Një pjesë e panjohur më parë e tekstit biblik, e shkruar më shumë se 1500 vjet më parë, mund të zbulojë se si teksti fetar ka ndryshuar gjatë shekujve, thonë ekspertët.
Teksti i ri përmban pjesë të Ungjillit të Mateut, vargjet 11-12 të Dhiatës së Re, dhe është shkruar në gjuhën e vjetër siriane, si dhe sjell më shumë detaje se teksti standard i Ungjillit.
Shkencëtarët zbuluan vargun shtesë pasi panë një dorëshkrim të historive dhe himneve të lashta të krishtera nga Biblioteka e Vatikanit nën dritën UV.
Teksti u gërvisht nga pergamena, një praktikë e zakonshme në mënyrë që teksti i ri të mund të shkruhej mbi të, por teksti la gjurmë që mund të zbuloheshin me dritë UV, raporton Daily Mail.
Dr. Garrick Allen, një lektor në studimet e Dhiatës së Re në Universitetin e Glasgow, tha se zbulimi ofron njohuri për përkthimet e hershme të Biblës.
“Ky zbulim është shumë interesant, por jo revolucionar, sepse pjesët e sapoidentifikuara të tekstit janë vetëm pjesë fragmentare të Mateut 11-12,” tha Dr. Allen.
“Përkthimi në gjuhën siriane i Biblës është i rëndësishëm në vetvete si një nga përkthimet më të hershme nga greqishtja. Ai na jep njohuri për fazat më të hershme të tekstit të Biblës dhe komunitetet që i bënë ato përkthime.”
Justin Brierley, një shkrimtar i krishterë dhe prezantues i radios, e quajti zbulimin “magjepsës”.
“Zbulimi i këtij fragmenti të ri të kopjes siriane të ungjijve është një shembull tjetër se sa e pasur ka qenë tradita e dorëshkrimeve të Dhiatës së Re gjatë shekujve,” tha ai. “Është gjithashtu magjepsëse të vërehen ndryshimet në disa nga fjalët e Ungjillit të Mateut në krahasim me versionin e tekstit që përdorim sot.”
“Unë shpesh ndeshem me kritikë që vënë në dyshim nëse Bibla ka ndryshuar me kalimin e kohës, por shkenca e kritikës tekstuale, e ndihmuar nga zbulime si këto, i ndihmon historianët të krijojnë një pamje të saktë të asaj që thoshin tekstet origjinale.”
Profesori Hugh Houghton i Departamentit të Teologjisë dhe Fesë në Universitetin e Birminghamit e quajti atë një “zbulim të vërtetë dhe të rëndësishëm”.
“Deri para disa vitesh, ne dinim vetëm dy dëshmitarë dorëshkrime të përkthimit të Ungjillit në gjuhën siriane të vjetër, dhe tani kemi katër,” tha ai.
“Vlera e përkthimeve të hershme është se ato janë bërë nga dorëshkrime greke që nuk kanë mbijetuar dhe mund të ofrojnë disa nga provat e para të leximeve të caktuara. Zbulimi është i rëndësishëm për të krishterët sepse provat nga ky dokument do të përfshihen në botimet e Dhiatës së Re greke dhe do të përdoret nga redaktorët për të rindërtuar një formë të mëparshme të tekstit. Duke pasur parasysh se sa pak dorëshkrime nga shekujt e parë kanë mbijetuar, të gjitha pjesët janë të mirëseardhura në rindërtimin e enigmës së historisë së tekstit.”
Dr. Peter Williams nga Fakulteti Teologjik i Kembrixhit tha: “Është një zbulim emocionues. Ekipi që e zbuloi këtë ka bërë një punë të shkëlqyer.”
Përshkrimi më i detajuar
Teksti i ri u zbulua nga Grigory Kessel i Akademisë Austriake të Shkencave, i cili ende nuk ka nxjerrë një përkthim të plotë të shkruar në sirianishten e vjetër, por ka dhënë disa detaje.
