Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot zërave nga opozita dhe shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, që kanë paralajmëruar protesta për të bllokuar votimin e Gramoz Ruçit në postin e kryetarit të Kuvendit.
E ndërsa i ka cilësuar ish-të përndjekurit si një shtresë e respektueshme që s´kanë lidhje me zërat që financohen, Rama ka pasur një mesazh edhe për disa nga demokratët që janë shprehur pro protestave.
“Kush ndjehet i provokuar nga zgjedhja e Gramozit dhe s’është ndjerë me Saliun 27 vjet, për mua është thjesht një hipokrit që s’meriton asnjë respekt. Kaq e thjeshtë është kjo histori.
Vazhdimi i kësaj marrëzie edhe në nivelin e opozitës me komunizma dhe antikomunizma, kur jemi në 2017, ose është vetëm shprehje e boshllëkut të madh që PD duhet ta mbushë me vizionin për të ardhmen me programin për të qenë një alternativë, me sfida për t’u përballur me konkurrentin që jemi ne, ose është një budallëk i madh”, tha Rama. /tesheshi.com/