Një avion Boeing 777-200LR, i kompanisë ajrore Qatar Airways, ka mbërritur këtë të hënë në Okland të Zelandës së Re, duke kryer fluturimin më të gjatë civil pa ndalesë.
“Ne kemi zbritur zyrtarisht në Okland,” u shkrua në faqen e kompanisë ajrore në Twitter, duke lajmëruar përfundimin me sukses të fluturimit nga Doha për në Okland.
Fluturimi maratonë zgjati 16 orë e 23 minuta, pasi përshkoi një distancë prej 14.535 kilometrash.
Dhjetë zona kohore e pesë shtete u kaluan në një fluturim të kryer nga katër pilotë e 15 punonjës të shërbimit.
Ministri i Tregtisë i Zelandës së Re, Todd McClay, deklaroi me inaugurimin e kësaj linje fluturimi se ajo do t’i jepte shtysë tregtisë e turizmit.
Kompania ajrore Emirates do ta pretendonte më herët, në marsin e vitit të shkuar, fluturimin më të gjatë civil pa ndalesë, nga Dubai për në Okland të Zelandës së Re, një fluturim që do të përshkonte një distancë prej 14.200 kilometrash. /tesheshi.com/