Një video tronditëse e publikuar për herë të parë në internet pak ditë më parë kap momentin kur një avion ushtarak amerikan u përplas me një anije të marinës amerikane, një ngjarje tragjike që çoi në vdekjen e tre marinsave të rinj në 2017.
Pamjet e publikuara nga Daily Mail tregojnë MV-22 Osprey duke tentuar të zbarkojë në anijen zbarkuese USS Green Bay dhe përfundimisht të rrëzohet për shkak të problemeve teknike.
Aksidenti – një nga disa që kanë shënuar historinë e avionit të sofistikuar që nga fluturimi i tij i parë në 1989 – ndodhi më 5 gusht 2017, kur USS Green Bay ishte në brigjet e Queensland, Australi.
Videoja tregon momentin kur pjesa e majtë e motorit të aeroplanit godet në kuvertë dhe marinarët e tmerruar ikin për të shpëtuar.
Pak çaste më vonë, sipas gazetës britanike, avioni Bell-Boeing që mbante 25 marinsa të Skuadronit 265 Marine Medium Tiltrotor, ra në det. Vrima e hapur në kabinë nga përplasja bëri që avioni të përmbytet shpejt me ujë dhe të fundoset.
Fakti që operacioni i shpëtimit filloi menjëherë rezultoi në mbijetesën e 22 marinsave në bordin e MV-22 Osprey. Trupat e tre marinsave të tjerë u gjetën pas një kërkimi që zgjati rreth 12 orë. Ata ishin 26-vjeçarët Benjamin Cross dhe Nathaniel Ordway, si dhe 19-vjeçari Ruben Velasco, të cilët nuk mundën të dilnin nga kabina pasi ajo mbushej me ujë. Nënkoloneli Cross ishte një nga pilotët e avionit në momentin e rrëzimit. Në një hetim të mëvonshëm u vërtetua se as ai dhe as bashkëpiloti i tij nuk mbanin përgjegjësinë më të vogël për aksidentin tragjik, i cili u shkaktua nga një problem teknik i avionit. /tesheshi.com/