Deputeti i partisë NISMA për Kosovën, Zafir Berisha në një intervistë dhënë për portalin tesheshi.com flet për aktivitetin në ilegalitet gjatë viteve ’80 -’90, për aktivizimi e tij në UÇK dhe angazhimin në jetën politike. Tregon se çfarë mesazhi kishte përçuar veprimtari Ukshin Hoti në një tribunë politike të organizuar në vitin 1991. Ai në këtë intervistë shpreh edhe kritikat e tij për udhëheqjen e vendit nga Thaçi e Mustafa, tregon se si mund të zhbllokohet Kuvendi, derisa paralajmëron se zgjedhjet e parakohëshme janë në prag.
Nga Blendi Gashi
Që në fëmijëri i jeni përkushtuar çlirimit të vendit. Keni marrë pjesë në shumë ngjarje madhore në mbështetje të shtetësisë së vendit. Kur ishit 12 vjeç shkruajtët parullën Kosova Republikë. Na kujtoni pak atë kohë?
Në vitin 1981 isha fëmijë dhe, kur shpërthyen demostratat, vëllau i madh Shaniu ishte student dhe pjesëmarrës aktiv në ato demostrata.
Si fëmijë prej tij e ndëgjova fjalën Republikë dhe, pa qenë në dijeni shumë për rëndësinë, një natë gushti së bashku me një shok kam shkruar parullën Kosova Republikë.
Pas disa ditësh, në mëngjes herët familjen time e kishte rrethuar policia serbe. Nëna erdhi më lajmëroi se më kërkonin. Mbi 300 policë e kishin rrethuar lagjen për një fëmijë që isha unë në atë kohë për parullën që kisha shkruar.
Në pyetje me morën disa shqipfolës dhe nga pyetjet e kuptova se janë duke përcjellë vëllezërit pasi më bënin pyetje edhe për ta.
Nuk shkuan disa muaj, konkretisht më 13 tetor të vitit ‘81 sërish qindra policë rrethuan lagjen për të arrestuar dy vëllezërit, Shaniun dhe Sheradin, të cilët i dënuan me nga 3 vite burgim të rëndë të cilët i vuajtën në burgjet më famkeqe të ish-Jugasllavisë. Duke qenë dy vëllezërit në burg, në vitin 1983, vëllau i tretë Mujadini u dënua me 5 muaj burg, pasi në një tubim publik kishte djegur flamurin e Serbisë
Në shtator të vitit 1991 së bashku me vëllezërit tuaj organizuat tribunën politike me temën “Kosova, DJE SOT DHE NESËR”, ku foli edhe profesor Ukshin Hoti. Ju kujtohet çfarë mesazhi përçoi?
Në vitin 1984 tre vëllezërit u liruan nga burgu dhe së bashku vazhduam rrugën e çlirimit të vendit duke qenë pjesë e organizatave ilegale të cilat vepronin në Kosovë në atë kohë.
Unë me vëllain, Sheradinin organizuam një tryezë me titull “Kosova, DJE SOT DHE NESËR”, ku në mesin e disa veprimtarëve, padyshim kishim ftuar edhe profesor Ukshin Hotin, i cili dha mesazhe shumë të rëndësishme për qindra të pranishëm në xhaminë e fshatit Billushë. Mesazhi kryesor në atë kohë i profesor Hotit ishte që Kosova nuk çlirohet me fjalë dhe deklarata por me angazhim konkret, duke mos e përjashtuar as luftën e armatosur, mesazh ky shumë i qartë për të pranishmit në tryezë.
Në janar 1992, pasi forcat serbe sulmuan familjen legjendare Jasharaj në Prekaz, ju së bashku me shokët i siguruat kalimin ilegal në Shqipëri, Rifat Jasharit vëllait të madh të bacë Ademit. Sa ishte e vështirë ta bënit një gjë të tillë?
Përmes shokëve të ilegales me erdhi lajmi se duhet të përcjell një person të rëndësishëm për në Shqipëri i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të bie në duart e armikut. Si njeri i besuar që isha, unë shkova ta marrë personin në fjalë dhe e dërgova deri në Zhur, fshat afër kufirit. Në këtë vend më pas e kanë marrë në shoqërim disa shokë dhe e kanë kaluar ilegalisht në Shqipëri përmes bjeshkëve të Koritnikut. Normal, çdo lëvizje atëherë ishte me rreziqe të mëdha, mirëpo në asnjë moment nuk vinte në shprehje rreziku, sepse në pyetje ishte atdheu.
Pas ca viteve nisi edhe zyrtarisht mobilizimi i UÇK-së. Ju në atë kohë ishit në ilegalitet, ndodheshit në Gjermani. Kush ju tregoi për rrjedhat e fillimit të luftës në Kosovë, kur u inkuadruat dhe cili ishte roli juaj në hierarkinë e UÇK-së?
Unë dhe vëllezërit e mi ishim cak i policisë serbe, kështu në mënyrë ilegale për një kohë ikëm në perëndim. Atje kontaktuam me shumë veprimtarë që ishin të organizuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).
