Duket dhe si e qëllimshme dhe ashtu duhet të jetë: e gjithë vëmendja për atë çka po ndodh në Mitrovicë që pas përfundimit të luftës, është e ngërthyer tek Ura e Ibrit; ndërkohë që na anë të saj, nga pjesa veriore, deri para 16 vitesh ndodhej xhamia historike me të njëjtin emër. Dhe për këtë objekt heshtet. Pra, jo vetëm që s’bëhet fjalë për rindërtimin e saj, por dhe heshtet, bëhet sikur nuk ka ekzistuar. Ura edhe mund të hapet, por nëse ajo xhami e shkrumbuar nga serbët nuk rindërtohet, ky do ishte – siç vazhdon të jetë sot e gjithë ditën – një kapitullim i Kosovës me serbët që bëjnë ligjin në territorin e saj. Ndaj, ky shkrim ka për qëllim, që së paku t’i kujtojë opinionit kosovar, elitës qeverisëse të saj, por dhe aktorëve të huaj, se xhamia është gjithsesi një histori që nuk shkulet dot…
Nga Shkëlzen Rrecaj
Pothuajse është e pamundur të gjejmë ndonjë fotografi a kartolinë të qytetit të Mitrovicës e të mos hasim urën dhe xhaminë monumentale përmbi saj. Urën e shumë eksperimenteve që nga paslufta mund ta shohësh e ndonjëherë edhe ta kalosh, por xhaminë as ta shohësh e aq më pak të falesh në të. Xhamia e Ibrit, ashtu siç njihet botërisht, u shkatërrua “me themel” nga forcat ushtarake serbe pak para përfundimit të luftës. Përderisa i gjithë fokusi politik për qytetin e ndarë verior ka qenë dhe është i përqendruar vetëm te ura, xhamia fatkeqësisht nuk përmendet asgjëkundi. Palët negociatore po get nuk janë aspak të interesuara t’i futen një çështjeje të ndjeshme, pasi që fare mirë e dinë se as me të tjerat nuk e kanë bërë fetë.
Hatri për fatin e këtij objekti kulti të rëndësisë të veçantë për qytetin e Mitrovicës, nuk ngelet te pala serbe e as te ajo ndërmjetësuese, por te pala shqiptare. Është vërtet absurde sesi nuk ta kap veshi pothuajse asnjë politikan që të reagojë lidhur me këtë objekt të trashëgimisë sonë. Edhe ata të paktë që e kanë ngre zërin në një farë forme dalin qesharak, siç është rasti i një deputeti në seancën e fundit: “Aty ku po ndodhin këto procese, kam një informacion se ka qenë një xhami dhe është djegur para luftës…” Kam një informacion! Kjo xhami nuk është informacion, por fakt i gjenocidit të fundit serb dhe faktori ynë do të duhej që të këmbëngulte që krahas krijimit të kushteve për lëvizje të lirë në të dy anët e qytetit që të ndërtohet edhe xhamia e dikurshme e Ibrit. Mungesa e interesimit për këtë xhami nuk nënkupton gjë tjetër përveç frikës dhe kompleksit të inferioritetit karshi palëve të tjera. I këtij mendimi është edhe analisti Nexhmedin Spahiu, i cili kohë më parë pati deklaruar se arsyeja përse politikanët kosovarë nuk po merren me këtë çështje është frika se mos po asociohen si fundamentalistë.
Mbase këtu mund të gjendet edhe përgjigja për mungesën e vullnetit të palës sonë për këtë çështje. Siç gjërat po rrjedhin na lënë të kuptojmë se ka një marrëveshje në lidhje me të, pasi që edhe faktori ndërkombëtar nuk ka propozuar asgjë përkitazi me fatin e xhamisë mbi 100-vjeçare. Sipas përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, rindërtimi i xhamisë së Ibrit nuk është pjesë e marrëveshjes për revitalizimin e urës. Kjo lë të kuptohet së nuk ka frymë bashkëpunimi në këtë çështje dhe se Xhamia e Ibrit vështirë se do të rindërtohet.