Në versionin grek të kapitullit të 12-të të Ungjillit të Mateut, vargu i parë thotë: “Në atë kohë Jezusi po kalonte nëpër të mbjellat të shtunën. Dishepujt e tij ishin të uritur dhe filluan të këpusin kallinj dhe të hanin.”
Një përkthim më i detajuar në gjuhën siriane thotë: “…ata filluan të mbledhin kallinj, t’i fërkojnë me duar dhe t’i hanë”.
Teksti fillestar u shkrua rreth shekullit të tretë, por u fshi në Palestinë nga një skrib – një njeri që kopjoi tekste para shpikjes së shtypshkronjës. Kjo ishte një praktikë e zakonshme, sepse letra, d.m.th një bllok shkrimi, i bërë nga lëkura e kafshëve ishte i rrallë dhe përdorej vazhdimisht. Shkrimi mbi tekstin e gërvishtur quhet palimpsest – një dorëshkrim me shtresa të shumta teksti.
Përdorimi i dritës UV është bërë i popullarizuar në mesin e shkencëtarëve që shpresojnë të zbulojnë dokumente sekrete, pasi teksti i fshehur thith dritën dhe shkëlqen në kaltërosh kur ekspozohet ndaj dritës UV.
Teksti i fshehur mund të shihet sepse pergamena është e njomur me bojë dhe sado shpesh të ripërdoret, shkrimet origjinale janë ende të ngulitura në letër.
“Teksti i Ungjillit është i fshehur në kuptimin që kopja e Ungjillit në pergamenë nga fillimi i shekullit të 6-të u ripërdor dy herë dhe sot tre shtresa shkrimi – siriane, greke dhe gjeorgjiane – mund të gjenden në të njëjtën faqe,” tha Grigory Kessel i Akademisë Austriake të Shkencave.
Përkthimi sirian i vjetër i shkrimeve të shenjta u quajt “Peshitta” dhe u bë përkthimi zyrtar i përdorur nga Kisha Siriane në shekullin e pestë.
Kessel dhe kolegët e tij thanë se pergamena u ripërdor për herë të parë për Apophthegmata patrum në greqisht, e përkthyer si “Thëniet e Etërve të Shkretëtirës” – duke iu referuar hermitëve të hershëm të krishterë që jetuan një jetë asketike në shkretëtirën egjiptiane rreth shekullit të 3-të dhe përfundimisht formuan monastizmin e krishterë.
Apophthegmata patrum është një koleksion prej më shumë se 1000 tregimesh dhe thëniesh të tyre dhe daton nga fundi i shekullit të pestë dhe fillimi i shekullit të gjashtë.
Përkthimi në gjuhën siriane është shkruar të paktën njëqind vjet përpara dorëshkrimeve më të vjetra greke të mbijetuara, duke përfshirë Codex Sinaiticus – një dorëshkrim i krishterë i shekullit të 4-të i Biblës Greke.
Dr. Nic Baker-Brian i Fakultetit të Historisë, Arkeologjisë dhe Fesë të Universitetit të Kardifit e quajti tekstin e ri një “zbulim të jashtëzakonshëm” dhe tha se rëndësia e tij qëndron në numrin e vogël të varianteve.
“Ekzistenca e këtij teksti duhet t’u kujtojë të krishterëve modernë historinë dhe natyrën e larmishme të fesë së tyre.”, tha ai.
Përkundër këtij realiteti “magjepsës” me Biblën, me Kur’anin, librin e fundit të shenjtë zbritur nga Zoti, ndodh e kundërta: është unik, i pandryshuar, siç ka zbritur dhe në gjuhën që ka zbritur – arabishten. Dhe kjo është një prej treguesve të krenarisë muslimane, të cilët i referohen një libri ku s’është futur dorë njerëzore dhe ku Zoti në vetën e parë jep garanci se kjo nuk do ndodhë kurrë.
Në këtë aspekt, në Islam ndryshe arsyetohet se nëse të hebrenjtë apo të krishterët duan të dinë se ku mund ta gjejnë origjinalin e librave të tyre të shenjtë, atë e kanë në Kur’an. /tesheshi.com/