Kategoria e shënjestave me numrin 275 në listën e objektivave bërthamorë të vitit 1959 në Shtetet e Bashkuara është më e frikshmja. Quhet thjesht “Popullsi”.
Për herë të parë, administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve ka hapur për publikun një listë të detajuar të objektivave të mundshëm të Shteteve të Bashkuara për bombarduesit bërthamorë në rast lufte me Bashkimin Sovjetik, duke treguar numrin dhe variacionin e shënjestrave në territorin e tij, sikundër në Europën Lindore dhe në Kinë.
Në të listohen shumë shënjestra për “shkatërrim themeltar” në qytete të mëdha, përfshirë 179 të tilla në Moskë (si p.sh “pajisje bujqësore” apo “transformatorë të rëndë), 145 në Leningrad dhe 91 në Berlinin lindor. Shënjestrat referohen si “designated ground zeros”, që do të thotë se ato ishin të parashikuara për rrafshim, por një nga këto në çdo qytet është thjesht i shënuar si “popullsi”.
“Është përndjekëse, sigurisht të shohësh sesi qendrat e populluara kanë qenë të shënjestruara”, thotë William Burr, analist i lartë në universitetin George Washington që ka në dorë listën në përgjigje të një kërkese të dorëzuar së pari në vitin 2006. Burr, i specializuar në historinë bërthamore, thotë se ai beson se kjo është lista më e detajuar që Forca Ajrore ka bërë publike ndonjëherë.
Shënjestrat janë të identifikueshme vetëm në mënyrë të përgjithshme, me kode numrash që korrespondojnë me vendndodhje specifike. Adresat e sakta dhe emrat e objekteve nga ajo periudhë ndodhen në “Enciklopedinë e Bombardimeve”, një dokument ende i klasifikuar, të cilën Burr thotë se po përpiqet ta deklasifikojë.
Dokumenti prej 800 faqesh, nën emrin “top secret” dhe i hartuar me shkonja gri e të mjegullta të një makine shkrimi, vjen në vëmendje ndërsa çështja e fuqisë ajrore dhe targetimi i mundshëm i civilëve përbën sërish lajm kryesor. Shtetet e Bashkuara i janë shmangur bombardimit të selive të ISIS në Raqqa të Sirisë për shembull, për shkak të pranisë së të burgosurve civilë në të njëjtat komplekse.
Por, disa kandidatë presidencialë e kanë kritikuar presidentin Obama se nuk ka urdhëruar më shumë sulme, përfshirë edhe senatorin Ted Cruz, republikan nga Texas-i që kërkoi një “qilim bombash” ndaj ISIS në Siri dhe në Irak. Kur u sfidua në këtë kërkesë, Cruz tha se “objektivi nuk është rrafshimi i një qyteti”.
“Objektivi është të vriten terroristët e ISIS”, shtoi ai, duke përdorur akronimin për kalifatin.
Lista që po flasim e që është deklasifikuar së fundmi, titullohet “Studim për kushtet e armëve atomike për vitin 1959”. Bëhet fjalë praktikisht për një tabelë të stërmadhe, hartuar nga Komanda ajrore strategjike në vitin 1956 dhe që projekton atë që mund dhe duhej goditur në rast të një lufte të mundshme tre vjet më pas.
Dokumenti është hartuar në kohën përpara raketave apo nëndetësve ndërkontinentale, kur avionët bombardues me pilotë ishin praktikisht të vetmet mjete për lëshimin e armëve bërthamore.
Shtetet e Bashkuara kishin në atë kohë një avantazh të madh ndaj Bashkimit Sovjetik, me një arsenal bërthamor rreth 10 herë më të madh, thotë Matthew G. McKinzie, drejtor i programit bërthamor në Këshillin e Mbrojtjes së rezervave natyrore.
Ai thotë se ndërsa dokumenti sjell në mendje pikun e Luftës së Ftohtë, targetimi i popullsive urbane sërish mbetet një parim themelor i përdorimit të armëve bërthamore për të frenuar sulmet. “Zemra e përmbajtjes është kërcënimi për të shkatërruar qytetet e kundërshtarit, madje edhe sot”, thotë McKinzie.
