Të martën në Tiranë do të shpallet një lëvizje politike e re, e cila është themeluar dhe drejtohet nga dy shqiptaro-amerikanë, njëri anëtar i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Shenasi Rama dhe tjetri ish-zëdhënës i Sali Berishës, Grid Rroji. Lëvizja e tyre synon të bëjë kritikë gjithëspektrit politik, por kryesisht qëndrimet e dy themeluesve, të dy dikur miq dhe ish-bashkëpunëtorë të Sali Berishën janë pozicionuar kundër tij dhe PD-së…
Një lëvizje e re politike me karakter të theksuar atdhetar, kritike ndaj kastës së vjetër politike shqiptare dhe me një emër të huazuar nga rilindasit*, do të futet në skenën parazgjedhore të Tiranës. Ka disa elementë që e bëjnë këtë lëvizje të veçantë; themeluesit janë shqiptarë që jetojnë prej kohësh në Amerikë; themeluesit janë të djathtë, ish-miq apo ish-bashkëpunëtorë të Sali Berishës dhe platforma e tyre politike është kundër establishmentit të krijuar këto 26 vite.
Themeluesit
Shenasi Rama jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej shumë vitesh, por nuk është shkëputur asnjëherë realisht nga politika e Tiranës dhe pas 20 e ca vitesh ai ka marrë guximin t’i kthehet një politike aktive në Tiranë në prag të zgjedhjeve të reja parlamanetare. Ai njihet si një kundërshtar i Berishës që në nisje dhe pse ishin të dy në të njëjtën varkë në vitin ’90 me Lëvizjen e Dhjetorit. Për ish-dhjetoristin që zgjodhi mërgimin Berisha e ka kompromentuar lëvizjen e studentëve si i dërguar i pushtetit të asaj kohe. Intervistat e tij të dhëna kryesisht nga Amerika kanë qenëgjithmonëthika ndaj Berishës dhe mënyrës si qeveri e djathta pas ’92-it. Me Berishën dhe më tej dhe me familjarë të tij (dhëndrin, Jamarbër Malltezi) përplasja publike ka kaluar caqet deri në një përplasje personale.Por, edhe pse synimi i lëvizjes politike të tij është kundër “parisë” politike në vend, në fakt ish-dhjetoristi nuk ka qenë asnjëherë kaq i hidhur me kundërshtarin politik të Berishës, Edi Ramën, përkundrazi e ka cilësuar si një nga dhjetoristët më aktiv që ka guxuar të dalë hapur kundër sistemit dhe se ishte i qartë se çfarë duhej bërë.
Në krah të tij është rrjeshtuar një tjetër shqiptaro-amerikan,Grid Rroji. Rroji u bë i njohur për publikun shqiptar në qeverisjen e dytë të Berishës, në mandatin e parë të tij. Kryeministri Berisha e prezantoi me pompozitet Shefin e ritë Departamentit të Informacionit në vitin 2006 duke e marrë Rrojin nga zyrat e OKB-së ku punonte për ta sjellë në Tiranë. Por “dashuria” me zbulimin e tij të ri nuk i zgjati shumë dhe pas 2 vitesh Rroji dha dorëheqjen nga puna për t’u rikthyer në Amerikë. Që nga ajo ditë ai ishte kritik ndaj ish-shefit të tij duke e quajtur autokrat. ”Berisha ngriti shtetin oligarkik, PD e ktheu në organizatë kriminale dhe vend-parkim dështakësh, ish-spiunësh të Sigurimit e kriminelësh në shërbim të familjes”, është shprehur ai në një nga intervistat e dhëna në fillim të vitit që lamë pas.
Në lëvizjen e tyre politike që duket qartasi që do të jetënjë lëvizje kryesisht kundër së opozitës së djathtë,është bashkuar dhe Valbona Karanxha, eksperte në fushën e Shkencave Politike dhe doktore shkencash në universitetet amerikane më me zë. Ajo gjithashtu ka qenë aktive në media duke shprehur rezervat e saj mbi sistemin politik nëShqipëri, që sipas saj“është ndërtuar në baza klanore, partitë janë struktura klienteliste”.
Partia e re u reklamua një vit më parë nga Rama dhe Rroji, por më pas u la në harresë, për të ardhur tek momenti i tanishëm kur do të bëhet realitet. Drejtuesit e saj prej disa javësh ndodhen në Tiranë për të organizuar këtë lëvizje dhe nesër do të shpallin pikpamjet e tyre.
