Vendimi i autoriteteve turke për rikthimin në xhami të Hagia Sophia-s provokoi shumë reagime në botë, kryesisht negative, ku përfshiheshin dhe ato në Rusi, qendër e ortodoksisë lindore.
Zv.Ministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko tha se vendi i tij ndjente keqardhje për vendimin, ndërsa kreu i departamentit të Kishës Ortodokse Ruse për marrëdhëniet e jashtme, Mitropoliti Hilarion, tha gjithashtu se ndjente trishtim për vendimin e autoriteteve turke.
Por Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, shpjegoi se shndërrimi i Hagia Sophia-s nga një muze në xhami, ashtu siç ka shërbyer për 5 shekuj, gjithashtu ka një anë të mirë për bashkatdhetarët e tij.
“Hyrja në Hagia Sophia do të bëhet e lirë duke ndryshuar statusin e saj, kështu që turistët rusë do të përfitojnë në këtë drejtim. E them sinqerisht: biletat për Hagia Sophia ishin mjaft të shtrenjta,” tha Peskov në një intervistë me një stacion radio në Moskë, duke shtuar se nuk ka asnjë arsye pse të krishterët nuk duhet të vazhdojnë të vizitojnë ngrehinën e famshme. /tesheshi.com/