“Udhëheqësi i talebanëve Mulla Ahtar Mansur është vrarë gjatë një sulmi me avionë amerikanë pa pilot, pasi ai përbënte rrezik për forcat amerikane, civilët afganë dhe negociatat paqësore”, ka deklaruar sot sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.
“Mansur ka përbërë kërcënim të drejtpërdrejt për ushtarët amerikanë, civilët afgan si dhe forcat e sigurisë afgane”, – tha Kerry, duke shtuar se “Mansur po ashtu i ka kundërshtuar në mënyrë direkte negociatat paqësore”.
Komandanti taleban Mulla Abdul Rauf ka konfirmuar në mëngjes se Mansur është vrarë gjatë një sulmi të dronit amerikan.
Rauf i ka thënë sot agjencisë AP se Mansur është vrarë të premten mbrëma, në zonën kufitare në mes të Afganistanit dhe Pakistanit.
Zyra e Presidentit afgan Ashraf Ghani ka konfirmuar se sulmi është kryer, por nuk ka mundur të konfirmojë nëse Mansur është vrarë.
Mansur ka udhëhequr me talebanët nga vera e kaluar kur është lajmëruar për vdekjen e themeluesit të kësaj lëvizjeje, Mulla Muhamed Omarit.
Mansur, i cili ka qenë zëvendës i Omarit, ka mbajtur fshehur vdekjen e tij prej dy vitesh dhe në emër të tij udhëhoqi me talebanët deri kur qeveria afgane zbuloi se Omar ishte vrarë. /tesheshi.com/