Alternativa
Shqiptarët që vijnë nga Amerika prej disa ditësh ndodhen në Tiranë për të finalizuar përpjekjet e tyre disa-vjeçare në një lëvizje politike. Lëvizja “Bleta Shqiptare” do të zyrtarizohet nesër 17 Janar, ora 11:00 në mjediset e Hotel Mondial në Tiranë me prezantimin e një manifesti politik.
Manifesti është bërë publik nga Grid Rroji në facebook dhe në median e tyre bletashqiptare.com dhe u bën thirrje shqiptarëve që të mos bëhen skllevër të politikës.
“Paria e Tiranës dhe projekti i saj i transformimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare kanë dështuar plotësisht, pa asnjë mëdyshje dhe me turp. Nuk ka zgjedhje, ceremoni, ritual, fytyra të shplara, përkujtimore, vrasje mafioze, klan kriminal, sindikatë ndërkombëtare krimi që i nxjerr nga ky dështim i frikshëm dhe i gjithanshëm. Kësaj rruge ku janë duke shkelur, këta do t’i shkojnë deri në fund jo sepse nuk dinë tjetër, jo sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, por sepse nuk duan tjetër. Këta e kanë bërë gjithçka me ndërgjegje e pa mëdyshjen më të vogël dhe kanë dështuar. Por, dështimi nuk është i tyre. Ata që kemi dështuar për shkakun e tyre jemi ne shqiptarët. Në rruge e sipër, gjatë këtij tranzicioni, ata i kanë arritur qëllimet e tyre të pasurimit e të shfrytëzimit deri në palcë të burimeve material të shtetit e kombit shqiptar. Ne ngadalë po në mënyrë të pathyeshme po kthehemi në skllevërit e tyre modern, një popull që jeton sot për nesër, që nuk ka nder e vlera, që nuk e di kush është dhe që nuk ka forca të luftojë për veten e vet, për familjet e veta, për të të ardhmen e fëmijevë të vet.”- thuhet në manifest.
Në manifest kritikohet e gjithë klasa politike dhe mënyra e të bërit shtet;
“Ka boll deputetë që janë kriminelë e vrasës, zyrtarë që janë ish-të-burgosur, gjykatës që janë maskarenj e zhvatës, ministra që janë superhajna, politikanë që janë trafikantë droge e organesh, ndihmëse zyrash që janë edhe punjonëse seksi, drejtoresha që përdorin gjuhën e prostitutave. Çka nuk ka në administratën shtetërore të shtetit shqiptar! Gjithcka funksionon në bazë të krimit, të korrupsionit e degjenerimit dhe të shkallës së shërbimit që i bëhet parisë sunduesve dhe pronarëve të saj ndërkombëtarë. Por më e keqja është se ata që duhej të ishin roja e interesave kombëtare dhe zyrtarë të shtetit e shërbyes të shoqërisë, profesorët, mësuesit, oficerët, zyrtarët, mjekët, sipërmarrësit, e me radhë, janë shumë të inkriminuar nga interesat e parisë sunduese. Ligji dhe e drejta blihet dhe shitet, dhe ky shtet funksionon në bazë të lekut. Tenderat jepen sipas interesave te pushtetarëve, investimet bëhen simbas nivelit të vjedhjes publike, projektet formulohen e zbatohen sipas modeleve që nuk kanë vlerë për ne, borxhet merren sepse duhen paguar rrogat, policia shtohet për të ushtruar dhunë, ndërsa ushtria ka mbetur me lopata, ndihmat jepen për sektorë joprodhues të shoqërisë dhe si imitim i asaj cka ndodh diku tjetër, ata që duhen mbështetur injorohen dhe kështu gjithçka bëhet mbrapsht. E vetëm kështu një administratë shtetërore normale nuk duhet me kenë.”- thuhet më tej.
Duke i veshur nota nacionaliste dhe atdhetare manifestit tre lajmëtarët amerikanë thonë se do ta ngrenë këtë lëvizje për të luftuar për dinjitetin e shqiptarëve, por ndërsa votuesit e tyre duket se do të jenë në shtratin e së djathtës konservatore, kjo gjëe çon ujin në mullirin e Ramës. Pritet për të parë se në cilin koalicion do të rrjeshtohet Bleta e shqiptarëve të Amerikës.
*Bleta Shqiptare, libër me përbledhje të folklorit shqiptar nga Thimi Mitko, 1878
/tesheshi.com/