Dorëheqja e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, ka qenë epilogu i një personazhi politik të së majtës, i cili nisi të potencohej si figurë në kohën e Nanos, ku dhe qe ministër Drejtësie në një prej kabineteve të ish-kryesocialistit.
Te kundërshtari politik, ai herë hynte e herë dilte në “grirësen e mishit”, në varësi të pozicionit dhe rolit politik. Sa për aspektin e përgatitjes juridike, pra profesionale, kjo mbetet jashtë ligjërimit. Ndër reagimet e një dite më parë nga opozita, qe dhe ai i kolegut-rival, Oerd Bylykbashi. Që të dy drejtuan komisionin e reformës në drejtësi, por në fjalët e demokratit, që në të tilla raste mund edhe të ofrohet ndonjë konsideratë – se paku në ligjërimin politik, Xhafaj ka ofruar një etikë të pranueshme – nuk e gjykon fare profesionalisht por i qëndron besnik narrativës së partisë duke e gjykuar vetëm politikisht, sipas dozës së caktuar në strategjinë e demonizimit me kartën e “krimit”.
Ne sot nuk jemi në gjendje ta përcaktojmë cilësinë e Xhafës si shtetar, si drejtues institucionesh, si jurist, sepse në gjithçka është gjykuar nga biografia; çfarë ka e kaluara e tij apo se çka familja e tij. Në këtë pikë, ky është departamenti më aktiv në PD. E nisi vite më parë me një foto ku Xhafaj student krahaqafej nga Enver Hoxha në tribunën e 1 Majit. Në sqarimin që ka dhënë, ka thënë se thjesht ishte përzgjedhur si ndër studentët më të mirë të Juridikut, për të qenë në atë tribunë. Por nuk mbarron këtu çështja.
Edhe në pastë qenë një i ri enverist, që në fakt, gjykuar nga koha e rrethanat duhet të ketë qenë, fakti që akuza i vjen nga një forcë ku lideri ka qenë po ashtu komunist, madje dhe me foto familjare me Hoxhajt e Enverit, e bën në mos qesharake, amorale potencimin e një pozimi me ngjyra ideologjike. Së paku Xhafaj e ka dhënë një shpjegim për të qenit krah Enverit, ndërsa Berisha akoma nuk e ka dhënë një të tillë se ç’e lidhte me fëmijët e Enver Hoxhës.
Akuza tjetër, ajo që ia trazoi të gjithë karrierën, qe për shkak të të vëllait. Xhafaj e ka pranuar cenin e tij, duke thënë se i përket një kohe të shkuar, së cilën vëllai e ka lënë pas, duke patur tashmë një jetë krejt tjetër.
Por opozita nuk të fal kur është fjala për të të gërmuar në biografi kur je përballë saj si rival. E vërtetë ajo apo jo ai audiopërgjim, i servirur mirë apo keq nga kundërshtari politik, ndodhi që ia nxiu jetën, atij personalisht dhe familjes, duke e detyruar të zgjedh largimin me dorëheqje.
Paçka amoralitetit të opozitës dhe në këtë rast – sipas versionit që audiopërgjimi ka qenë sajesë – Xhafaj nuk duhet ta pranonte të merrte një post me kosto në këtë pikë, kur e dinte cenin të vëllait, dhe kur e dinte gjithashtu se në këtë pikë kundërshtari politik nuk të fal. Është ajo që u tha më lart: është i vetmi departament, i vetmi sektor që punon me orë të plotë. Por duhet thënë se opozita gjithsesi po bën një gjë të mirë: po vendos standartin e puritanizmit gati absolut në politikë. Por është vërtetë kështu? A do mund ajo nesër në kushte pushteti të ofrojë një puritanizëm siç e kërkon sot? Hëm! Ky është standarti që gjithnjë i ka munguar: ka goditur kundërshtarin në atë që e ka bërë dhe vetë, ose i ka kërkuar kundërshtarit atë që vetë nuk e bën.
Fotoja e Xhafajt me Enverin dhe ajo e Berishës me Hoxhajt, është treguesi më kuptimplotë i një amoralieti politik që vijon të gjallojë, pa garancinë se nesërmja në pushtet e opozitës së sotme, mund të ofrojë diçka më të mirë, aq më pak më morale…/tesheshi.com/