Nga Gjergji Koja
Dje, të paktën dy deputetë të PD-ë, me një votim të fshehtë devijuan vendimin e grupit parlamentar dhe u shprehën pro zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit. Pak minuta më pas, deputetët demokratë, mes të cilëve edhe dy “tradhëtarët” iu bashkuan protestës para Kuvendit kundër zgjedhjes së Ruçit.
Vota pro apo kundër një kryetari Kuvendi nuk ka ndonjë rëndësi, por ajo që pasoi më pas këtë veprim duket qartazi një skenar për të kryqëzuar Lulzim Bashën.
Me qindra mesazhe në rrjetet sociale shpërthyen kundër kreut demokrat, i cili ka marrë përgjegjësinë për përbërjen e grupit parlamentar. Mesazhet nisnin nga akuzat për lidhjet e Bashës me Ruçin, duke i përmendur familjen e bashkëshortes, dhe deri te marrëveshja e 17 majit mes tij dhe Edi Ramës.
Në fakt zgjedhja e Gramoz Ruçit dihej, pasi PS zotëron mandatet në Kuvend, pa përfshirë këtu 3 deputetë të PDIU-së dhe Tom Doshin e PSD-së, që në total shkojnë 78 mandate. Ndaj, 2 apo 3 vota nga opozita pro Ruçit më shumë mund të interpretohen si një lojë kundër Bashës se një dashuri e tyre ndaj kryetarit të ri.
Situata ngatërrohet edhe më tej kur Grida Duma dhe Tritan Shehu hedhin dyshimin për manipulimin e votës, pra një makinacion i përdorur për të krijuar debat në rradhët e PD-së. Nëse do të merret e mirëqenë kjo që thonë dy deputetë të saj, atëherë në seancën e së hënës, opozita duhet të bllokojë çdo ecuri të Kuvendit, pasi nuk mund të konceptohet vijueshmëria normale në atë që quhet tempulli i demokracisë dhe ku votat e deputetëve tjetërsohen, vidhen apo manipulohen.
Por të dy deputetët e dinë mjaft mirë që ajo që thonë ato nuk ka ndodhur, por kanë frikë të pohojnë atë që realisht ka ndodhur dhe që mund të quhet një lojë kundër Lulzim Bashës.
Se kush janë dy apo 3 deputetët që kanë votuar pro Ruçit apo kundër vendimit politik të grupit të PD-së, është e vështirë të gjendet, përsa kohë proçesi ishte i fshehtë. Nisur nga kjo, dyshimi mund të bjerë mbi 43 ligjvënësit demokratë, duke filluar nga ata që bërtasin më shumë dhe deri te ato që preferojnë të luajnë rolin e “spiunit” mediatik, duke hedhur dyshime mbi kolegë të tyre.
Njëri prej tyre nisi nga dita e djeshme – për ta thjeshtuar është deputet i qarkut të Shkodrës – që nuk dihet se nga hyri dhe si u bë pjesë e listës së kandidatëve demokratë. Solla si shembull këtë ligjvënës, emrin e të cilit s’e kam fiksuar ende, pasi si puna e tij mund të jetë gjysma e grupit parlamentar.
Por nëse analizon atë që ndodhi në Kuvend, të vetmit që nuk i interesonte një situatë e tillë ishte Lulzim Basha. Ky i fundit e konsideroi të turpshme zgjedhjen e Ruçit, por nuk bëri komente mbi dy votat që rrodhën nga grupi i tij parlamentar. Në anën tjetër nxituan t´a akuzojnë, sulmojnë e denigrojnë edhe emra që sot qëndrojnë në krah të ish-kryeministrit, e dje qëndronin në krah të atyre që konsiderohen si grupimi anti-Basha, dhe nesër mund të shfaqen si mbështetësit më të flaktë të kryetarit aktual të demokratëve.
Së pari devijimi i dy votave tregon se ai nuk zotëron grupin parlamentar, megjithëse u betua se e kishte caktuar vetë. Kush i njeh zhvillimet në PD e kupton se vula për kandidatët që sot janë deputetë është vendosur në tjetër zyrë, çka do të thotë se përgjegjësia e vetme e Bashës është që publlikisht morri përsipër një listë që nuk është 100% e tij. Kjo do të thotë se në të ardhmen e afërt, kreu i PD duhet edhe të sulmojë, por edhe të mbrojë krahët nga goditjet e pas shpinës, apo ato nën brez.
Së dyti, skenari se do të kishte devijime votash nga rradhët e PD-së dihej që para një jave dhe këtë e pohonin edhe në selinë e partisë më të madhe opozitare, pavarësisht se në fund, për të respektuar një standard, marrëveshje apo institucionin e Kuvendit, u zgjodh rruga për të marrë pjesë në votim dhe jo bojkoti. Kjo ndoshta do të thotë se përmes këtij votimi u verifikua forca reale e atyre që kanë zgjedhur opozitën, duke zbritur numrin e flirtuesve me pushtetin.
Së treti, në listat e PD përfshihen së paku 3 kryetarë të partive të vogla, të cilët mund të kenë votuar pro Ruçit, jo për të goditur Bashën, por se kanë 20 vjet që ndodhen në një sallë me kandidatin që u zgjodh kryetar i Kuvendit.
Dhe arsyet nuk kanë të mbaruar po të analizohen raportet personale apo politike të ligjvënësve shqiptarë qoftë me Ruçin që u arriti të peshkojë dy apo më shumë deputetë demokratë, qoftë me Bashën që dje u “tradhëtua” nga të tijët.
Por, votimi tregon se trafiku i votave, edhe për një çështje kaq të parëndësishme, është prezent, çka do të thotë se nesër për një vendimmarrje më madhore mund të ndodhen të tjera çudira. Dhe kjo nuk është as hera e parë dhe as e fundit në një shtet, me një parlament, ku ndodhen të ulur bashkëfajtorët dhe bashkëvuajtësit, që ditën qurraviten redaksi më redaksi, dhe vendimet i marrin duke ëndërruar poste dhe pozicione. /tesheshi.com/