Lidhja Demokratike e Kosovës e Vetëvendosje kanë vendosur një status të “ngrirjes së bashkëpunimit” deri sa të mbarojë i gjithë numërimi i votave.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së ka thënë se kanë diskutuar për koalicionin e mundshëm me VV-në, por, për një gjë të tillë do të vendoset vetëm pasi që të numërohen krejt votat.
“Sot në kryesinë e LDK-së, diskutuan edhe njëherë faktin që kemi një rezultat mjaft të ngushtë me VV-në pra jemi 50:50, atëherë po presim certifikimin e rezultateve finale nga KQZ-ja, duke mos përjashtuar edhe 45 mijë vota nga mërgata me kusht e të personave me aftësi të kufizuara, prandaj negociatat do t’i zhvillojmë në momentin kur do të numërohen votat.
“Zhvillimi i negociatave do të bëhet në momentin kur të dalin rezultatet. Rezultatet presim që të certifikohen sa më parë, në momentin e parë do të kemi takim për koalicion. Do të presim certifikimin e rezultateve në momentin që kemi rezultatin final, pavarësisht se kush del partia e parë ne do ta respektojmë vullnetin. Sot ne kemi diskutuar fakti që kemi një rezultat të ngushtë, nëse përpjesëtohet me dy kemi më pas se 2.500 vota dallim. Takimi i radhës do të jetë vetëm pas certifikimit të rezultateve”, ka thënë ai.
LDK dhe VV kishin paraparë që sot të angazhonin grupe punuese për të biseduar për koalicionin e mundshëm pas zgjedhor. /tesheshi.com/