Vizita e John Kerry-t në Tiranë, ku siç është bërë me dije, veç mesazheve për zhvillimet e brendshme dhe ato rajonale, ka qenë dhe çështja e hapjes së dyerve për 2 mijë muxhahidinë të opozitës iraniane, shënon dhe një rehabilitim të raporteve disi të ftohura mes Tiranës dhe Uashingtonit që prej protestave kundër armëve kimike siriane, për të cilat, një “Po” në parim e Ramës u shndërrua në “Jo”, për shkak të një presioni të jashtëzakonshëm popullor, ku çuditërisht u përfshinë dhe eksponentë të qeverisjes si Meta, Kokëdhima, apo dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Dhe, nëse do të niseshim nga kriteri i mbrojtjes së dinjitetit si vend, protesta duhej të kishte dhe kundër ardhjes së muxhahidinëve, që gjithashtu, mund të kenë pak “përmbajtje kimike” në sferën e zhvillimeve gjeopolitike dhe rolit të Shqipërisë në to, ngase është një problematikë që gjithsesi vjen nga zona e nxehtë e Lindjes së Mesme. Kundërshtimi i ardhjes së armëve kimike për t’u demontuar, ishte pikërisht një përzjerje e ndjesisë së rrezikut për to dhe asaj të nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar, meqë Amerika na përzgjodhi ne si vend për një eksperiment të rrezikshëm.
Sot, pas 3 vitesh, proçesi me ato armë ka përfunduar; dhe sa për rrezikun e ndonjë katastrofe, siç imagjinata shqiptare atë ditë e stisi me të madhe, nuk ndodhi asnjë e tillë, askush nuk la jetën në atë proces. Por Shqipëria bëri një “akt tradhëtie” falë fitilave misteriozë që prodhuan një psikozë kolektive, tipike si ajo e `97-ës në Vlorë e gjetkë, ku turmat reagonin, vepronin, por nuk mendonin, e për të cilën dikush në Moskë ka fërkuar duart dhe i ka nxjerrë gjuhën Uashingtonit nga proçka e “miqve shqiptarë për kokë”.
Së paku, këtë duhet ta kenë të qartë të gjitha ata që iu bashkuan beriahjit ato ditë nëntori të para tre viteve, edhe pse besonin me sinqeritetin naiv se armët e Esedit nuk duhet të kalonin këtyre anëve, se në ndodhte të binte ndonjë nga makina në rrugë, do bëhej hataja.
Ndërsa sa për atë pakicë që e kishte të qartë “misionin diplomatik” të kundërshtimit të armëve me ndezje fitilash të sentimenteve delikate të masës, nuk vlen ndonjë këshillë.
Sekretari Kerry u shpreh me superlativa për Shqipërinë si aleat, madje për dashurinë shqitare ndaj Amerikës që është provuar në jo pak herë, por tej kësaj retorike të diplomacisë korrekte, padyshim që pa patur dhe ca pak dhe ironi.
Por shpresohet që kjo vizitë e 14 shkurtit, të jetë një rehabilitim i raporteve të krisura mes dy vendeve, jo aq për “shkaqe kimike”. /tesheshi.com/