Prokuroria e Tiranës ka konkluduar mbi vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, duke shfrytëzuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja famëkeqe e një jave më parë.
“Kemi siguruar provën kryesore, pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë.
Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes.
Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes se Klodian Rashës ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës”, thuhet në dokumentin e organit të akuzës.
Por mbetet mister një armë e gjetur aty pranë në një pellg me ujë.
“Arma e gjetur ne pellgun e ujit,ende e paidentifikuar. Kemi administruar aktin e ekspertimit balistik te pistoletës”, thuhet nga Prokuroria.
Gjithsesi, për akuzën, efektivi ka kryer një vrasje me dashje, duke tejkaluar kompetencat që i jep ligji. /tesheshi.com/