Por kjo xhami nuk ishte e vetmja në pjesën veriore të Mitrovicës. Përveç saj, sipas të dhënave historike, fatin e kësaj xhamie e kishte patur edhe xhamia Karagozollu Hasan Aga në Banjskë.
Cila është historia e xhamisë së Ibrit?
Në materialin e siguruar nga Instituti për Trashëgimi Kulturore Islame, Planifikim dhe Ndërtim, përkatësisht nga monografia ende e pa botuar “Xhamitë e Republikës së Kosovës – Komuna e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Monografia nr. 9”, autorë: M.Sc. Sami Isufi arch. dhe MA Esat Ramadani arch., gjejmë të përshkruar në hollësi historinë e xhamisë së Ibrit dhe xhamisë së dytë përtej Ibrit, xhamisë Karagozollu Hasan Aga. Sipas këtij studimi: “Qyteti i Mitrovicës u bë i rëndësishëm në shek. XVII, XVIII dhe veçanërisht në shek. XIX. Ndërsa zhvillimi ekonomik filloi me dinamikë të theksuar veçanërisht me ndërtimin e hekurudhës Shkup – Mitrovicë, në vitin 1873. Me aneksimin austro-hungarez të Bosnjës në vitin 1878, por edhe me shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, shumë banorë të Bosnjës dhe Sanxhakut të Nishit marrin rrugën e migrimit për në qytetin e Mitrovicës. Mitrovica nga boshnjakët ishte bërë cak për disa arsye: ishte deri atëherë pjesë e Sanxhakut të Bosnjës, administrohej nga ata,ishte territori më i afërt që gjendej edhe më tutje nën Perandorinë Osmane dhe ndoshta edhe arsyeja më e rëndësishme ishte popullata e atyshme me shumicë i takonte fesë islame, ndonëse nuk i përkisnin të njëjtës etni. Shumë familje muhaxhirë boshnjakë dhe shqiptarë u vendosen në Mitrovicë, në mëhallët ekzistuese dhe shumë sosh formuan edhe mëhallë të reja. Kësisoj qyteti pësoi rritje demografike dhe rrjedhimisht qyteti filloi të zgjerohet dhe të ndërtohet menjë dinamikë të shpejtë. Muhaxhirët nga Sanxhaku i Nishit dhe Bosnja përveç mëhallëve ekzistuese u vendosën edhe në zona të pa banuara deri atëherë,…” thonë në studimin e tyre arkitektët S.Isufi dhe E.Ramadani.
Më tej në studim thuhet: “Me popullimin e pjesës veriore të qytetit, matanë Ibrit, u paraqit nevoja edhe për xhami të reja. Vendosja e muhaxhirëve ishe bërë fillimisht në afërsi të lumit Ibër, përkatësisht urës dhe mullirit që gjendej edhe para ardhjes së tyre. Kësisoj në 2-4 vitet e para, rreth vitit 1880/82, u ndërtua xhamia e parë në pjesën veriore të qytetit. Në këtë xhami sipas të dhënave të KBI-Mitrovicë ka qenë imam/hatib i parë Haxhi Kërxha (1880/82-1918). Xhamia në popull është enjohur me tre emra, si xhamia e Haxhi Kërxhës (Gërxhës), sipas emrit të imamit të parë; xhamia e Ibrit, për shkak të afërsisë me lumin Ibër dhe si xhamia e boshnjakëve, për arsye që u ndërtua në mëhallën me shumicë boshnjake.
Sipas të dhënave të KBI-Mitrovicë, katër imamët të cilët kanë shërbyer në këtë xhami ishin:
- Haxhi Kërxha (Gërxha), i cili ka shërbyer nga fillimi deri në vitin 1918;
- Hafiz Ali Emini, i cili ka shërbyer në mes viteve 1918-1945;
- Hafiz Is’hak Ramaxhiku, i cili ka shërbyer në mes viteve 1945-1972/73;
- Mulla Milazim Jashari, i cili ka shërbyer nga 1972/73 deri në djegien e xhamisë nga forcat serbe me 2 maj të vitit 1999,” thuhet në studimin e tij.
