Si sot, gjashtë vite më parë, një nga liderët politikë të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, u vra në pjesën veriore të Mitrovicës. Dhe akoma nuk janë zbuluar autorët e vrasjes së Ivanoviçit, kryetarit të nismës qytetare “Serbi, Demokraci, Drejtësi” dhe një prej liderëve opozitarë të serbëve të Kosovës.
Në vendin ku u vra, para selisë së partisë në Mitrovicë, kanë bërë nderime familjarë, miq, qytetarë, anëtarë të ish-partisë së Ivanoviçit, si dhe përfaqësues të opozitës në Kuvendin e Serbisë.
Të gjithë ata theksuan rëndësinë e ndriçimit të këtij rasti.
“Në emër të familjes së Oliver Ivanoviçit, gruas së tij Marina, djemve dhe të afërmve të tjerë të tij, falënderoj të gjithë që erdhën në shënimin e gjashtë vjetorit të vrasjes së Oliver Ivanoviçit, për të na kujtuar se nuk e kemi harruar dhe për të na kujtuar se si na mungon shumë tani që serbët në Kosovë po kalojnë momentet më të këqija”, tha Dejan Nedeljkoviç.
“Kjo tragjedi përkeqësohet nga fakti se hetimi dhe i gjithë procesi i zbardhjes së të kaluarës së drejtuesve, organizatorëve, komplotistëve dhe ekzekutorëve po kryhet në mënyrë të shkujdesur. Nganjëherë kemi përshtypjen se qëllimi i kësaj nuk është zbulimi por mbulimi i kësaj vrasjeje”, tha Borislav Novakoviç nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”.
Procesi gjyqësor në Prishtinë
Edhe pse pas vrasjes janë zhvilluar hetime në Kosovë dhe Serbi, aktualisht në Prishtinë po zhvillohet vetëm procesi gjyqësor.
Gjykimi nuk ka të bëjë me vetë aktin e vrasjes, por me dhënien e ndihmës në vrasje, duke u akuzuar gjashtë persona, mes tyre edhe Silvana Arsoviç, ish-sekretarja e Oliver Ivanoviçit.
Aktakuza për këtë rast është ndryshuar tri herë brenda tre viteve, por përveç që të pandehurit janë deklaruar dy herë të pafajshëm, procesi gjyqësor nuk ka ecur më tutje.
Prokuroria e Kosovës ka akuzuar Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviçin si organizatorë të grupit kriminal të lidhur me vrasjen e Ivanoviçit.
Të dy nuk janë në dispozicion të autoriteteve të Kosovës, ndaj dhe ndaj tyre nuk po zhvillohet asnjë procedurë gjyqësore. /tesheshi.com/