Alex Wellerstein, historian i armëve bërthamore në Institutin Stevens të teknologjisë në Hoboken, thotë se në vitin 1959, Shtetet e Bashkuara kishin bomba atomike që në total shkonin në 20 mijë megaton. Presidenti Dwight D. Eisenhower nxiti politikën e reduktimit të arsenalit dhe tonazhi u shkurtua përgjysmë në dy apo dy vjet e gjysmë më pas.
“Ai thjesht mendonte se e gjitha kjo do të çonte në zhdukjen e llojit njerëzor”, thotë Wellerstein.
Në atë kohë, planifikuesit ushtarakë u përpoqën të rrethonin Bashkimin Sovjetik me baza bombarduesish dhe, në rast lufte, apeluan për atë që njihet në dokumentet zyrtare si strategjia “bombardo ndërsa largohesh”, duke fluturuar në qytetet më të mëdha sovjetike e duke goditur secilin objektiv të listuar përgjatë rrugës, thotë Wellerstein.
Dokumenti i vitit 1956 e cilëson forcën ajrore objektivin kryesor, ku përfshihen 1100 fusha ajrore të bllokut sovjetik, duke qenë se qëllimi ishte shkatërrimi i bombarduesve sovjetikë përpara se ata të ngriheshin në fluturim dhe të drejtoheshin për të shkatërruar shënjestra në Europë e përtej saj.
Por, shumë baza ajrore dhe qendra komandimi ishin në dhe rreth qendrave të populluara, kështu që edhe goditje të tilla do të kishin rezultuar në viktima të shumta civile.
Objektivat dytësore ishin ato të infrastrukturës industriale, të cilat përfshinin edhe njerëzit që punonin aty.
Ka historianë ushtarakë që thonë se ndërsa parimi i përgjithshëm ishte se civilët nuk duhet të targetoheshin, një parim që daton që përpara Luftës së Parë Botërore, praktika konkrete diktohej shpesh nga nevojat ushtarake të momentit. Aleatët në Luftën e Dytë Botërore dhe lufta Koreane u nisën me parimin për të mos vrarë civilët, sa më pak të ishte e mundur. Por në secilin prej këtyre konflikteve, ky parim u la pasdore duke favorizuar bombardimin e qyteteve për shkak se një gjë e tillë shihej si domosdoshmëri ushtarake.
Shënjestrimi i civilëve shihet shpesh si mënyrë për të thyer moralin e armikut, duke nxitur revolta apo dorëzim, dhe si rrjedhim duke sjellë një luftë më të shkurtër. Dhe kështu bombardimi në shkallë të gjerë i civilëve mbrohet me argumente humanitare, madje edhe pas bombardimit të Tokios e Dresdenit në Gjermani dhe hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe në Nagasaki.
Autorët e listës së vitit 1956 të shënjestrave i kishin përjetuar këto përvoja. Por, me perspektivën e dy superfuqive që asgjësonin njëra-tjetrën me amë bërthamore, për herë të parë, supozimi ishte se njëra palë apo tjetra do të merrte shpejt avantazhin duke sjellë me miliona viktima.
Stephen I. Schwartz, konsulent i pavarur për politikën e armëve bërthamore dhe bashkëautor i librit të vitit 1998 “Auditi atomik” e quan listën e objektivave “të zymtë dhe sinqerisht, të tmerrshme”. Por, ai thotë se është i kënaqur që dokumenti është publikuar në një kohë ku gjithnjë e më pak amerikanë, përfshirë edhe ligjvënës, kanë njohuri të mira për armët bërthamore.
“Kemi njohur konturet e përgjithshme të planifikimit të luftës bërthamore për disa dekada”, thotë ai. “Por, është mirë që detajet po dalin në shesh. Këto janë armë të jashtëzakonshme, në gjendje të shkaktojnë shkatërrim të pabesueshëm. Dhe ky dokument mund të datojë nga historia, por për fat të keq, armët bërthamore nuk janë ende histori”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/