Autoritetet spanjolle kanë pohuar se një grua shtatzënë e sapokthyer nga Kolumbia mbart virusin Zika. Dhe ky përbën rastin e parë në Europë. “Një nga pacientët e diagnostikuar në Katalonjë është një grua shtatzënë, e cila i shfaqi simptomat pas udhëtimit për në Kolumbi,” njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Gruaja shtatzënë është një prej shtatë të prekurve nga ky virus në Spanjë, dhe të gjithë të diagnostikuarit e kanë marrë jashtë vendit sëmundjen.
Duke kërkuar të mos krijojë panik, institucioni më i lartë shëndetësor në Spanjë solli në vëmendje se, “Rastet e diagnostikuara me virusin Zika gjer tani nuk rrezikojnë përhapjen e tij në vendin tonë, pasi janë raste të importuara.”
I shfaqur dhe në Europë, virusi Zika është gjetur vetëm tek persona që e kanë marrë atë teksa kanë udhëtuar jashtë vendit, por deri dje nuk ishte ndeshur te asnjë grua shtatzënë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli para pak ditësh emergjencë ndërkombëtare situatën. Më të prekura janë vendet e Amerikës Latine dhe Amerikës Qendrore, ku grave u është bërë thirrje ta shmangin shtatzëninë gjatë kësaj periudhe. /tesheshi.com/