“Statusi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” apo “Statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesit nazifashist”- ky ishte debati që u zhvillua mes demokratëve dhe socialistëve në vitin 1994, kur po miratohej statusi i veteranit. Ishte koha kur do të duhej të bëhej njëherë e mirë dallimi midis atyre që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë dhe atyre që lyen duart me gjakun e shqiptarëve gjatë regjimit komunist. Por në të vërtetë kjo nuk ndodhi. Përveç lojës së fjalëve, qeveria e demokratëve nuk u angazhua aspak, madje i la pa prekur titujt e të gjithë xhelatëve të komunizimit duke përlyer kështu kontributin e atyre që ranë dëshmorë për liri. Në atë seancë pati një propozim për heqjen e titujve por propozimi u rrëzua menjëherë me pretendimin se nuk ishte parlamenti që iu kishte dhënë titujt e nuk do të ishte ai që do t’jua hiqte ato.
Më poshtë botohet një debat mes deputetëve të rëndësishëm të dy krahëve ku spikat qëndrimi i kthjellët i Azem Hajdarit:
Pjetër Arbnori – Unë vetëm do të theksoja se të gjitha ato legjislatura të periudhës komuniste nuk qenë të zonjat që të miratonin një ligj për statusin e veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë kështu që është nder për parlamentin tonë demokratik që po miraton një status të tillë dhe po theksoj edhe një herë se ka pasur edhe një ligj, ose një vendim të Këshillit të Ministrave nuk e di a ishte ligj apo vendim i Këshillit të Ministrave që të gjithë atyre që kishin bërë veprimtari antiparti u ulej pensioni i Luftës Nacionalçlirimtare dhe të drejtat e tjera ekonomike dhe u mbetej t’u paguheshin vetëm 2000 lekë të vjetra në muaj. Dhe këta mund të kishin qenë edhe anëtarë të Byrosë Politike, edhe të Komitetit Qendror, pothuajse i gjithë Shtabi i Përgjithshëm, pothuaj të gjithë gjeneralët ish–komunistë, që ishin nëpër burgje ose në kampet e internimit në Zvërnec. Kjo, pra, është vërtet nder për parlamentin tonë që miratojmë këtë status, që nuk e bënë parlamentet e kaluara.
Uran Butka – Me miratimin e këtij statusi, realizohet dhe vlerësohet edhe një herë ajo pjesë e popullit tonë, më e nderuara, veteranët e luftës kundër pushtuesve nazifashistë. Unë e përshëndes këtë dhe njëkohësisht përshëndes edhe ata diskutantë që theksuan këtu se emërtesa të jetë “veteranët e luftës kundër pushtuesve nazifashistë”, gjithashtu mbështes edhe ata diskutantë, edhe zotin Ilir Meta, që theksoi që këtu kompetencat për miratimin e këtij statusi të atyre që nuk e kanë marrë të bëhet nga një komision, por mendoj që ky komision të jetë në Ministrinë e Mbrojtjes, ashtu siç u vendos për statusin e të përndjekurve politikë, që u jepej nga një komision në Ministrinë e Rendit. Nuk jam që kjo të vendoset nëpër gjykata. Nuk duhet që ata njerëz të nderuar t’i kalojmë nëpër gjyqe e gjykata.
Me këtë rast, krahas miratimit tim, për këtë status, shpreh edhe shqetësimin, kritikën time ndaj problemit që i kam shtruar disa muaj më parë Kryesisë së Parlamentit, dhe nuk është vetëm shqetësimi im, por edhe i mjaft deputetëve të tjerë, si edhe i gjithë kombit shqiptar, që ende, megjithëse po kremtohet 50–vjetori luftës për çlirim, përsëri Enver Hoxha dhe kriminelët e tjerë të luftës dhe të popullit shqiptar, mbajnë dhe tundin dekoratat e heroit të popullit, Kryesia dhe ju, zoti Kryetar, ende nuk më keni dhënë një përgjigje për këtë problem mbarëkombëtar shqiptar dhe natyrisht do të ishte, në këtë prag dhe në këto ditë të festimit të çlirimit, do të mbeten përsëri heronj të popullit. Enver Hoxha është 3 herë Hero i Popullit, Shefqet Peçi etj. Madje, për një nga këto është edhe hero i popujve të Jugosllavisë.
Pjetër Arbnori – Zoti Butka, më vjen keq që shtroni një çështje të tillë, që nuk i takon Parlamentit dhe as mua. Titujt dhe dekoratat nuk jepen nga Parlamenti, dhe prandaj as nuk hiqen nga Parlamenti. Ato janë dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk është Kryesia e Kuvendit Popullor. Juristët le ta shohin mirë dhe ta bëjnë këtë punë. Nuk është punë e Parlamentit. Ai mund të heqë krejt ligjin, prandaj ju lutem mos shtroni probleme të tilla në Parlament.
