Nga Blendi Gashi
Lidhja Demokartike e Kosovës e themeluar nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, dikur një lëvizje gjithë popullore, rreth së cilës u bashkua çdo shqiptarë i Kosovës, për të kundërshtuar regjimin e atëhershëm serb, sot është kthyer në një parti përjashtuese dhe grindavece mes anëtarëve të saj.
Dy dekada e gjysmë pas themelimit këtij subjekti nuk i kanë munguar as rëniet dhe ngritjet politike, dhe jo vetëm.
Momentet më të vështira të saj të pas luftës kanë qenë ato pas vdekjes së Rugovës, që ndodhën në atë që u njihet si “Kuvendi i Karrigeve”, në nëntor të 2006-ës.
Por, LDK 10 vjet pas ndarjes në dysh dhe rrahjeve në Kuvendin e gjashtë zgjedhor, LDK sërish gjendet para një sfide dhe përçarje të thellë dhe drejt një rënie të madhe.
Kjo parti që dikur njihej për demokracinë e saj, sot është kthyer në një parti përjashtuese ndaj anëtarëve të saj të cilët nuk janë në një vijë me kreun e partisë Isa Mustafa, njëherit kryeministër i vendit.
Një fakt tejet shqetësues është se “të fortit” e LDK-së të cilët kanë krijuar grupin e tyre nuk po lënë zërin kundërshtues që të jetë brenda organeve vendimarrëse të partisë dhe kështu partia dikur më e madhe në vend i ka vënë drynin shtëpisë sidomos për “femrat e fuqishme”.
Moslejimi i Donika Gërvallës të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe tërheqja e saj zvarrë për të mos lejuar të hyjë në sallën ku po mbahej mbledhja nga “musketerët” e partisë, është dëshmia më e mirë se subjekti që themeloi Ibrahim Rugova po shkon çdo ditë e më shumë drejt vetëshkatërrimit.
Se LDK po ec drejt vetëshkatërirmit e pohoi së fundmi edhe Shpejtim Bulliqi deputet i kësaj partie.
Ndaj dhunës që u ushtrua ndaj Donika Gërvallës reagoi edhe deputetja më e votuar në LDK Vjosa Osmani e cila e quajti akt të turoshëm dhe frikë nga fjala e lirë.
“Nuk ka arsye, përpos frikës nga fjala e lirë dhe fuqia e argumenteve të znj. Gërvalla. Sipas statutit, të gjithë kryetarët e degëve kanë të drejtë të marrin pjesë. Znj. Gërvalla është kryetare e degës në Gjermani, prandaj ndalimi i saj dhe sjellja e dhunshme janë akte të turpshme”, deklaroi Osmani.
Por shtrohet pyetja pse Isa Mustafa dhe përkrahësit e tij të kenë frikë nga Donika Gërvalla?!
Kjo e fundit pas tërheqjes zvarrë ka thënë se nuk e di arsyen pse u veprua në atë mënyrë ndaj saj por ka kërkuar ballafaqim “sy më sy” me Isa Mustafën.
“Nuk me intereson kush është aq burrec sa të ketë frikë nga fjala ime në një Këshill ku janë të pranishëm me shumë se 100 persona. Unë jam një prej shumë zërave kritik, mirëpo kush mund të jetë ai burrë i vogël, nuk e ka pikën e rëndësisë, secili e merr përgjegjësin e tij mbi vete”, ka deklaruar Donika Gërvalla.
LDK ia ka kthyer shpinën edhe deputetës më të votuar
Nuk është vetëm Donika Gërvalla femra e cila nuk e dëshiron LDK. Kjo parti ka kohë që e ka përjashtuar nga strukturat e saj udhëheqëse edhe deputeten më të votuar Vjosa Osmani.
Pyetja e njëjtë për LDK-në shtrohet edhe për Vjosa Osmanin, pra pse kjo parti po frikësohet nga deputetja më e votuar e saj?
Sigurisht se arsyeja kryesore është se Osmani pas vetës ka një elektorat jo të paktë dhe zëri i saj kundërshtues brenda partisë e frikëson Mustafën, andaj ka vlerësuar se është më mirë që Vjosën ta mbaj sa më larg.
Prishja e raporteve mes deputetes nga Mitrovica dhe kreut të LDK-së ka nisur pas kundërshtimit të fortë që Osmani ka bërë ndaj formimit të koalicionit me PDK-në, dhe mosvotimit të Isa Mustafës për kryeministër.
Kjo ka bërë që Mustafa më pas të hakmerret ndaj Osmanit e cila për një kohë ishte këshilltare e tij.
Deputetja më e votuar e LDK-së në një emision televiziv ka thënë se brenda LDK-së po bëhet propagandë e fuqishme kundër saj.
Duke mos përmendur emra, deputetja Osmani ka thënë se do t’i publikojë gjitha mesazhet që i janë dërguar anëtarëve të LDK-së kundër saj.
“Do t’i bëjë publike gjitha mesazhet, po u shkruajnë anëtarëve të LDK-së kundër meje. Ka gjëra shumë banale, por për momentin nuk do i publikoj. Ka mesazhe kundër meje dhe familjes time. Unë do të marrë hapa ligjor dhe kërkoj nga ata që të kërkojnë falje”, ka thënë Osmani javë më parë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Gara politike mes Vjosa Osmani e Donika Gërvallësa ndaj “të moshuarve” të LDK-së ka nisur të bëhet çdo ditë e më e ashpër, andaj në muajt në vazhdim në këtë parti politike priten të ndodhin luhatje dhe pakënaqësi edhe më të mëdha, ku më pas sigurisht do të mësohet se kah po shkon kjo parti politike.
Ndryshe, pas tërheqjes zvarrë të Donika Gërvallës ka reaguar edhe dega e LDK-së në Gjermani dhe dega e LDK-së në Zvicër, për çka kjo e fundit ka nisur edhe një peticion për shkarkimin e kreut të partisë Isa Mustafa.
Ndërsa, reagime të mëdha erdhën edhe nga shumë përfaqësuese femra të partive të tjera politike si Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila kryetare e Gjakovës, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
/tesheshi.com/