Edhe pas rivotimit në Komunën e Çairit, kandidati i BDI-së Visar Ganiu është shpallur fitues pasi ka marrë shumicën në dy qendrat ku është përsëritur votimi.
BDI ka shpallur fitoren duke deklaruar se Shkupi vazhdon të mbetet bastion i partisë së Ali Ahmetit. Ndërkaq, kandidati i BESA-s, Zeqerija Ibrahimi tha se fitorja i takon LSDM-së së Zoran Zaevit.
“Dua t’ia uroj LSDM-së fitoren në Komunën e Çairit. Kjo është fitore e vjedhur dhe nëse ata e pranojnë si të tillë ne ua urojmë. i falenderoj qytetarët që morën guximin të votojnë përkundër shumë presioneve dhe zhvatjeve. Më vjen keq për ata qytetarë që sot u burgosën me burg shtëpiak nga vagabondët e partive në pushtet dhe nga zyrtarë të policisë që abuzuan vendet e tyre zyrtare dhe nuk i lejuan qytetarët të dalin të votojnë.
Ky pushtet i afirmon kriminelët duke shkelur mbi demokracinë dhe të drejtat themelore zgjedhore e të zgjedhurit”– ka thënë Ibrahimi.
Në rivotim ka pasur një pjesëmarrje shumë të ulët. Në njërën prej qendrave, nga 700 votues kanë marrë pjesë në proces vetëm 192 zgjedhës. /tesheshi.com/