Namik Dokle – Dhe në përfundim, zoti Arbnori, do të thosha se unë nuk po merrem me anët financiare, por këto tri shoqata kërkojnë që projektligji të titullohet: “Statusi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, emër që ata i kanë vënë luftës që e nisën kur ne nuk kishim lindur apo disa edhe kishin lindur.
Megjithatë, votimi le të bëhet si të doni dhe unë jam dakord me zotin Zhulali se asnjë forcë politike nuk duhet të bëhet pronare e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, se nuk i takon kurrkujt kjo e drejtë, sepse kjo luftë nuk është një shtëpi, që mund të privatizohet nga ky apo nga ai, aq më tepër që ka ministra që privatizojnë nga dy shtëpi, por ama dhe në këtë shtëpi nuk duhen lejuar të hidhen plehra, siç janë hedhur deri tani, kur njëkohësisht dekorohen ata që kanë vrarë partizanët.
Pjetër Arbnori – Falemnderit! Zotërinj, ka përfunduar, përndryshe do të mbyll seancën. Kemi për të votuar në parim projektligjin “Për statusin e veteranit”. Kemi një propozim për ndryshimin e titullit, le ta votojmë. Zoti Agolli, jua kam dhënë fjalën sa herë që e keni kërkuar. Kush është për miratimin në parim të statusit të veteranit. Kundër? Abstenim? Mbyllet votimi me 78 vota pro, 2 kundër dhe 1abstenim.
Pandeli Majko – Zoti Pjetër, kam deklarim vote, kam votuar kundër. Kam votuar kundër, sepse titulli i këtij ligji për mua është antihistorik. “Statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesit nazifashist”- thoni ju. Po në këtë luftë ka pasur edhe bastardë që kanë bashkëpunuar me pushtuesit. Ju këta bashkëpunëtorë të tyre i lini jashtë. Unë di që në këtë luftë ka pasur edhe bastardë, e theksoj, që kanë bashkëpunuar me pushtuesit, dhe ju doni t’i lini në harresë. Kaq kisha.
Dritëro Agolli – Kam votuar kundër për këtë arsye të thjeshtë: Ata që luftuan, ata ia vunë emrin. Ata që lindin fëmijë, ata ia vënë emrin fëmijës. Ne nuk kemi të drejtë t’ia ndryshojmë emrin Luftës Nacionalçlirimtare, po duhet t’ia lëmë siç ka qenë atëherë. Unë çuditem pse nuk pranohet “nacionalçlirimtare”, “nacional” do të thotë “kombëtar”. Ju të PD–së gjithmonë do të humbni. Mua nuk ma pret fjalën askush, sepse unë kam luftuar. Ju të gjithë hanit patate kur luftoja unë.
Azem Hajdari – Unë mendoj se në shumë diskutime në të dy krahët u vu re tendenca për të mos e politizuar luftën dhe për ta quajtur pronë, por për të qenë ajo e të gjithë shqiptarëve ndër traditat e mira. Në këtë këndvështrim, unë u bëj thirrje forcave politike dhe të gjithë parlamentarëve që të gjejnë një mundësi që sot dhe nesër, edhe më tej, të mos lëmë asnjë të çarë lidhur me këtë drejtim, por të bisedojmë dhe, kur ta miratojmë këtë projektligj të gjejmë një rrugë që të jetë rruga më e arsyeshme, më ligjore. Ne të mos i mbështetim këta njerëz dhe të mos e politizojmë, siç po bëhet tani: jo lufta ime, jo jotja. Nuk është e mirë dhe është turp t’i quash të tjerët “mercenarë”, gjithashtu nuk është e mirë madje është turp të prekësh ndjenjat politike sot e t’i lidhësh me ndjenjat e një lufte për çlirim, për atdhe dhe për demokraci.
U bëj thirrje deputetëve që t’i thërrasim arsyes që fëmijët tanë, kur të mësojnë në shkollë, të mësojnë realitetin shqiptar, realitetin e triumfit shqiptar ndaj fashizmit, sepse kështu do të ishte më e mira, ne ishim në krahun e të fituarve, sepse ne ishim me ata që luftuan dhe fituan. Ky është mendimi im, prandaj dhe abstenova. Duhet t’i thërrasim një logjike të ftohtë, jashtë sloganeve komuniste dhe jashtë sloganeve të tjera naziste. Duhet t’i thërrasim mendjes për të punuar sa më mirë për Shqipërinë. /tesheshi.com/