Irani ka lëshuar një urdhërarrest për presidentin amerikan Donald Trump dhe 35 zyrtarë të tjerë për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, duke kërkuar ndihmën e Interpolit për zbatimin e vendimit, tha të hënën prokurori i Teheranit, Ali Alqasimehr.
Forcat amerikane vranë Soleimanin, udhëheqësin e Gardës Revolucionare, në një sulm me dron në Irak në 3 janar.
Uashingtoni ka akuzuar Soleimanin për pjesëmarrje në planifikimin e sulmeve të milicisë pro-iraniane ndaj forcave amerikane në rajon.
Alqasimehr tha se urdhrat ishin lëshuar me akuzën e vrasjes dhe terrorizmit.
Ai shtoi se Irani i kishte kërkuar Interpolit të lëshonte një urdhër të kuq për Trump dhe të tjerët të akuzuar, pasi morën pjesë në vrasjen e gjeneralit iranian.
Një urdhër i kuq lëshohet për personat që ekstradimi i të cilëve kërkohet për vepra penale.
Alqasimehr tha se zyrtarë ushtarakë dhe civilë të SHBA-së ishin midis të akuzuarve, por nuk hynë në detaje.
Ai theksoi se Irani do të insistojë në zgjidhjen e çështjes edhe pasi të skadojë mandati i Trump.
Vrasja e Soleimanit solli Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në prag të luftës, pasi Irani u përgjigj me një sulm me raketa ndaj objektivave amerikanë në Irak disa ditë më vonë. /tesheshi.com/