Një raport, i cili iu paraqit Parlamentit australian, nxjerr në dritë një faqe të errët në historinë e vendit, gjenocidin ndaj aborigjenëve nga kolonët evropianë.
Sipas hetimit, të kryer nga një komision në shtetin e Viktorias, kolonializmi evropian çoi në vrasje masive, sëmundje, dhunë seksuale, rrëmbim fëmijësh dhe politika asimilimi, të cilat rezultuan në “asgjësimin pothuajse të plotë” të popullit indigjen në rajonin specifik.
Komisioni arrin në përfundimin se ky është gjenocid.
Ndër rekomandimet e komisionit janë kompensimi financiar për popullin aborigjen për krimet e kaluara, si dhe kthimi i tokave të tyre stërgjyshore.
Kryeministrja e Viktorias, Jacinda Allan, falënderoi komisionin dhe u zotua se qeveria do t’i shqyrtonte me kujdes rekomandimet, duke thënë se gjetjet “zbulojnë të vërteta të ashpra dhe hedhin themelet për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit e këtij shteti”.
Kur kolonët evropianë zbarkuan në Australi në vitin 1788, popullsia aborigjene ishte rreth gjysmë milioni, por tani ata përbëjnë vetëm 3.8% të popullsisë së Australisë (26 milionë).
Australia ka luftuar prej kohësh për të kapërcyer hendekun midis popujve indigjenë dhe pjesës tjetër të popullsisë në aspektin e shëndetit dhe mirëqenies.
Popujt aborigjenë kanë një jetëgjatësi prej rreth tetë vjetësh më të vogël se mesatarja kombëtare, ndërsa përqindja e popujve indigjenë në burg është vazhdimisht në rritje.
“Pabarazitë aktuale ekonomike dhe pengesat për mirëqenien e popujve të Kombeve të Para janë një trashëgimi e drejtpërdrejtë e praktikave koloniale dhe përjashtimit të imponuar nga shteti”, tha komisioni në raport. /tesheshi.com/