Edhe në veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, ka nisur pa probleme votimi.
Në ora 7:00 është hapur qendra e votimit në shkollën e mesme teknike “Mihajllo Petroviq-Allas” për zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë.
Mësohet se edhe gjashtë qendra të tjera të kësaj komune janë hapur me kohë dhe nuk është shënuar ndonjë problem.
Deri tani po vërehet numër i vogël i qytetarëve që kanë votuar, raporton “KosovaPress”.
Rreth 27 mijë e 915 qytetarë me të drejtë vote në këtë komunë pritet të dalin sot dhe të hedhin votën e tyre.
Në katër komunat veriore të vendit, do të jenë të hapura gjithsej 44 qendra të votimit, prej të cilave 7 në veri të Mitrovicës, 7 në Zveçan, 12 në Zubin Potok, dhe 18 qendra të votimit në Leposaviq.
Kujtojmë se Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me KQZ-në, ka shpërndarë 200 pjesëtarë të stafit në pjesën veriore.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se ky staf ka rol këshilldhënës.
“Dy persona janë për një vendvotim, por ata nuk kanë rol ekzekutiv, dhe janë aty vetëm për të këshilluar anëtarët e Komisioneve Komunale,” ka theksuar Daka. /tesheshi.com/