Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohet sot me Matthew Palmer, të dërguarin special të SHBA-ve për Ballkan, kurse tema e vetme e diskutimit siç raportojnë mediat serbe do të jetë çështja e Kosovës.
Mediat në Serbi në fakt kanë publikuar tetë pyetjet që Vuçiç do t’ia bëj Palmerit, të cilat përveç se janë retorike, bëjnë të qartë qëndrimin e pashkëputur nga politika e para dy dekadave.
Zyra e presidencës në Serbi insiston se Vuçiç së bashku me Palmerin do t’i diskutojnë tetë pikat kyçe, që vijojnë si më poshtë:
- Pse Matthew Palmer flet për njohjen e Kosovës si kusht për pranimin e Serbisë në BE kur ai nuk është zyrtar i BE-së?
- Pse SHBA-të kërkojnë nga Beogradi që ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës?
- Pse Matthew Palmer nuk ia ka thënë as edhe një fjalë Prishtinës sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, formimi i të cilës është e garantuar me marrëveshjen e Brukselit?
- Pse Palmer kërkon nga përfaqësuesi i Listës Serbe që të heqin dorë nga Beogradi dhe të gjejnë hapësirë veprimi në Kosovën e pavarur, kur kjo parti ka fituar bindshëm?
- Pse Matthew Palmer është fshehurazi me Nenad Rashiqin dhe Sllobodan Petroviqin në periferi të Prishtinës, dhe vetëm mediat e zbuluan takimin përmes një fotografie?
- Pse Palmer kërcënon Serbinë me sanksione për shkak të sistemit raketor rus S-400, kur e di që ato ende nuk janë siguruar?
- Pse Matthew Palmer po sulmon investimet kineze në Serbi, kur ishin amerikanët ata që e kishin braktisur në momentin që e kishin kuptuar se nuk kishin fitim të madh?
- Pse Palmer ka premtuar ndihmë organizatave në Prishtinë që kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e luftës nga Serbia?
Kujtojmë se presidenti serb madje ua ka bërë me dije mediave në vend se do t’ia bëjë të qartë Palmerit se është e pamundur që “Serbia t’i humb të gjitha, e shqiptarët t’i fitojnë”. /tesheshi.com/