Nga Shkëlzen Rrecaj
Vushtrria njihet si një ndër qytetet me një qytetari të lashtë e të pasur në Kosovë. Arkitektura e këtij qyteti është e vjetër, me shumë monumente po ashtu tejet të vjetra. Me rrugë të ngushta, diku- diku të shtruara me kalldrëm, ku në çdo cep të tyre mund të hasësh ndonjë biznes të vogël, që karakterizohet qyteti i Vushtrrisë.
Pavarësisht se është qytet i vogël, duket i gjallë, pasi që rrugëve mund të hasësh në shumë njerëz që janë mikpritës. Por, ky qytet nuk karakterizohet vetëm me monumente të vjetra dhe me lashtësi, pasi që është edhe një gjë tejet interesante. Në çdo rrugë mund të hasësh në çajtore, disa nga të cilat të mbushura me njerëz të moshave të ndryshme. Të zhytur në bisedë të thellë, ata nuk e vërenin askënd që u kalonte përballë, sado që tavolinat e tyre ishin vendosur skaj rrugës. E tymi i cigares ishte ai i cili përcillte bisedën e tyre sa të hareshme e me buzëqeshje aq edhe serioze.
E ato që edhe më shumë e zbukurojnë këtë qytet janë edhe xhamitë e vjetra, të cilat fatkeqësisht nuk kanë arritur ta ruajnë arkitekturën e vjetër për shkak që këto u shkatërruan gjatë luftës së fundit.
Në qytetin e Vushtrrisë janë tri xhami të vjetra të ndërtuara qysh në kohën e Perandorisë Osmane.
Prej xhamive të para të ndërtuara në qytetin antik të Vushtrrisë është ajo e xhamia e Gazi Ali Beut, për të cilën thuhet se është ndërtuar në vitin 1410, ndërsa sipas pjesës dërrmuese të historianëve, është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XV.
Xhamia Gazi Ali Beu kishte një arkitekturë interesante dhe me minare. Xhamia ishte dykatëshe e stilit Osman. Ajo gjendet pranë Banjos Publike – Hamamit.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë kjo Xhami, si pasojë e granatimeve të ushtrisë dhe policisë serbe ishte shkatërruar tërësisht. Një karakteristikë tjetër që gjendej në oborrin e kësaj xhamie ishte nishani – guri i varrit të Mustafë Beut, që ishte Sanxhakbe i parë i Sanxhakut të Vushtrrisë, i cili në të vërtetë ka qenë shqiptarë vendas.
Oborri i Xhamisë Gazi Ali Beu ishte përplot me gurë varresh të punuara me gdhendje dhe mjeshtëri të rrallë. Kishte edhe gurë varresh me ngjyra të ndryshme.
Po ashtu, ndër xhamitë e vjetra ishte edhe Xhamia e Çarshisë, kjo xhami para dhe pas lufte quhej Xhamia e Çarshisë, por me ndërtimin e kësaj xhamie pas lufte të cilën e ndërtoi Princi i Emirateve të Bashkuara Arabe, tashmë kjo xhami quhet edhe Xhamia e Shejh Zaidit.
Xhamia sipas një versioni islam, është ndërtuar në vitin 1878, ndërsa sipas burimeve historike të Evlia Çelebisë, në qytet ka ekzistuar Xhamia e Vjetër (Eski-camii), e cila ishte vakëf i Hudaverdigiarit. Këtë Xhami e ka ndërtuar Sulltan Murati II (1421 – 1451). Më vonë është rrënuar, kurse prej materialit të saj është ndërtuar Xhamia e Mbretit. Ndërkaq, të dhënat gojore thonë se Xhamia në fjalë është më e vjetër që u ndërtua në Vushtrri, e cila u ndërtua dhe u shkatërrua disa herë. Arkitektura e saj ishte mjaft interesante dhe është quajtur edhe Xhamia Ikremie.
Ndryshe kjo xhami në popull quhej Xhamia e Çarshisë për arsye se u ngrit në qendër të qytetit, aty ku atëherë ndodhej tregu. Në kompleksin e kësaj Xhamie ka qenë edhe shadërvani (fontana), ku besimtarët mysliman merrnin abdes para se të faleshin në xhami. Pjesa që shtrihej para Xhamisë, ka qenë e shtruar në kalldrëm. Aty ditëve të tregut, që në Vushtrri është e premte, bëhej falja e Xhumasë. Kjo pjesë gjithashtu shërbente edhe si treg i përditshëm për gjëra të ndryshme. Kjo xhami u shkatërrua nga barbaria serbe më 26 mars 1999, bashkë me Çarshinë e vjetër të qytetit. Minarja është minuar më 27 mars, ndërsa është rrafshuar me tokë më 28 Mars 1999 paradite.
Pas djegies së Xhamisë më 26 mars 1999, atë e rrafshuan me ekskavator. Ajo ishte kohë lufte, popullata ishte larguar nga aty, por megjithatë dikush lëvizte aty pari. Një tregtar nga Vushtrria i pyet romët që e bartnin materialin e xhamisë dhe e hidhnin te sitnica se ç’do të bëni kështu, ata ju kishin përgjigj “se do e bëjmë zelenillo”, që do të thotë ”Do e bëjmë gjelbërim-park” – Kjo ishte politika serbe!
Në vitin 1675 ishte ndërtuar Xhamia Karamanli nga familja Ogullari, e cila në Perandorinë Osmane e gëzonte një autoritet të lartë. Ajo gjendet pranë lumit Tërstena.
Kjo Xhami është dy katëshe, e stilit Osman. Kati i dytë i gjerë në gjysmë me trena e dërrasa, shkallët prej dërrasave, muri me trashësi 85 cm. Xhamia ka hajatin sa për t’u falur dy safa (rreshta), e në fund të murit kanë qenë dollapët në të dy anët për lënien e këpucëve. Kjo Xhami është quajtur Xhamia e Plumbit, ngase ka qenë e mbuluar me plumb. Nga vjetërsia i është ndërruar aluminiumi.
Xhamia Karamanli është riparuar tërësisht përbrenda. Në vitin 1986, është ndërtuar tërë muri rreth xhamisë me punë vullnetare. Minarja së bashku me kulmin e Xhamisë u shkatërruan nga bombardimet e forcave serbe më 6 prill 1999.
Prapëseprapë shkatërrimeve të forcave paramilitare serbe qyteti i Vushtrrisë sado pak ka arritur ta ruaj trashëgimin e vjetër kulturore e fetare edhe pse jo ashtu siç kanë qenë objektet të cilat nuk kanë mundur të ruhen ashtu siç ishin ndërtuar janë këto xhami për të cilat u bë fjalë. Vjetërsia e tyre mbetet në libra të shkruar dhe tashme të fasaduara me ngjyra moderne, të cilat kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm që kanë patur para se të rrënoheshin gjatë luftës. Këto xhami falë donatorëve u rindërtuan por jo në arkitekturën e vjetër që kishin stilin oriental. /tesheshi.com/