Ish-ministri i Jashtëm serb i pas-luftës, njëherësh shkrimtar dhe mendimtar publik, Vuk Drashkoviç, fton për një pajtim mes serbëve dhe kosovarëve, që beson se do arrihet me Vuçiçin.
Por këtë e kërkon në emër të një raporti më të ngushte sipas tij të Serbisë me Kosovën, se sa të kësaj të fundit me Shqipërinë.
Ndaj, ai jep dhe prognozën e të ardhmes mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, fill pas një pakti paqeje.
“Mos i lexoni gazetat, t’i harrojmë gazetat. Menjëherë pas normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, bashkëpunimi në mes të Serbisë dhe Kosovës do të jetë më i suksesshëm sesa bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë…”, u shpreh Drashkoviç, duke folur për median kroate.
“Jetojmë njëri afër tjetrit, jetojmë bashkë. Kosova është edhe me rrugë edhe me gjithçka e orientuar kah Serbia. Eksporti ynë në Kosovë sot është shumëfish më i madh se eksporti në Rusi dhe Kinë bashkë”, ka ofruar Drashkoviç edhe argument ekonomik.
Dhe ai ka bindjen se paqja do të vijë.
“I besoj Vuçiçit kur thotë se asnjë armiqësi nuk mund të shuhet me armiqësi, por me miqësi…”, shton Drashkoviç. /tesheshi.com/