Në fund të vitit 1996 përmes vëllaut të madh, unë për herë të parë kontaktova me disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku kam marrë përsipër organizimin ushtarak në Komunën e Prizrenit.
Në janar të vitit 97-tës, udhëtova për në Shqipëri ku takova disa shokë që ishin në Kosovë nga edhe filluam organizimin e UÇK-së në rrethin e Prizrenit.
Gjatë kohës sa isha në Shqipëri bien në pritë të forcave serbe disa nga liderët e UÇK-së, Zahir Pajaziti me shokë dhe shumë ushtarë të tjerë arrestohen.
Këtu lindi edhe nevoja urgjente për përshpejtim të veprimeve ku në shtator të 97-tës. Me ndihmën e shokëve nga Kukësi, në veçanti të familjes Kovaqi dhe Dida, në Kosovë arritëm të fusim pesë kuaj armatim.
Shpërthimi i luftës frontale në Drenicë e gjen lagjen Tusuz të Prizrenit të rrethuar nga policia serbe, ku bien në burg disa shokë, në mesin e tyre edhe heroi Xhevat Berisha. Duke parë situatën e krijuar, unë filloj organizimin ushtarak në Prizren nga pika zero.
A keni takuar gjatë kohës së luftës Hashim Thaçin apo Kadri Veselin?
Gjatë luftës nuk i kam takuar as Thaçin e as Veselin. Para se me hy në Kosovë kam pasur kontakt me Xhavit Halitin, Azem Sylën, Fehmi Lladrovcin. Në Kosovë kam vepruar në rajonin e Prizrenit, por kam shkuar edhe në Drenicë për konsulta ku jam takuar me Sokol Bashotën dhe Bislim Zyrapin.
Ishit njëri nga themeluesit e PDK-së në Prizren. Pse u larguat nga kjo parti, cila ishte arsyeja kryesore?
Pas luftës kam menduar t’i kthehem jetës private si qyetar i thjeshtë sepse mendoja se kam kryer misionin tim për vendin. Por, meqenëse gjërat nuk shkuan si duhet, atëherë lindi edhe ideja që të inkuadrohem edhe në jetën politike, dhe ishte normale që të bëhem pjesë e PDK-së, pasi shumica e shokëve ishin në këtë parti.
Deri në vitin 2008 nuk kam vërejt shumë gjëra, por pas shpalljes së pavarësisë, pasi u bëra deputet i Kuvendit, isha më afër zhvillimeve politike dhe e vërejta se disa nga udhëheqësit e PDK-së kanë devijuar nga rruga dhe nuk ishin ata të dikurshmit, sepse ishin të verbuar nga interesat personale, andaj edhe vendosa të largohen nga PDK.
Të kthehemi tek aktualiteti politik në vend. Si e shihni zhbllokimin e Kuvendit? Si është të jesh deputet në një Kuvend jo funksional ku merren pagat dhe mëditjet pavarësisht se nuk mbahen seancat?
Opozita është duke vepruar në përputhje me Kushtetutën e vendit e cila po rrezikohet nga kampi qeveritar me marrëveshjet e dëmshme që po bën me Serbinë.
Dalja nga situata e krijuar në Kuvend është në dorë të qeverisë dhe kryeministrit Isa Mustafa, jo nga partitë opozitare që po e ruajnë funksionalitetin e shtetit. Pushteti duhet të tërhiqet nga marrëveshjet anti-kushtetuese.
Po udhëheq më mirë vendin kryeministri Mustafa apo ish-kryeministri Thaçi?
Janë e njëjta shkollë. Hashimi e ka filluar, Isa po e vazhdon. Jo rastësisht në raportet ndërkombëtare thuhet se qeveria aktuale është si ajo e drejtuar nga Hashimi, qeveri e korruptuar. Pra, kaosi po vazhdon njëjtë si PDK-në ashtu edhe me LDK-në.
Me cilin deputet keni më shumë miqësi, përmend një nga opozita dhe një nga pozita?
Hahaha (qesh). Nuk mundem ta veçoj, ndonjë sepse unë kam raporte të mira me të gjithë kolegët e mi.
Jeni kryetar i partisë “Bashkimi Demokratik”. A është partia e juaj e gatshme për zgjedhje të parakohshme?
Kurdo që të mbahen zgjedhjet jemi të gatshëm. Siç po shihet shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe do të jem pjesë aktive e fushatës elektorale.
Një pyetje për fund, është udhëhequr më mirë qyteti juaj Prizreni nga LDK apo nga PDK?
Nuk mund të dallohen shumë për keqqeverisjen asnjëra parti. Por PDK, kohëve të fundit e ka tepruar, sepse nga një subjekt politik ka kaluar në një bandë kriminale dhe këtë po dëshmojnë edhe arrestimet e kohëve të fundit që po ndodhin ndaj zyrtarëve politik të Kuvendit Komunal të Prizrenit. /tesheshi.com/