Ndryshojnë tarifat e përmbarimit gjyqësor privat. Kjo përcaktohet në udhëzimin e ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi dhe ministres së Fiinancave, Helga Vukaj, që tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas udhëzimit, tarifat për shërbimin përmbarimor privat do të pësojnë një rritje.
Në udhëzimin e ri është futur nocioni i tarifës fikse, e cila është është pagesa që arkëton përmbaruesi gjyqësor privat për fillimin e procedurave të ekzekutimit dhe kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale deri në ekzekutimin përfundimtar të titullit ekzekutiv.
Qëllimi i udhëzimit
Ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë udhëzojnë si më poshtë subjektet përmbaruese në një procedurë të ekzekutimit të titujve ekzekutivë me synimin:
përmirësimin e punës në llogaritjen dhe dokumentimin e tarifave dhe shpenzimeve procedurale, që parapaguhen nga pala kreditore/ kërkuese dhe/ose përballohen nga subjekti përmbarues sipas dispozitave ligjore, nënligjore apo tarifave në fuqi;
shmangien e problemeve të evidentuara në praktikën e zbatimit të ligjit;
garantimin e pagimit të tarifave dhe shpenzimeve procedurale si detyrim i palës debitore ose subjektit ndaj të cilit janë kryer veprime përmbarimore nga një subjekt përmbarues;
garantimin e përllogaritjes dhe pagimin e tarifave dhe shpenzimeve procedurale si detyrim të ekzekutimit të titullit ekzekutiv brenda një afati të arsyeshëm;
përcaktimin e çështjeve thelbësore të aspektit financiar, kontraktual dhe fiskal të procedurës së ekzekutimit të titujve ekzekutivë sipas Kodit të Procedurës Civile, duke parashikuar aspektet në lidhje me detyrimet financiare; subjektet që duhet të paguajnë tarifat dhe/ose shpenzimet; kuotat/kuantifikimin e detyrimeve; bazueshmërinë sipas së cilës vendosen detyrimet përkatëse.
Skema e tarifave
Udhëzimi përcakton se skema apo përllogaritjes së tarifave reflekton kostot e shkaktuara, direkt ose në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, në ofrimin e shërbimeve të ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Kostot e shërbimeve të ekzekutimit të titujve ekzekutivë duhet të financohen me anë të tarifave fikse të vendosura mbi kërkuesit ose përfituesit e shërbimeve. Skema e tarifave ofron transparencë dhe njëkohësisht eficiencë shërbimi, mbi bazat e kostos dhe përfitueshmërisë së rezultatit të pritshëm.
Përllogaritja e shpenzimeve procedurale gjatë ekzekutimit synon mirëpërcaktimin e çdo shume (edhe minimale), me qëllim dhënien e garancive financiare për subjektet përmbaruese.
Tarifa fikse e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat
Tarifa fikse është pagesa që arkëton përmbaruesi gjyqësor privat për fillimin e procedurave të ekzekutimit dhe kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, deri në ekzekutimin përfundimtar të titullit ekzekutiv.
Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume dhe/ose pagim detyrimi, përllogaritet si më poshtë:
Tabela e tarifave fikse përmbarimore në (ALL) dhe (%) sipas vlerave të detyrimit:
Vlera e detyrimit nga … ALL deri në … | Tarifa fikse (në lekë ose në përqindje mbi |
ALL | vlerën e detyrimit) |
1 – 100,000 | 15,000 lekë |
100,001 – 300,000 | 22,000 lekë |
300,001 – 500,000 | 30,000 lekë |
500 001 – 2 000 000 | 10 % |
2 000 001 – 5 000 000 | 8 % |
5 000 001 – 10 000 000 | 7 % |
10 000 001 – 30 000 000 | 6 % |
30 000 001 – 90 000 000 | 4 % |
mbi 90 000 000 | 3 %, por jo më shumë se 15 milionë lekë |
Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim jomonetar dhe të pavlerësueshëm, përllogaritet në varësi të objektit të ekzekutimit si më poshtë:
Për reklamimin e një sendi të luajtshëm ose të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore.
Për lirimin dhe vënien në posedim të një sendi të paluajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 5 pagave bazë minimale mujore, kur sendi nuk ka një vlerë monetare të përcaktuar për çmimin e shitjes sipas të dhënave nga regjistri i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, apo sipas vlerësimit të një eksperti të pavarur të caktuar nga gjykata dhe/ose përmbaruesi gjyqësor privat. Në rast se sendi i paluajtshëm ka një vlerë referuese për çmimin e shitjes së tij sipas të dhënave te Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo sipas vlerësimit të ekspertit, atëherë tarifa fikse përllogaritet në përqindje mbi vlerën e sendit, sipas tabelës së treguar në pikën 2 të këtij seksioni.
Për vënien në posedim të sendit të luajtshëm, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 3 pagave bazë minimale mujore kur sendi nuk ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes. Në rast se sendi i luajtshëm ka një vlerë të përcaktuar për çmimin e shitjes në dokumentacionin e regjistruar apo ka një vlerë të përcaktuar për të cilën ky send është regjistruar si barrë siguruese, atëherë tarifa fikse do të përllogaritet në përqindje sipas tabelës së parashikuar në pikën 2 të këtij seksioni.
Për marrjen e fëmijës dhe lejimin e së drejtës së vizitës, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 1 pagë bazë minimale mujore, ndërsa tarifa fikse që lidhet me ekzekutimin e masës së pensionit ushqimor, i referohet një vlere që përcaktohet në tabelën e treguar në pikën 2 të këtij udhëzimi.
Për organizimin dhe shitjen e sendit në ankand, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore.
Për zbatimin e një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv me objekt të pavlerësueshëm, nëpërmjet të cilit debitori duhet të përmbushë një detyrim të caktuar, vlera e tarifës fikse përllogaritet në masën e 3 pagave bazë minimale mujore.
Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv është vendim i gjykatës për sigurimin e padisë, përllogaritet si më poshtë:
Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është deri në 500 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me gjysmën e pagës bazë minimale mujore.
Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 500 000 lekë deri në 2 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 1 pagë bazë minimale mujore.
Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 4 paga bazë minimale mujore.
Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 5 000 000 lekë deri në 10 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 5 paga bazë minimale mujore.
Nëse vendimi për sigurimin e padisë përmban një detyrim monetar dhe vlera e padisë është më shumë se 10 000 000 lekë, tarifa është një shumë e barabartë me 7 paga bazë minimale mujore.
Nëse vendimi për sigurimin e një padie përmban një detyrim jomonetar ose vlera e padisë nuk është e përcaktuar, tarifa e subjektit përmbarimor është një shumë e barabartë me një pagë bazë minimale mujore.
Nëse një vendim për sigurimin e padisë ka të bëjë me një pretendim monetar dhe jomonetar, normat e tarifave përkatëse merren në total.
Në rastin e ekzekutimit të një vendimi për sigurimin e padisë ose me revokimin e tij, tarifat e subjektit përmbarimor paguhen nga personi që ka kryer kërkesën për zbatimin e masës për sigurimin e padisë.
Vlerës së tarifës fikse të përllogaritur nga përmbaruesi gjyqësor sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij seksioni, në momentin e faturimit i shtohet TVSH-ja sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Tarifa fikse e përllogaritur sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij seksioni parapaguhet nga kreditori në llogarinë bankare të përmbaruesit gjyqësor privat në momentin e nënshkrimit të kontratës së shërbimit përmbarimor prej subjektit përmbarues dhe në fund të ekzekutimit i ngarkohet debitorit ose personave të barazuar me të.Nëse kreditori/kërkuesi nuk parapaguan vlerën e tarifës fikse, përmbaruesi gjyqësor privat nuk fillon veprimet procedurale për ekzekutimin e titullit ekzekutiv.
Në këtë rast, subjekti përmbarues i kthen kreditorit/kërkuesit dokumentet ligjore të administruara prej tij, brenda një afati 15-ditor nga momenti kur konstatohet mospërmbushje apo refuzim në kryerjen e pagesës së tarifës fikse përmbarimore. Parapagimi i tarifës fikse përmbarimore nuk kërkohet në rastet kur kreditori është përjashtuar nga dispozitat ligjore që rregullojnë fushën e ekzekutimit të detyrueshëm.
Përjashtohen nga parapagimi i tarifës fikse të shërbimit përmbarimor privat:
Një person fizik që paraqet për ekzekutim një vendim të marrë gjatë procedimit gjyqësor, ku personi ka qenë plotësisht ose pjesërisht i çliruar nga pagesa për ndihmë juridike ose pagesa e një tarife shtetërore, për shkak të paaftësisë paguese;
Një person fizik që paraqet për ekzekutim një vendim të marrë gjatë procedimit penal me të cilin shlyhet një detyrim për kompensim të një dëmi të shkaktuar personit fizik në një vepër penale;
Pala kreditore që paraqet për ekzekutim një vendim përfundimtar të Gjykatës Administrative, sipas legjislacionit në fuqi “Për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
Pala kreditore që paraqet për ekzekutim titullin ekzekutiv të “Dënimit me gjobë sipas vendimit për kundërvajtjen administrative”, të nxjerrë në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi “Për kundërvajtjet administrative”.
Tarifa fikse e përllogaritur sipas këtij seksioni, si rregull i ngarkohet palës debitore dhe personave të barazuar me të dhe arkëtohet pas ekzekutimit tërësor të detyrimit që përmban titulli ekzekutiv ose në proporcion me vlerën e detyrimit të ekzekutuar. Përjashtim nga ky rregull zbatohet për rastet e parashikuara nga shkronjat (a)(b)(c) dhe (e) të pikës 3 të këtij seksioni, pasi këto tarifa i ngarkohen një personi të tretë, i cili si kërkues apo përfitues konkret i veprimit të kryer nga përmbaruesi gjyqësor, është i detyruar të paguajë këto tarifa në përputhje me kushtet e parashikuara nga ky udhëzim.
Palës debitore, në cilësinë e subjektit qe ka shkaktuar tarifën përmbarimore sipas nenit 525 të Kodit të Procedurës Civile, duke mos përmbushur detyrimin brenda afatit të ekzekutimit vullnetar, i përllogariten dhe faturohen rast pas rasti edhe tarifat fikse të mëposhtme:
Tarifa fikse | Tarifa (në lekë) |
Për sekuestrimin e sendit në pronësi të debitorit | 0.1% të vlerës së sendit të paluajtshëm të sekuestruar |
Për shitjen e sendit në ankand publik | 3% e çmimit të shitjes |
Për veprime përmbarimore në distancë | 10 lekë/km |
Për veprime përmbarimore jashtë zyrës | 1,000 lekë/orë |
Tarifat fikse sipas pikës 10, subjekti përmbarues ka të drejtë t’i përllogarisë në momentin e kryerjes së veprimit konkret dhe t’i arkëtojë në çdo kohë gjatë procedurës së ekzekutimit, kur në llogarinë bankare të përmbaruesit gjyqësor bëhen të disponueshme shuma monetare të ekzekutuara ndaj debitorit apo personave të barazuar me të. Subjekti përmbarues në momentin e arkëtimit të këtyre tarifave, në çdo fazë të procesit përmbarimor, është i detyruar të lëshojë faturë tatimore në emër të palës debitore, duke shtuar edhe TVSH-në përkatëse sipas legjislacionit tatimor në fuqi. /tesheshi.com/