditur se disa figura synojnë kreun e partisë si Lutfi Haziri, Agim Veliu, dhe nuk përjashtohet as shefi i grupit parlamentar Avdullah Hoti e deputetja Vjosa Osmani, rrezik një çarje të re që do i shkaktonte pasoja të mëdha dhe do ja pamundësonin ardhjen në pushtet.
LDK i do zgedhjet sivjet pasi beson se mund të dalë e para pas përçarjes së Vetëvendosjes dhe duke ditur se PDK këtë vit është e fokusuar edhe te zgjedhjet e brendshme partiake.
PDK-ja e Veselit …
Edhe pse s’ka ende një qëndrim nga krerët e kësaj partie lidhur me zgjedhjet e reja, kjo parti çdo herë thotë se është gati dhe beson se do dalë e para.
Edhe PDK-së së Veselit i konvenon shkuarja në zgjedhje të reja pasi tashmë nuk e ka frikën se Vetëvendosje mund të dalë e para, pas përçarjes që ndodhi në këtë suubjekt dhe së fundmi ndarjes zyrtare.
PDK mund të përfitojë jo pak vota të humbura nga zgjedhjet e kaluara dhe padyshim se do jetë në një “luftë” të madhe me LDK-në për të dale e para, gjithmonë nëse garojnë si parti të vetme, pa lidhur ndonjë koalicion parazgjedhor që nuk përjashtohen assesi me parti të vogla.
PDK vështirë se mund të lidhë sërish koalicion parazgjedhor me AAK-në e NISMA-n pasi po i tkurret lista për deputet dhe shumë figura të njohura të partisë po mbesin jashtë dhe sigurisht mos garimi i tyre ndikon edhe në numër të votave brenda vet subjektit.
Kjo parti edhe pse mban zgjedhjet e brendshme partiake për dallim nga LDK nuk pritet të ketë “luftë” të ashpër për pozitën e kryetarit që mund ta përçanin pasi Kadri Veseli është i pakontestueshëm në parti dhe mund të tërhiqet vetëm nëse dëshiron vet. Por kjo nuk pritet të ndodhë pasi ai zgjedhjet e reja kurdo që mbahen ato, pritet të jetë sërish kandidat për kryeministër me synimin që këtë herë të realizojë ëndrrën dhe të mos tërhiqet, siç bëri herën e fundit kur u pajtua që kandidat për kryeministër të jetë Ramush Haradinaj.
Lëvizja Vetëvendosje…
Pas përçarjes mund të thuhet se me të drejtë kjo parti kërkon mbajtjen e zgjedhje të reja, pasi është në opozitë dhe synon ardhjen në pushtet, por njëkohësisht dëshiron të matet pa krahun anti-Molliqaj e Ymiri, për çka beson se do të dalë triumfuese, gjë që e kanë thënë edhe vet në një kumtesë për media, pasi të pakënaqurit e VV-së formuan Grupin e Pavarur të Deputetëve.
Megjithatë VV assesi nuk mund të arrijë rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit të 2017-tës kur siguruan 32 deputetë, kur ishin ende të bashkuar.
Zgjedhjet e reja pritet të tregojnë nëse kjo parti do arrijë më shumë se 19 deputet sa ka tani, apo do befasojë për të mirë duke marrë numër më të madh.
Edhe pse pakënaqësitë ndaj PDK-së e LDK-së që qeverisën për vite vendin janë jo të vogla, VV vështirë se mund të kalojë këto dy parti pasi ikja e grupit Molliqaj do e dëmtojë paksa.
Kjo parti ka gjasat më të mira të hypë për herë të parë në pushtet, nëse LDK del si parti e parë dhe vendos të lidh koalicion me vetëvendosësit e jo me PDK-istët, siç nën rëndom për të “mirën e vendit”, në të kundërtën gjasat janë më pak shpresëdhënëse.
Të pakënaqurit e VV-së – Grupi i Deputetëve të Pavarur
Krahu anti-Kurti, i kryesuar nga Dardan Molliqaj e Visar Ymeri që së fundmi u ndanë edhe zyrtarisht nga VV duke formuar grupin e pavarur parlamentar me gjithësejt 12 deputet, nuk është se i konvenon aq edhe mbajtja e zgjedhje të reja, duke pasur parasysh se ende nuk kanë formuar një parti. Edhe nëse e formojnë në ditët në vijim ju duhet kohë të shtrihen në mbarë vendin dhe të mobilizojnë strukturat dhe të fitojnë sadopak besimin qytetarë.
