Megjithëse LSDM-ja opozitare në krye me Zoran Zaev kishin deklaruar që nuk pranojnë zgjedhje parlamentare më 24 prill nëse nuk bëhet pastrimi i listave zgjedhore, së fundmi partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-BDI kanë dalë me kumtesë se e pranojnë në tërësi metodologjinë e KSHZ për pastrimin e listës.
“SHZ ka të drejtë ligjore dhe përkrahje institucionale që të pastrojë listën zgjedhore dhe të mer të gjitha aktivitetet për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.VMRO i jep përkrahje KSHZ-së që të punojë sipas ligjit dhe të jap maksimumin për përmbushjen e të gjitha obligimeve për të cilat ka kohë të mjaftueshme dhe të gjithë institucionet të përmbushin obligimet për zgjedhje dhe atmosferën demorkatike’”, thuhet në kumtesën e VMRO.
Nga ana tjetër, BDI ka njoftuar KSHZ-në që i ka tërhequr amandamentet ndaj Metodologjisë për pastrimin e listës zgjedhore duke e zhbllokuar në këtë mënyrë punën e KSHZ-së dhe duke mundësuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e rregullt.
Në komunikatën e BDI thuhet që: “Bashkimi Demokratik për Integrim ju njofton që e pranon Metodologjinë e propozuar dhe përgatitur nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor për pastrimin e listës zgjedhore. Bashkimi Demokratik për Integrim ndërmerr këtë hap në funksion të tejkalimit të gjitha pengesave të mundshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe fton të gjitha palët që të japin kontributin e tyre për ta përmbyllur këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin”.
Po ashtu, edhe zëdhënësja e KE-së Maja Koçijançiç, në një deklaratë të fundit ka thënë se është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen më 24 prill sipas asaj që është nënshkruar, por për këtë duhet të dakordohen të gjitha partitë ndërsa Brukseli dëshiron që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. /tesheshi.com/