Festivali i pranverës në Mosul u mbajt këtë javë për herë të parë që nga viti 2003 – vit i pushtimit të drejtuar nga amerikanët që rrëzoi diktatorin Saddam Hussein.
Organizatorët thanë se e kanë risjellë festivalin për të simbolizuar rilindjen e qytetit të dytë më të madh të Irakut. Pjesa më e madhe e qytetit mbetet në rrënoja pas luftës së vitit të shkuar për të shkatërruar ekstremistët, që e quanin veten ISIS, dhe entitetin e krijuar prej tyre që e deklaruan kalifat.
Festivali i pranverës u duk të ishte sukses. Studentët e artit pikturuan murale të gjata që përfaqësonin gjithçka, që nga xhamia historike al-Nuri – e shkatërruar nga ISIS – deri tek fabrikat lokale të çimentos që me gjasa tashmë punojnë në funksion të plotë. Të rinjtë marshuan me flamujt e Irakut.
Vajzat e reja morën pjesë të veshura si nuse ndërsa djemtë ishin veshur si ushtarë. Pas tyre ishin luftëtarët e vërtetë, veteranët e luftës kundër militantëve, që nga njësitë e elitës së ushtrisë irakiane e deri tek vullnetarët me pamje të ashpër shiitë nga njësitë e mobilizimit popullor të njohura si Hashd.
Kjo pranverë mund të jetë sezoni i rilindjes për Mosulin dhe krejt Irakun. Mbetjet e militantëve kryejnë sulme dhe shpërthime, por nisur nga standardet e përgjakura të këtij vendit, siguria është mjaft e përmirësuar.
Dhe shumë gjëra mbeten për zgjedhjet që pritet të zhvillohen më 12 maj.
Kushdo që do të përfundojë si kryeministër, përballet me sfida të jashtëzakonshme, jo vetëm të rindërtimit, por edhe të unitetit të vendit dhe ndërmarrjes së hapave të mëdhenj për ta ndaluar Irakun të rikthehet pas në luftë civile sektariane.
Që të ndodhë kjo, zgjedhjet duhet të prodhojnë një qeveri që të ketë besimin e të gjitha grupimeve në Irak. Në një vend që ka parë kaq shumë vrasje sektariane, ky është një bilanc i vështirë për t’u arritur.
Irakianët mund të votojnë për lista rivale kandidatësh. Pjesa më e madhe janë me dominim shiit ose suni, edhe pse kurdët po ashtu kanë listat e tyre. Të tre kandidatët që kanë gjasa për kryeministër janë të gjithë shiitë.
Kryeministri aktual, Haidar al-Abadi kryeson listën Nasr, që pritet të marrë shumicën e votave. Por sipas sistemit irakian, ai nuk do të jetë në gjendje të formojë shumicë qeverisëse, që do të thotë se duhet të ketë negociata për një koalicion që mund të zgjasin me muaj.
Pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se rivali më serioz i Abadi për kryeministër është komandanti veteran i para-ushtarakëve, Hadi al-Amiri. Ai kryeson listën Fatah, që është shndërruar në shtëpinë politike të luftëtarëve shiitë të Hashd dhe mbështetësve të tyre.
Amiri, dhe Fatah besojnë se populli irakian do të shfaqë mirënjohjen e vet për sakrificat e njësive Hashd në luftën kundër militantëve të ISIS.
Kandidati i tretë rival është Nouri al-Maliki, ish-kryeministër. Ai u detyrua të largohej nga detyra në vitin 2014, pasi ISIS mori kontrollin e Irakut, duke zënë Mosulin dhe territore të gjera me shumicë sunite.
Politikat sektariane të Maliki i larguan aq shumë sunitët, saqë fillimisht, shumë prej tyre mirëpritën ekstremistët. Brutaliteti i ISIS shpejt ua ndryshoi mendjen, por në këtë kohë, ata kishin deklaruar kalifatin e tyre.
E kaluara e Maliki me gjasa do të thotë se ai nuk mund të jetë kryeministër. Por ai është i fuqishëm dhe mund të dëshirojë të jetë përcaktues.
Iraku ka nevojë për lajme të mira pas kaq shumë vjetësh vuajtje të patregueshme dhe këto zgjedhje, sipas optimistëve, mund të jenë një pikë kthese. Skenari më i ndriçuar është që Haidar al-Abadi do të fitojë një mandat të dytë dhe më pas do të punojë fort për të sheshuar ndasitë midis sekteve në Irak. Mbarëvajtja e ekonomisë do të ndihmonte shumë.
Por, ky është Iraku, plot me armë, konflikte dhe hakmarrje, kështu që rreziqet janë gjithnjë të pranishëm.
Sunitët janë nervozë për luftëtarët Hashd dhe liderin e kandidatin e tyre, Amiri. Ai është shumë i lidhur me homologët e tij shiitë në Iran, që për të përbën një aleancë tërësisht natyrale.
Ai po ashtu, i bën iranianët, përmes miqve që kanë në njësitë Hashd, forcën më të fortë të huaj në Irak.
Amerikanët kanë trupa në Irak, po ashtu. Pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të braktisur marrëveshjen bërthamore me Iranin, ka terren të dukshëm për telashe.
Iraku është i brishtë nga tronditjet që pësoi prej pushtimit të vitit 2003.
Nëse këto zgjedhje prodhojnë një rezultat që do ta pranojnë pjesa më e madhe e irakianëve, dhe një qeveri, të cilën pjesa më e madhe nuk do ta kenë me frikë, ky vend ka një mundësi për rindërtim dhe pajtim. Por, trishtueshëm, fakt është që kjo nuk ka siguri.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/