Padyshim se ky grup e ka të pamundur kur të garon si parti në zgjedhje të marrë 12 deputet. Suksesi më i madh i tyre do ishte kalimi i pragut prej 5 %, por koha ka treguar se partitë e reja vështirë se kanë arritur këtë gjë. Pra ky grup lehtësisht mund të përfundojë në një koalicion parazgjedhor me LDK-në, AAK-në apo NISMA-n nëse e sheh se nuk arrinë të mobilizojë masën.
AAK-ja e Ramushit…
Zgjedhjet më së paku do i konvenon AAK-së së Ramush Haradinajt. Arsyeja është e qartë se pas disa vitesh opozitë tashmë është në pushtet dhe liderin e kanë kryeministër.
Vet Haradindaj mund të jetë i vetëdijshëm se nuk do ketë një herë të dytë që PDK do e bën kryeministër. Andaj edhe pse AAK doli mjaftë mirë në zgjedhjet lokale ku theu rekord duke marrë qeverisjen në 10 komuna, do mundohet të rrijë sa më gjatë në pushtet, pasi kështu e forcon dhe më tej partinë.
Përndryshe nëse veç mbahen zgjedhjet e parakohshme këtë vit, rezultati më i mirë që mund të nxjerrte AAK nëse garon e vetme do ishte dalja si parti e katërt në vend.
Nuk përjashtohet në asnjë rrethanë që kjo parti të lidhë sërish koalicion me NISMA-n Socialdemokrate, dhe siç e cekëm me grupin anti-Kurti.
NISMA e Limajt…
Edhe NISMA-s Socialdemokrate të Fatmir Limajt nuk i konvenon aspak shkuarja në zgjedhje të reja. Arsyeja e njëjtë si për AAK-në, do mundohet të forcojë parinë sa më tepër duke qenë në pushtet.
Limaj së fundmi nga jo pak analist politikë është cilësuar si një politikan i pjekur dhe që po kontribuon për zgjidhjen e temave të ndjeshme si Demarkacioni me Malin e Zi, por varet sa do përkthehej kjo në vota.
NISMA nëse shkon si e vetme mund ta arrijë të kalojë pragun prej 5 % pasi tashmë është shtrirë në krejt vendin, po merr figura të reja dhe bashkëqeverisë në disa komuna çka mund t’ia sigurojnë votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.
Megjithatë mbetet të shihet në zgjedhjet e reja kurdo që mbahen nëse Limaj dhe partia e tij do kenë guximin të garojnë të vetme apo do lidhin sërish koalicion parazgjedhor me AAK-në apo grupin anti-Kurti për t’i mos i lënë asgjë rastësisë.
AKR-ja e Pacollit dhe Alternativa e Mimozës…
Kësaj partie nuk i konvenon aspak shkuarja në zgjedhje pasi në qeverinë aktuale është mjaft e përfaqësuar, ku Behgjet Pacolli mban postin e zv.kryeminsitrit dhe ministrit të Jashtëm kurse Albena Reshitaj postin e ministres së Mjedisit, si dhe disa poste zv.ministrash.
Kjo parti nga zgjedhjet e fundit që ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-në sigurojë tre deputet në këtë legjislaturë, por që Korab Sejdiu ju largua duke dale e pavarur dhe Labinot Tahiri ka parlajmëruar largimin së shpejti duke lënë të vetëm Islam Pacollin.
Duke parë se nuk po arrinë të stabilizohet si subjekt pasi po i ikin çdo herë figurat, AKR nuk pritet të garojë e vetme pasi rrezikon të mos kalojë pragun prej 5%, por me gjasë do lidh koalicion parazgjedhor me ndonjë nga partitë më të mëdha.
Kurse Alternativës së Mimoza Kusari-Lilës mund të thuhet se i konvenojnë zgjedhjet vetëm nëse llogaritet si parti opozitare ku funksionin kuadër të grupit parlamentar të LDK-së, por në anën tjetër nuk është që mund t’i interesojnë a shumë pasi vet Kusari-Lila dhe Ilir Deda janë deputet.
Kjo parti e vogël si edhe në zgjedhjet e kaluara të qershorit edhe në zgjedhjet e parakohshme eventuale pritet të lidhë sërish koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe të sigurojë të paktën këto dy ulëse në Kuvend dhe nëse marrin pushtetin të përfitojnë ndonjë pozitë tjetër. /tesheshi.com/