Sipas të dhënave të njëjta, krahas xhamisë ishte ndërtuar edhe mektebi, në krahun e majtë të xhamisë (shikuar nga fasada ballore). Mektebi kishte funksionuar deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Gjë që diç më vonë,në vitin 1950, të mësuarit e fëmijëve nëpër xhami me ligj konsiderohej vepër penale. Pas kësaj gjendjeje mektebi ishte rrënuar dhe në vend të tij ishte ndërtuar një furrë buke dhe dy lokale afariste nga KBI-Mitrovicë. Furra dhe dy lokalet kishin funksionuar deri në luftën e fundit, kur u dogjën dhe u rrënuan me themel nga forcat serbe së bashku me xhaminë…”
Arkitektët në studimin e tyre lidhur me xhamitë e qytetit të Mitrovicës japin të dhëna për ekzistimin e tetë xhamive në qytet gjatë periudhës osmane.
Në studimin e tyre ka mjaft të dhëna edhe për xhaminë tjetër që ishte ndërtuar andej urës së Ibirit d.m.th në pjesën veriore dhe pak me larg se xhamia e Ibrit.
“Xhaminë e dytë e pjesës veriore të qytetit që ne e kemi identifikuar me xhaminë Karagozollu Hasan Aga (tur. Karagözoğlu Hasan Ağa camii) që gjendet në regjistrin kadastral osman, mund të jetë ndërtim i fund shekullit XIX ose fillim shekullit XX. Kjo xhami gjendej më thellë në pjesën veriore të qytetit se sa Xhamia e Ibrit…,” thonë arkitektët S.Isufi dhe E.Ramadani në studimin e tyre dhënë portalit tesheshi.com.
Xhamia Karagozollu Hasan Aga njihej edhe si Xhamia e Epërme dhe se deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore (LDB) çarshia e vjetër e qytetit shtrihej edhe në anën e majtë të Ibrit, përmes mëhallës së Boshnjakëve, përgjatë rrugës për në Rashkë, deri te kjo xhami.
Sipas të dhënave të KBI-Mitrovicë, xhamia Karagozollu Hasan Aga ka funksionuar deri në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë kësaj lufte ishte rrënuar minarja dhe pas luftës pushteti e kishte uzurpuar dhe e kishte shndërruar në depo. Ngjashëm me rastin e xhamisë së Banjskës, por edhe shumë xhamive tjera në tërë territorin e Kosovës, si pretekst për rrënimin e saj ishte marr plani urbanistik…
Tipologjia – për nga tipologjia e ndërtimit si Xhamia Ibrit ashtu edhe Karagozollu Hasan Aga, si ndarje gjenerale i përkisnin stilit të hershëm selxhuk,tipit xhamive me sallë të faljes të mbuluar me çati druri e tjegulla. Tani që të dy xhamitë janë të rrënuara, por nga pamjet janë të dallueshme në të dy xhamitë disa elemente që nuk janë shumë të rëndomta për xhamitë e Kosovës…
Për xhaminë Karagozollu Hasan Aga, fotografitë janë më të pakta dhe rrjedhimisht edhe njohuritë tona janë të tilla. Nga ato pak pamje që kemi, xhamia kishte sallën e faljes me vetëm një mjedis, pa hajatin që i paraprinë në të shumtën e rasteve sallës së faljes,” shpjegon arkitektët.
Si duket fati i xhamisë së Ibrit është në Bruksel. Raundet e bisedimeve të cilave nuk po u shihet fundi, mbase do ta rrokin edhe diskutimin e kësaj çështjeje. Qeveria e Kosovës do të duhej të mos nguronte në kërkimin e ndërtimit të këtij objekti. Le ta bëjë atë për qytetarët e pjesës veriore të cilët aty do të mund t’i kryenin obligimet e tyre fetare dhe le të mos jetë kjo arsyeja e vetme. Le ta bëjë edhe për historinë e këtij vendi. Në këtë mënyrë Mitrovicës do t’ia kthente jo vetëm simbolin e saj, por edhe shpresën se gjërat e qytetit të lumenjve përfundimisht do të marrin rrjedhën e tyre të duhur./tesheshi.com/