The Independent raporton se trazirat në qytete si Liverpool, Leeds dhe Belfast u kthyen në kaos gjatë fundjavës, kur banditë e ekstremit të djathtë u përleshën me policinë e trazirave dhe pati disa incidente sulmesh ndaj pakicave etnike në rrugë. Kryeministri Keir Starmer lëshoi një paralajmërim të ashpër për banditë, duke premtuar se do të pendoheshin për dhunën.
Në dy raporte të veçanta, gazeta i përshkroi aktet e dhunës që kanë kapluar Mbretërinë e Bashkuar si trazira raciste dhe tha se pretendimet e rreme të përhapura në internet kanë nxitur ndjenjat anti-muslimane dhe raciste. E gjitha kjo pasi një një 17-vjeçar i dyshuar për vrasjet e tre vajzave të mitura pretendohet se ishte ishte një azilkërkues i cili mbërriti në Mbretëri me varkë.
Gazeta kujtoi – në një raport nga Nadine White – disa nga incidentet e dhunshme me të cilat u përballën pakicat etnike në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë, kur një grup i ekstremit të djathtë i vuri zjarrin një hoteli në Rotherham që përdorej për strehimin e emigrantëve. I njëjti grup u përlesh me policinë dhe thirri emrin e aktivistit anti-musliman dhe themeluesit të Lidhjes së Mbrojtjes angleze të krahut të djathtë, Tommy Robinson.
Pamjet tronditëse – sipas përshkrimit të gazetës – tregojnë se si një grup i madh ekstremistësh të bardhë sulmuan një zezak në një park në Manchester. E hodhën në tokë, e shkelmuan, e më pas një person i maskuar e hodhi në një gardh metalik. Policia formoi një unazë rreth tij për ta mbrojtur nga turma.
Në një tjetër incident të veçantë në të njëjtin qytet, tri vajza muslimane iu nënshtruan pështymave dhe tentativave për të hequr hixhabet e tyre. Një banor i qytetit shkroi: “Babai im duhej të merrte në shtëpi tre vajza myslimane nga protesta e Manchesterit, sepse poshtëruesit po i pështynin në fytyrë dhe po përpiqeshin t’u hiqnin hixhabet e tyre”, duke shtuar: “Ju jeni llum i tmerrshëm racist”.
Një burrë mysliman u godit me thikë në stacionin e trenit në Liverpool dhe një shofer taksie u sulmua dhe u keqtrajtua në mënyrë racore në zonën e Hull-it. Në një video që tregonte ngjarjen, një burrë dëgjohej duke bërtitur: “Hajde djema, hajde ta thyejmë”, duke iu referuar makinës së viktimës.
Racizëm dhe vandalizëm
Prezantuesja e BBC-së, Monika Blaha, shkroi në llogarinë e saj në platformën X (ish-Twitter): “Taksistët aziatikë në Hull kanë qenë gjithashtu objektiv i sulmeve racore. Disa prej tyre u detyruan të mos vinin në punë në ditët më të ngarkuara të javës për shkak të abuzimeve dhe vandalizmit”.
Një burrë me ngjyrë u sulmua në Bristol në pamjet tronditëse të postuara në X të shtunën, me policinë që nxitoi në vendngjarje me shkopinj ndërsa ai u përpoq të mbrohej.
Një tjetër video që qarkullon në internet tregon një grup pasagjerësh me ngjyrë të fshehur në një autobus në Sunderland për t’i shpëtuar një turme të zemëruar.
Gjithashtu, protestuesit rrethuan një xhami në Southport, duke i detyruar besimtarët e saj të largoheshin që aty.
Qëndrim i ashpër
Ndërkohë, kryeministri Keir Starmer mbajti një qëndrim të ashpër dhe lëshoi një paralajmërim për banditë raciste të së djathtës ekstreme që po shkaktojnë trazira në qytetet dhe qytezat e Britanisë, duke theksuar se ai është “i garantuar” se ata do të përballen me drejtësinë e shpejtë dhe “fuqinë e plotë të ligjit”.
The Independent raportoi se dhuna u përhap nëpër qytete dhe fshatra të Mbretërisë së Bashkuar pasi keqinformimi u përdor për të ndezur tensionet mbi vrasjen e tre vajzave në Southport, ku grupet e ekstremit të djathtë rrethuan një xhami atje përpara se t’i vinin zjarrin një makine policie.
Duke folur për skenat e tmerrshme në Rotherham, deputetja lokale Sarah Champion tha: “Jam shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës. Njerëzit që shkaktojnë dëm dhe sulmojnë policinë nuk përfaqësojnë qytetin tonë dhe unë jam i tmerruar nga veprimet e tyre. Ky është kaos dhe frikësim kriminal, jo protesta”.
Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper i dha policisë dritën jeshile për të përdorur masa më të ashpra, duke thënë: “Sulmi i dhunshëm kriminal ndaj një hoteli ku strehohen azilkërkuesit në Rotherham është absolutisht i tmerrshëm”.
Qeveria ka nisur një skemë sigurie parandaluese prej 29.4 milion paund për xhamitë, e cila do të ndihmojë gjithashtu shkollat islame – sipas gazetës – që do të thotë se personeli shtesë i sigurisë mund të sigurohet për xhamitë në rrezik të trazirave të dhunshme, duke u ofruar komuniteteve mbështetje dhe siguri jetike. /tesheshi.com/