Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të marrin një rol më të madh në të ardhmen në procesin negociues Beograd-Prishtinë.
“Ne i bëjmë thirrje OKB-së që të marrë një rol më të madh në të ardhmen. Ne nuk kemi asgjë kundër BE-së, por ne kemi nevojë për një rol më të madh të OKB-së në këtë proces. Do të gjejmë një mënyrë për t’u kujdesur për sigurinë e popullit tone”, theksoi Vuçiç.
Reagimi i tij erdhi pasi përfaqësuesit e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përfunduan deklaratat e tyre, duke vënë në dukje se askush nuk ishte në gjendje të deklaronte asnjë rregull mbi bazën e të cilit u themelua ushtria e Kosovës.
Ai tha se kur mungojnë argumentet, ato përdorin dokumente jo-ekzistente.
Vuçiç kujtoi se që nga viti 2012 deri më sot Kosovën e kanë njohur vetëm 19 vende dhe se që kur procesi ngeci, Serbia vuan akuzat dhe hakmarrjet nga Prishtina.
“Dikush duhet t’i ndalë këta njerëz, dikush duhet t’i ndalë ata, sepse ajo që bëjnë ata nuk është në përputhje me botën në shekullin e 21-të, të paktën. Ata vendosin kushtet për dialog të mëtejshëm ndërkohë që janë të paqëndrueshëm – nga njohja e pavarësisë, përmes njohjes së kufijve dhe nuk është e qartë për to se si duhet të bazohen negociatat e mëtejshme me Prishtinën”, vuri në dukje Vuçiç.
Ai shtoi se Prishtina po rrezikon të gjithë serbët në Kosovë duke rritur tarifat doganore me 100 për qind të mallrave nga Serbia, si dhe shtoi se ndihej i frikësuar për të ardhmen e popullit serb, por dhe të gjithë rajonit. /tesheshi.com/