Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, përmes një njoftimi ka kujtuar se aktivistët e saj po kërkohen nga policia dhe po arrestohen për shkak të organizimit të aksionit protestues kundër EULEX-it, në 25 gusht 2009.
Sipas VV-së, EULEX vijon të mbetet një eksperiment, përpjekje e Bashkimit Evropian për të prodhuar një kozmetikë të drejtësisë në Kosovë.
“Sot, pas 8 vitesh ekzistencë, EULEX-i mund të konsiderohet eksperiment tërësisht i dështuar. Zyrtarë të EULEX-it kanë folur për përfshirjen e vetë EULEX-it në afera korruptive me oligarkët e kriminelët që kanë pushtetin në Kosovë. Gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova vazhdon të ketë një sistem gjyqësor dhe një drejtësi të diskredituar dhe jofunksionale. Kjo drejtësi e mbikëqyrur dhe e drejtuar nga EULEX-i, e cila sot dëshiron të dënojë aktivistët për veprimet e tyre politike, kurrë nuk ka guxuar të nisë hetimet mbi dosjet për korrupsionin e kryeministrit Isa Mustafa. Kjo drejtësi kurrë nuk ka guxuar të gjykojë e të dënojë asnjë zyrtar të lartë, apo politikan të rëndësishëm të partive në pushtet”, thuhet në kumtesë.
VV thotë se aktivistët e saj nuk do t’i përgjigjen thirrjeve të këtij procesi gjyqësor, pasi po e cilëson atë si proces politik.
/tesheshi.com/